Vendimi i Trumpit për të luftuar Iranin është historik, por ai duhet ta përfundojë punën
Nga: Douglas Murray / The New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com
Për vite me radhë, figura të emocionuara kanë paralajmëruar se çdo sulm ndaj Iranit do të niste Luftën e Tretë Botërore. Fakti që regjimi në Iran ka kaluar dekada duke u përpjekur të zhvillojë armë bërthamore, ai ka qenë gjithmonë problem për këta njerëz. Në fund të fundit, nëse një regjim terrorist po zhvillon armë bërthamore dhe thotë se do ta përdorë atë armë, çfarë saktësisht duhet të bëjë bota? Të rrijë mënjanë dhe ta lejojë të ndodhë?
Kjo është ajo që një pjesë e madhe e botës dukej se ishte e kënaqur të bënte. Ose, më saktë, ata shpresonin që dikush tjetër ta hiqte këtë problem të botës për ta.
Dhe, kështu, u takoi qeverive të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të vepronin. Të bënin atë që kancelari gjerman e quajti së fundmi “punën e pistë” të botës për pjesën tjetër të planetit.
Por, ka arsye pse Lufta e Tretë Botërore nuk ka shpërthyer aspak.
E para është se gjatë tri viteve të fundit izraelitët kanë goditur secilën prej ushtrive terroriste të qeverisë revolucionare iraniane.
Ata e shkatërruan Hamasin në Gazë, duke vrarë gjithë udhëheqjen e tyre të lartë dhe mijëra terroristë të tyre.
Ata shkatërruan infrastrukturën dhe udhëheqjen e ushtrisë terroriste të Iranit në Liban - Hezbollahun. Ata e bënë këtë nga toka, nga ajri dhe përmes operacioneve që bënë histori, si sulmi me pejxher, i cili vrau ose paaftësoi mijëra terroristë të Hezbollahut.
Ata e bënë këtë duke goditur udhëheqjen dhe depot e armëve të ushtrisë terroriste të Iranit në Jemen - Huthi.
Dhe, tani, gjatë dy javëve të fundit, me Amerikën që prinë, ata e kanë çuar betejën te koka e gjarprit.
Njerëzit nuk duhet të kenë asnjë iluzion. Suksesi i kësaj fushate të udhëhequr nga Amerika ka qenë i jashtëzakonshëm.
Sponsori më i madh i terrorizmit në botë është goditur në çdo vend ku dhemb.
Operacioni filloi duke vrarë vetë udhëheqësin suprem të terrorit - Ajatollah Khamenein. Ai gjithashtu vrau pothuajse të gjithë krerët e regjimit terrorist iranian dhe grupeve të tij të ndyra ushtarake dhe terroriste.
Fushata vazhdoi duke goditur vendet e mbetura bërthamore, depot e armëve, furnizimet me raketa dhe të tjera.
Regjimi iranian u përgjigj duke bërë një nga gjërat më budallaqe të imagjinueshme. Ai u hakmor jo vetëm ndaj vendeve që po e sulmonin. Ai vendosi të përpiqej të zhvillonte luftë kundër të gjithë fqinjëve të tij. Dërgoi dronë dhe raketa në pothuajse çdo vend të rajonit. Gjë që është një mënyrë e shkëlqyer për të bërë miq.
Por, këto sulme ishin një demonstrim i dobësisë nga regjimi iranian.
Shumica e raketave dhe dronëve të tyre janë rrëzuar në qiell përpara se të mund të godisnin objektivat e tyre të synuara. Kjo do të thotë se, pa asnjë përfitim, kjo luftë tani është pak a shumë mullahët kundër të gjithëve të tjerëve.
Ajatollahu i kësaj jave - djali i ajatollahut të javës së kaluar - po përpiqet të flasë ashpër përballë gjithë kësaj. Në një deklaratë të publikuar dje ai premtoi se do të “hakmerret” për gjakun e anëtarëve të regjimit të tij që janë vrarë. Dhe, ai kërcënoi se do të shkatërrojë të njëjtën sasi pasurish amerikane sa Amerika dhe aleatët e saj kanë arritur të shkatërrojnë në vendin e tij.
Unë dyshoj për këtë.
Ajatollahu i kësaj jave është - siç e tha The New York Post - i pafuqishëm. Ndoshta edhe fjalë për fjalë.
