Trump vlerëson Japoninë, i ofron 'çdo gjë që dëshiron' ndërsa nënshkruajnë marrëveshje mbi tregtinë dhe metalet e rralla

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe udhëheqësja e parë femër e Japonisë, Sanae Takaichi, nënshkruan marrëveshje të martën në lidhje me tregtinë dhe metalet e rralla.
Trump vlerësoi aleancën e SHBA-së me Japoninë, duke e përgëzuar Takaichi-n për planet e saj për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
"Çdo gjë që dëshironi, çdo favor që ju nevojitet, çdo gjë që mund të bëj për të ndihmuar Japoninë, ne do të jemi aty", citohet të ketë thënë Trump. "Ne jemi një aleat në nivelin më të fortë".
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, deklaratat e Trump erdhën gjatë një vizite në Azi, ku Kina është në fokus.
Trump tha të hënën se SHBA-të dhe Kina janë gati të "arritin" një marrëveshje tregtare përpara takimit të tij me Xi Jinping të Kinës.
Samiti i Trump me Xi është caktuar për të enjten në Korenë e Jugut, me një fundjavë bisedimesh paraprake që krijojnë optimizëm për një marrëveshje, siç raportoi Ben Werschkul i Yahoo Finance.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent tha se nuk parashikon që kërcënimi i Trump për tarifa shtesë 100% ndaj Kinës të hyjë në fuqi më 1 nëntor.
Bessent theksoi gjithashtu se pret që Kina të ringjallë blerjet e sojës amerikane dhe të vonojë kufizimet e saj të eksportit për metalet e rralla me një vit.
Në anën tjetër, media shtetërore kineze konfirmoi se bisedimet e fundjavës në Malajzi dhanë përparim, duke përshkruar një "konsensus bazë mbi marrëveshjet". /Telegrafi/










































