Në pikë kalimin e përbashkët mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Glloboçicë-Jazhincë nga sot qytetarët do t’i nënshtrohen regjimit të kontrollit hyrje-hyrje One Stop Shop.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se në këtë mënyrë do të mund të parandalohen çfarëdo vepre e krimeve ndërkufitare.


“Në vend se të jenë dy kontrolle të ndara, tashmë kemi edhe në këtë pikë kufitare regjimin e kontrollit hyrje-hyrje, falë bashkëpunimit të dy qeverive, dy ministrive por edhe të dy policive dhe dy shërbimeve doganore të vendeve respektiv. Unë besoj se kjo do të sjellë të mira për qytetarët e dy vendeve e posaçërisht për banorët e kësaj zone kufitare. Po vërehet një bashkëpunim shumë i mirë i dy policive në mënyrë që të parandalohet çfarëdo keqpërdorimi apo çfarëdo vepre në kuptimin e shkeljeve ligjore sa i takon kufirit, krimeve ndërkufitare apo çfarëdo lloj aktiviteti tjetër ilegal”, tha Sveçla.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti tha se One Stop Shop do të ndikojë edhe në uljen e kolonave së automjeteve në qarkullim.

“Për një kohe të shkurtër nga pritja në kolona u shndërrua në pritje një minutë-dy dhe dukshëm e ka bërë me të afërt Shkupin me Prishtinën, sot e bëjmë me afër Tetovën. Dëshmon që dy qeveritë janë në shërbim të qytetarëve në realizim të projekteve që lehtësojnë qarkullimin e tyre dhe mallrave. Edhe këtu në Jazhincë, është një kontribut në funksion të qytetarëve ndaj lëvizjes së lirë”, u shpreh Mexhiti.

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, shpreson që pas hapjes së One Stop Shop të ketë një kalim sa më të lehtë për qytetarët e të dyja vendeve.

“Kënaqësi është lëshimi në funksion i këtij kalimi kufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës, ku e përmbyllim kufirin me Kosovën. Ne kemi mundësinë për transferimin më të shpejtë të qytetarëve mes dy shteteve tona me lëshimin në funksion të kalimit kufitar në Bllacë, i cili është treguar shumë funksional në këtë mënyrë. Shpresoj që edhe këtu në kalimin kufitar të kemi gjendemi aktualisht gjithashtu të funksionalitet më të mirë, një transferim më të shpejtë për qytetarët tanë, me qëllim që të kemi komunikim sa më të mirë si dy shtete”, tha Tashovski.

Ky pikë kalim i përbashkët është njëri nga dy pikat e kalimit të përbashkët kufitar të paraparë sipas Protokollit të Implementimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit - Bllacë dhe Glloboçicë - Jazhincë, nënshkruar në nëntor 2024 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. /KP/Telegrafi/