Truket befasuese kundër rrudhave: Dermatologët zbulojnë çfarë funksionon vërtet

Dermatologët theksojnë se sekreti i një fytyre rinore nuk qëndron tek trajtimet e shtrenjta, por tek zakonet e vogla që secili prej nesh mund t’i adoptojë
Të gjithë dëshirojmë që lëkura të mbetet sa më gjatë e lëmuar dhe e tonifikuar, por rrudhat shfaqen pashmangshëm me kalimin e kohës. Megjithatë, sipas dermatologëve, ekzistojnë disa zakone të thjeshta dhe befasuese që mund ta ngadalësojnë këtë proces dhe ta bëjnë fytyrën të duket më e freskët e më e re. Nuk bëhet fjalë për trajtime të kushtueshme, por për zakone të vogla me ndikim të madh, që nga pozicioni i gjumit, kremrat që përdorim, e deri te përbërësit e fuqishëm si retinoidet dhe vitamina C.
Rrudhat nuk mund të zhduken përgjithmonë, por mund të mësojmë si të ngadalësojmë shfaqjen e tyre. Kujdesi i vazhdueshëm, zakonet e shëndetshme dhe përzgjedhja e duhur e përbërësve janë kombinimi që e mban fytyrën sa më gjatë të freskët, të tonifikuar dhe rinor.
Rregullat bazë të kujdesit për lëkurën
Nëse dëshironi që lëkura të mbetet e freskët dhe elastike për një kohë të gjatë, nisni nga gjërat më të thjeshta: shmangni ekspozimin në diell, përdorni çdo ditë krem me SPF, zgjidhni rroba me mëngë të gjata gjatë verës, mos pini duhan dhe aplikoni rregullisht krem hidratues. Janë pikërisht këto zakone të vogla, të përsëritura me konsekuencë, që sjellin ndryshimin më të madh.
Flini në shpinë
Pozicioni i gjumit ndikon në formimin e rrudhave. Fjetja anash krijon rrudha në faqe dhe mjekër, ndërsa fjetja barkas shkakton vija në ballë. Opsioni më i mirë për ta mbajtur lëkurën e lëmuar është gjumi në shpinë.
Mos i tendosni sytë
Tendosja e vazhdueshme nxit krijimin e vijave rreth syve. Nëse ju duhet ndihmë, përdorni syze leximi dhe mos harroni syzet e diellit - ato mbrojnë lëkurën rreth syve dhe parandalojnë tendosjen, transmeton Telegrafi.
Mos e teproni me larjen e fytyrës
Larja e shpeshtë largon vajrat natyralë që mbrojnë lëkurën nga rrudhat. Përdorni pastrues të butë në formë xheli ose kreme dhe gjithmonë përfundoni kujdesin me krem hidratues.
Vitamina C, eliksiri i rinisë
Kremrat me vitaminë C stimulojnë prodhimin e kolagjenit, reduktojnë njollat, skuqjet dhe tonin e pabarabartë të lëkurës. Forma më efikase është acidi L-askorbik, i njohur për efektin e fuqishëm anti-age.
Retinoidet, standardi i artë kundër rrudhave
Retinoidet, derivatë të vitaminës A, janë prej dekadash armët më të forta dermatologjike kundër plakjes. Ato nxisin prodhimin e kolagjenit, zbusin rrudhat dhe vijat e holla, barazojnë tonin dhe rikthejnë elasticitetin. Disponohen në formë kremi, xheli dhe serumi. Formulat më të forta (si tretinoin - Retin-A) merren me recetë, ndërsa retinoli më i butë gjendet pa recetë. Aplikohen në mbrëmje, në sasi të vogla, pasi teprimi shkakton skuqje dhe tharje. Rezultatet nuk janë të menjëhershme, ndryshimet e para shihen pas 3 muajsh, ndërsa efektet më të mira pas 6-12 muajsh. Retinoidet nuk rekomandohen për gratë shtatzëna dhe gjidhënëse, por për të tjerët mbeten standardi i artë në luftën kundër rrudhave.
Kakao në vend të kafesë
Një studim klinik i publikuar në Current Issues in Molecular Biology (2024) tregoi se konsumimi ditor i 4 g pluhur kakao për 12 javë rriti ndjeshëm hidratimin e lëkurës (4,48% krahasuar me 2,99% në grupin placebo), përmirësoi prodhimin e acidit hialuronik dhe rriti aktivitetin e enzimave antioksidante në lëkurë, çka kontribuon në mbrojtjen dhe pamjen më rinore të saj. Prandaj, herën tjetër kur të dëshironi një kafe, provoni një filxhan kakao të ngrohtë. /Telegrafi/




















































