Ermal Krasniqi, që po luan me sukses te Cluj, ka tërhequr vëmendjen edhe të trajnerit të njohur italian, Maurizio Sarrit që drejton Lazion.
Lazio dhe Cluj do të takohen të enjten nga ora 21:00 në “Stadio Olimpico” të Romës, në ndeshjen play-off të Ligës së Konferencës.
Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, e ka vlerësuar lart Krasniqin, i cili pritet t’i prijë sulmit të Clujit ndaj ekipit italian.
“Në garat evropiane nuk ka ndeshje të lehta, pavarësisht kundërshtarit. Cluji është një ekip që duhet ta respektojmë dhe të tregohemi të kujdesshëm ndaj tij. I kam shikuar disa prej ndeshjeve të fundit të Clujit dhe mund të them se bëhet fjalë për një ekip të kompletuar në çdo aspekt, sidomos i fortë në lojën prej krahëve”.
“Cluji ka në radhët e veta dy apo tre lojtarë të nivelit të lartë, përfshirë edhe Krasniqin. Ai është një lojtar shumë i fortë që luan në krahun e majtë dhe i cili është gati për ndeshje dhe kundërshtar të mëdhenj”, ka thënë Sarri në konferencë për shtyp.
Krasniqi do të debutojë me Clujin në garat evropian, ndërsa këtë sezon ai ka luajtur në Ligën e Konferencës, por me fanellën e Ballkanit ku në pesë ndeshje të fazës së grupeve me Ballkanin, ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim.
Cluj e ka ofruar Ermal Krasniqin nga Ballkani për 300 mijë euro./Telegrafi/