Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka reaguar lidhur me kërkesën e KESCO-s, e cila ka bërë kërkesë tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave për 21 për qind.

Rizvanolli është deklaruar se ende nuk ka vendim për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, duke theksuar se lajmet e publikuara lidhen vetëm me kërkesën e furnizuesit dhe operatorëve, e jo me një vendim të marrë, raporton KosovaPress.


Ajo tha se vendimi eventual do të merret vetëm pasi ZRRE të publikojë raportin konsultativ, ndërsa do të analizojë atë dhe do të japë komentet e saj, ashtu si çdo vit.

“Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatoreve të tjerë, por nuk ka një vendim ende. Ndërsa duhet pasur parasysh disa zhvillime që janë objektive në sektor të energjisë që do të mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Në Korporatën Energjetike të Kosovës vitin e kaluar kanë filluar investime në modernizim dhe rehabilitim që nuk janë bërë për 40 vite. Kjo do të thotë që për këto vite, vjet, sivjet dhe vitin e ardhshëm ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen, është e domosdoshme të ndalen për një kohë për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen”, tha Rizvanolli.

Ajo shtoi se kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme.

“Është investimi i parë serioz që po bëhet në KEK pas 40 viteve...Kjo është një arsyeje pse vjet është dashur të importojmë më shumë, pra, ka arsyeje objektive pse importi është rritur, pse importi pritet të jetë i lartë edhe gjatë këtij viti, mirëpo edhe gjatë vitit të ardhshëm”, ka theksuar Rizvanolli.

Rizvanolli foli edhe për rritjen e importit të energjisë, duke e cilësuar atë si pasojë të zhvillimeve objektive në sektorin energjetik, veçanërisht investimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Sipas saj, në KEK kanë filluar investime serioze në modernizim dhe rehabilitim, të parat pas 40 vitesh, çka ka bërë që blloqet të ndalen për disa muaj.

“Sa i përket kërkesës dhe vendimit eventual, ose sa i përket çmimit të tarifave të energjisë elektrike, do të shohim raportin konsultativ kur ZRRE do të publikojë atë, në këtë fazë nuk mund të themi asgjë,. ZRRE i vlerëson këto shpenzime që ata konsiderojnë që janë të arsyeshme”, ka thënë Rizvanolli.

Këto komente Rizvanolli i bëri gjatë ceremonisë së përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në Shkollën e Mesme Ekonomike ‘Isa Boletini’ në Podujevë.

Ndërsa, një grup aktivistësh/esh, Kolektivi Feminist dhe Përpjekja, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike, raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet këtë të premte, duke nisur nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, për të vazhduar më pas drejt Qeverisë së Kosovës.

KESCO ka bërë kërkesë tek Zyra e Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave për 21 për qind. ZRRE, është në proces të shqyrtimit të këtij aplikacioni. /Telegrafi/