Ka ndërruar jetë 16 vjeçari i cili dyshohet se u plagos nga zyrtari policor, Fatjon Hoti më 16 korrik, në Istog.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Sipas tij, prokurori i Shtetit ka urdhëruar të bëhet obduksioni i trupit.
“Ka ndërruar jetë viktima. Prokurori i shtetit ka urdhëruar të bëhet obduksioni”, tha Nikçi.
Ndryshe, personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”, kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Hetuesit e IPK-së së bashku me Njësitin e forenzikës, Njësinë rajonale të hetimeve dhe njësi të tjera do të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur incidenti në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës. /Telegrafi/