Pse nuk e lexoi vetë deklaratën e tij hakmarrëse? Pse u lexua ajo për të në televizionin shtetëror iranian? Ndoshta sepse raportohet se Ajatollahu ndodhet në koma në spital, pasi i është amputuar një këmbë pas njërit prej sulmeve të udhëhequra nga ShBA-ja.
Ka edhe shenja të tjera që e gjithë perandoria e terrorit e Ajatollahut po shpërbëhet.
Ajo që ka mbetur nga ushtria e tij në Liban bëri gabimin të lëshonte “raketa solidariteti”. Si kundërpërgjigje, Forcat Ajrore izraelite goditën stacionet e mbetura të Hezbollahut në Liban - përfshirë në Bejrut.
Tani, më në fund, qeveria e Libanit është ngopur. Me Iranin.
Për katër dekada, ushtria e Iranit e ka shkatërruar Libanin. Ajo nuk ka sjellë asgjë tjetër veç luftë dhe përçarje për popullin e vuajtur të atij vendi.
Dhe, kështu, këtë javë, qeveria libaneze, e udhëhequr nga presidenti Joseph Aoun dhe kryeministri Nawaf Salam, njoftoi se po e nxjerr jashtë ligjit Hezbollahun. Ata kanë ndaluar aktivitetin ushtarak të grupit brenda vendit të tyre dhe kanë premtuar të ndjekin penalisht këdo në Liban që është i përfshirë në aktivitete të Hezbollahut. Edhe grupet në Liban të cilat tradicionalisht kanë qenë aleate të Hezbollahut e kanë mbështetur këtë veprim.
Anëtarë të Parlamentit në Liban madje po bëjnë thirrje që sekretari i përgjithshëm i këtij muaji i Hezbollahut - Naím Qassem - të gjykohet për tradhti dhe për nxitje të kryengritjes kundër shtetit të Libanit.
Do të shohim nëse qeveria libaneze është në gjendje t’i çojë deri në fund këto kërcënime. Por, çfarëdo që të ndodhë, kjo është një kujtesë e faktit se lufta e presidentit Trump kundër regjimit në Iran po funksionon.
Përveç sukseseve ushtarake, ajo po shkakton një ndryshim në të gjithë rajonin. Ajo po i bashkon vendet dhe partitë kundër regjimit terrorist në Iran. Pjesërisht sepse rajoni është lodhur nga terrori iranian. Dhe, pjesërisht për shkak të teorisë së vjetër të kalit të fortë dhe kalit të dobët. Kjo do të thotë se kur njerëzit shohin një kalë të fortë, ata duan t’i bashkohen anës së tij. Kur shohin një kalë të dobët, qëndrojnë larg.
Aktualisht, Amerika dhe aleatët e saj janë kali i fortë në rajon. Ndërkohë, qeveria revolucionare islamike në Iran po bëhet, nga dita në ditë, një kalë gjithnjë e më i dobët.
Ka nga ata që, në mënyrë të kuptueshme, shqetësohen për disa aspekte të luftës. Janë të shqetësuar se mbyllja nga Irani e Ngushticës së Hormuzit shkakton rritje të çmimeve të naftës.
Por, sapo kjo luftë e shpejtë dhe taktike të përfundojë, ato çmime të naftës do të bien menjëherë.
Disa njerëz në Uashington duan që armiqësitë të pushojnë menjëherë. Disa të tjerë duan që ato të ndalen përpara se operacioni të përfundojë.
Natyrisht, askush nuk dëshiron që kjo luftë të vazhdojë as edhe një ditë më shumë se sa është e nevojshme. Por, kjo punë nuk mund të lihet përgjysmë.
Në fund të fundit, një president i ardhshëm amerikan mund të mos ketë vendosmërinë për t’i ndalur mullahët dhe ambiciet e tyre. Një ditë mund të kemi përsëri një Jimmy Carter ose një Joe Biden.
Trumpi me të drejtë e nisi këtë mision historik. Dhe, gjithashtu, ai është i vetmi person që do të jetë në gjendje ta përfundojë atë. Por, sipas kushteve të Amerikës. /Telegrafi/



























