Uran Ismaili: Zgjidhjet për Prishtinën nisin jetësimin nga e hëna

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin Pressing në T7, tha se qëllimi i tij në këtë garë nuk është të mbushë egon personale me projekte milioneshe e të parealizueshme, por t’u shërbejë qytetarëve me zgjidhje të menjëhershme për problemet e përditshme.
“Nuk ka projekt më të madh në Prishtinë sesa zgjidhja e problemeve të qytetarëve,” tha Ismaili, duke theksuar se prioritetet e tij janë të lidhura ngushtë me realitetin dhe me nevojat urgjente të kryeqytetit.
Ai kritikoi kryetarin aktual Përparim Rama për premtime të pambuluara financiarisht, duke përmendur se “po premton projekte që kapin vlerën e 500 milionë eurove, ndërkohë që çdo vit i kanë mbetur pa u shfrytëzuar 25 milionë euro nga buxheti i komunës”.
“Ti s’ke mujt me i shfrytëzu 25 milionë euro të tuat, e po më premton projekte nga 500-550 milionë euro?”, tha Ismaili, duke shtuar se qytetarët e Prishtinës nuk kanë nevojë për utopi, por për zgjidhje reale.
Ai u kundërpërgjigj ndaj atyre që i quajnë projektet e tij “të vogla”:
“Të vogla? Prishtina është e mbuluar me papastërti, me tufa qenësh endacakë, me trafik të përditshëm, e ti po më premton diçka që as nuk e ke nisë e as nuk do ta bësh?” Në fund, Ismaili theksoi se Prishtina është qyteti i tij i vetëm, ku ai jeton dhe ku do të vazhdojë të jetojë dhe se brengat që ka ai janë brengat që kanë qytetarët e Prishtinës çdo ditë.



















































