Pusteci, një nga vendbanimet më piktoreske në juglindje të Shqipërisë, gjithnjë e më tepër po fiton vëmendje. Kjo hapësirë ofron një kombinim unik të natyrës së virgjër, historisë së lashtë dhe kulturës së pasur.

Liqeni i Prespës me ujin e kristaltë dhe peizazhet e mrekullueshme, është magnet për turistët që kërkojnë qetësi dhe relaks. Rrethuar me male të larta dhe pyje të gjelbëruara, zona është perfekte për ecje në natyrë, shëtitje me varkë, vrojtim të zogjve pasi është pjesë e një prej zonave më të rëndësishme të biodiveristetit në Ballkan.


Veç kësaj, në këtë zonë ndodhen objekte me vlera të mëdha historike, si kisha të lashta të periudhës bizantine, shpella të gdhendura në shkëmb dhe rrënoja që dëshmojnë për një të kaluar të pasur.

“Deri në muajin maj në Bashkinë Pustec kanë ardhur rreth 13 mijë turistë. Përgjithësisht e frekuentojnë francezët, gjermanët, por kemi edhe holandez, austriak, polakë, çek dhe nga vendet e Ballkanit. Prespa ofron një kulinari ndryshe, ku vihet kryesish për mënyrën e gatimit të tavës së krapit që nuk bëhet në asnjë vend tjetër”, u shpreh Llazi Stojani, specialist mjedisi në Bashkinë e Pustecit.

Së fundmi zona u vizitua nga një grup turistësh gjermanë.

“Grupi vjen nga vende të ndryshme të Gjermanisë, janë grupe që i shoqëroj dhe vijnë me shumë dëshirë në vendin tonë. Vizita e sotme është më e veçanta pasi jemi në parkun kombëtar të Prespës”, u shpreh Alfred Abazi, operator turistik.

“Nuk kam qenë më parë këtu dhe qenka një vend i mrekullueshëm. Mund të relaksohesh në këtë natyrë magjepsëse”, tha një turiste gjermane.

Vizitorët mund të qëndrojnë në bujtina tradicionale dhe të shijojnë gatime lokale me produkte bio./RTSH