Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të infermierit të përkushtuar, Hysni Neziri.

Në emër të Komunës së Drenasit dhe në emrin e tij personal, kryetari Lladrovci ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Neziri, kolegëve dhe gjithë atyre që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të ndjerin.


Hysni Neziri ishte një punëtor i devotshëm i shëndetësisë, i cili gjatë viteve të shërbimit të tij dha kontribut të çmuar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dobroshec dhe më pas në QKMF në Drenas. Me përkushtimin, profesionalizmin dhe humanitetin e tij, ai fitoi respektin e pacientëve, kolegëve dhe gjithë komunitetit.

Kryetari Lladrovci e ka kujtuar me respekt të veçantë kontributin e tij.

“Hysni Neziri do të kujtohet gjithmonë si një infermier i përkushtuar dhe njeri i urtë, i cili me shumë dashuri dhe përgjegjësi i shërbeu banorëve të Dobroshecit dhe më gjerë. Në QMF-në e këtij fshati ai ishte shembull i humanizmit dhe profesionalizmit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e bashkëfshatarëve dhe kolegëve të tij”. /Telegrafi/