Tubimi i PD-së në Tiranë, Policia u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga veprimet e kundërligjshme

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi të shtunën, në orën 17:00 para Kryeministrisë.
Në njoftim thuhet se Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e premte dhe të shtune do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
Nga ora 23:45, e premte do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”,
Nga ora 15:00 e së shtunës deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia thekson tutje se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. /Telegrafi/




















































