Çmimi i naftës në Kosovë po vazhdon të rritet nga dita në ditë. Sot një litër naftë në shumë prej pompave të derivateve po kushton 1.82 euro.
Përveç naftës është shtrenjtuar edhe çmimi i benzinës, i cili sot ka arritur në 1.84 euro.
Dje gjatë ditës çmimi për një litër naftë kishte shkuar në 1.75 euro, kurse benzina ishte 1.77 euro.
Për një javë çmimet e derivateve janë rritur për 15 centë.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani dje ka deklaruar për Telegrafin se këto çmime janë të larta për gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Rritja e çmimit të naftës nisi që nga pushtimi rus i Ukrainës, pas të cilit zhvillim Perëndimi ndërmori sanksioneve ndaj Rusisë, një prej furnizuesve më të mëdhenj të Evropës me naftë.
Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.
Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve, është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë. /Telegrafi/