Jemi në Prishtinë. Rrijmë ca shokë të dikurshëm nga Rilindja dhe befas e rrokim llafin për mikun tonë, rebelin siç e quanim, ose ai si “bomba pa kapsulë”, por që filloi së shkruari në nisje me poezi derisa ishte nxënës i fillores në Gjakovë. Shumë shpejt bëri emër dhe në revistën (libër) që botohej në çdo dy muaj e që e drejtonte njeriu dhe poeti i mirë e i urtë Esat Mekuli. Ua kaloi shokëve dhe nga horizontet e fillestarëve doli nga të vjetrit me Enver Gjerqekun, Fahredin Gungën, Din Mehmetin, Rexhep Hoxhën, Qerim Ujkanin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë e të tjerë që aso kohe shkruanin poezi të pashoqe që mbahej mend për shumë kohë… Ne në Kosovë ishim dhe krijonim në një atmosferë bukur liberale krahasuar me Shqipërinë që Nana Parti ua diktonte sa rradha duhej shkruar e ku duhej ndalur e çka duhej madhëruar, çka tjetër pos Xhaxhin dhe Nanën Parti!
E kam fjalën për shokun tim të femërisë, Teki Dervishi, i cili ishte i pakuptueshëm për brezin e vet për veprimet që kryente. Para tij të gjithë ishin njësoj si shoku moshatar, si drejtori i gjimnazit me të cilin njëherë u rrok edhe fizikisht dhe e përjashtuan nga shkolla për të vazhduar 40 kilometra në perëndim të Gjakovë. Pra, dy vjet gjimnaz i vazhdoi në Pejë së bashku me profesorin “e papërshtatshëm” të gjuhës shqipe, Avni Lama.
Tekiu që nuk e hapi zemrën me ne moshatarët, iu rrek çështjes kombëtare si gjimnazist dhe iu bashkua Grupit të Demaçit për Rrafshin e Dukagjinit. Një mëngjes qershori të vitit 1964, e kapën policia jugosllave, pa i mbushur të 19-tat dhe e burgosën ku i kaloi disa muaj në Burgun e Qarkut në Pejë. Thonë se Tekiu anipse i ri, qëndroi burrërisht dhe nuk i dha emrat e shokëve të tjerë. Dhe i vetmi nga dy grupet, atij të Dukagjinit dhe tjetrit të Rrafshit të Kosovës, ia dhanë tre vjet burg të cilat i kaloi në Burgun famëkeq të Goli Otokut në bregdetin e Kroacisë, në një ishull mes deti…
Ky ishte fillimi i Tekiut, e më pastaj vazhdoi me njëmijë halle. Duke qenë i padëshirueshëm në Prishtinë, e transferuan në Shkup ku si korrektor e lektor për disa vjet punoi në gazetën shqipe Flaka e Vllaznimit … Si lektor “e transferuan” sërish në Prishtinë në Redaksinë e botimit të librit në “Rilindje”, ku me Anton Pashkun e Fahredin Gungën e të tjerë filloi t’ i kthehet të të shkruarit me gjithë forcën…
Botoi poezi, tregime, romane, por u shqua më së miri si dramaturg. Ata që e njohin këtë lëmi letërsie thonë se Tekiu ishte ndër të rrallët me fjalën e fuqishme, me idenë e zgjedhur, me porosinë e pastër dhe u pëlqye por edhe u lavdërua nga shikuesi e veçmas nga kritika e teatrit…
Por, ja qe Teki, miku i dërmuar dhe i sëmurë që nga ditët e burgut, e lëshoi shëndeti dhe vdiq në kohën më të mirë. Pata shkuar njëherë ta vizitoj në Spitalin e Prishtinës. Çka të shoh, kishte dalë nga kiafeti i njeriut, as një grusht njeriu s’ kishte mbetur!
Eja këtu, afroma veshin, më tha më të shtjerrur. Dëgjo mirë ,ti e di se sa i çkujdesur kam qenë tërë jetës? I kam mbi 14 vepra të shkapërderdhura nëpër kompjuter…Mos harroni, t ‘i nxjerrni, t ia afroni ndonjë botuesi! Dhe ktheu kokën nga muri…
Këto fjalë ua kishte thënë edhe miqve të tjerë, si Bahri Gojanit, shkrimtarit Hasan Hasanit, po ashtu mikut dhe shkrimtarit Ibrahim Kadriu, gazetarit nga Bota Sot e para luftës Bajrush Morina e disa të tjerëve… Dhe, u varros në Gjakovë, pa ceremoni mortore, vetëm me familjarët e tij, mu ashtu siç e kishte lënë amanetin e fundit…
Por, a i mbetëm borxh Teki zhurmaxhiut e si bomba pa kapsollë? Po, madje thuase e kemi harruar koxha si shpejt dhe shumë e tash thuase nuk na bie fare ndërmend për te!
Kështu jemi ne shqiptarët, jo vetëm për të gjallët, por për të vdekurit hiç se hiç nuk na shkon mendja ani pse ka të atillë të gjallë gjatë historisë që kanë jetuar më gjatë se të gjallët e tjerë!
Vallë çka u bë me fatin e shkrimeve të tija, ato që kishin mbetur nëpër kompjuterë të ndryshëm gjatë viteve të fundit? Krejt çka u tha dhe që dëgjova edhe unë nga goja e një ish ministri të Kulturës, se janë nxjerr dorëshkrimet e 10 librave, por se puna ka ngelur në gjysmë për shkak të mungesës së mjeteve dhe disa mosmarrëveshjeve që, sipas meje, janë të zgjidhshme nëse angazhimi është këmbëngulës dhe i sinqertë për të drejtat e autorit.
T’ua them shkurt, fjala është për rreth 15 mijë euro të cilat duhet shtuar për ta kompletuar botimin e 10 librave të Teki Dervishit. E që bëjnë të tërat 40 mijë euro. Janë shumë, por nuk janë shumë për një krijues të kalibrit të Tekiut, për një Ministri të Kulturës, se ato dhjetë libra që janë thesar i vërtetë për letërsinë shqiptare, e veçmas dramaturgjinë (ku dorën në zemër na mungojnë tekste të kalibrit të Dervishit…)
E pse të mos hatrohemi në kriteret e institucioneve, por më shumë qeveritarëve të Kosovës se kur ishte fjala për të tilla botime janë ndarë e dhënë pa hamendje për dy komplete të dy personaliteteve edhe pesëfishi i këtyre mjeteve që lypsen për të parë dritë vepra e Teki Dervishit!
Emri i Tekiut që gjithnjë e më shumë po harrohet! Si në Prishtinë e fatkeqësisht edhe në vendlindjen e tij në Gjakovë… Asnjë manifestim me emrin e tij, as një rrugë madje qorrsokak, as në Prishtinë e as në Gjakovë, e lëre më ndonjë bibliotekë le të jetë edhe e fshatit ku ai ka shërbyer në rininë e tij në Malishevë.
Nuk e ka emrin e tij që nuk e meritoi këtë harresë… Nuk e ka merituar kështu poeti, eseisti, shkrimtari e dramaturgu i njohur Teki Dervishi!
T’ia vëmë gishtin kokës, as njerëzore e aq më pak civilizuese andej nga jemi përcaktuar ta vazhdojmë rrugën e së nesërmes, por me këto botëkuptime vështirë se do ta kalojmë mirë…Të shohim çka po sjellë koha. Vetëm nëse ndryshojmë diçka në vetëdijen tonë! Të lutemi pra! Amen!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët