Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se tarifat përfundimtare për mallrat nga Kina "nuk do të jenë afër" normës aktuale prej 145%, dhe do të "uleshin ndjeshëm".

Gjatë një konference për shtyp në Zyrën Ovale të martën, Trump u tha gazetarëve se "145% është shumë e lartë dhe nuk do të jetë aq e lartë".


"Do të ulet ndjeshëm, por nuk do të jetë zero", ka shtuar ai, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Komentet e presidentit ishin në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, i cili tha më herët të martën se tarifat midis Kinës dhe SHBA-së në thelb kanë krijuar një embargo tregtare.

Trump tha se SHBA-të “do të jenë shumë të mira me Kinën, do të kenë një marrëdhënie të shkëlqyer me presidentin Xi”.

Megjithatë, ai nuk dha më shumë detaje nëse ishte në negociata me Pekinin për tarifat.

Javën e kaluar, Trump tregoi se ai mund të mos rrisë më tej tarifat ndaj Kinës, edhe nëse Kina vazhdon ta bëjë këtë, duke thënë se ka një pikë në të cilën "njerëzit nuk blejnë".

Trump vendosi një tarifë 10% ndaj Kinës në shkurt. Ai tha se tarifa kishte për qëllim frenimin e fluksit të drogës nga Kina në SHBA.

Që atëherë, të dy vendet kanë kaluar javë të tëra duke vendosur tarifa hakmarrëse ndaj njëri-tjetrës, duke përshkallëzuar tensionet tregtare.

Tarifat amerikane për mallrat nga Kina tani janë 145%. Kina është kundërpërgjigjur me tarifa 125% për mallrat e prodhuara nga SHBA.

Trump ka përdorur tarifat si një strategji negocimi.

Më 3 prill, ai theksoi se do të ishte i hapur për uljen e tarifave ndaj vendeve nëse ata do të ishin të gatshëm t'i jepnin SHBA-së "diçka që është kaq fenomenale".

Ai ofroi një lehtësim tarifash për Kinën nëse kjo e fundit binte dakord për një marrëveshje për TikTok.

ByteDance e Kinës, e cila zotëron TikTok, përballet me një afat të afërt për të hequr dorë nga aplikacioni ose për ta ndaluar atë në SHBA. /Telegrafi/