Trump thotë se testimi i raketave nga Rusia nuk ishte “i përshtatshëm”

Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se njoftimi i homologut të tij rus Vladimir Putin për një test rakete me energji bërthamore nuk ishte “i përshtatshëm”.
“Ai duhet t’i japë fund luftës (në Ukrainë). Një luftë që duhej të kishte zgjatur një javë tani është së shpejti në vitin e saj të katërt. Kjo është ajo që ai duhet të bëjë në vend që të testojë raketa”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Putin të dielën njoftoi testin e suksesshëm përfundimtar të raketës Burevestnik, e cila tha se ka “rreze veprimi të pakufizuar”.
Rusia ka testuar raketën e saj bërthamore Burevestnik, një armë me kapacitet bërthamor që Moska thotë se mund të depërtojë në çdo mburojë mbrojtëse.
Gjenerali më i lartë i Rusisë, Valery Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Rusisë, i tha Putinit se raketa udhëtoi 14,000 km (8,700 milje) dhe qëndroi në ajër për rreth 15 orë kur u testua më 21 tetor.
Kujtojmë se Trump kishte premtuar të përfundonte shpejt luftën në Ukrainë pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, por bisedimet midis Moskës dhe Kievit kanë ngecur pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësimit të presidentit amerikan. /Telegrafi/

















































