Topi dhe Berisha, mesazhe urimi në dyvjetorin e pavarësisë

Në mesazhin e presidenti Topi dërguar presidentit Sejdiu ndër të tjera theksohet: “Me rastin e përvjetorit të dytë të Ditës së Pavarësisë, kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju dërgoj Juve dhe gjithë popullit të Kosovës, urimet më të ngrohta dhe më miqësore!”
“Kjo ditë e gëzueshme për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, më jep rastin të rikonfirmoj vullnetin maksimal për vazhdimësinë dhe forcimin e lidhjeve të forta dhe qëndrueshme, shumëplanëshe, që ekzistojnë midis dy vendeve tona, si dhe t’ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj në mbështetje të njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe realizimit të aspiratës euroatlantike”, thuhet më tej në mesazhin e Topit.
Ndërkaq, në mesazhin e kryeministrit Berisha dërguar homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi thuhet: “Kremtimi i përvjetorit të dytë të ngjarjes me rëndësi historike për mbarë kombin, Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më jep rastin e lumtur, që, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, t'Ju përcjell Ju dhe, nëpërmjet Jush, të gjithë popullit të Kosovës përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe urimet më të mira e vëllazërore për përparimin e vazhdueshëm të shtetit më të ri të Europës, të lirë e demokratike, dhe për begatinë e qytetarëve të saj”.
Në këtë jubile feste, vijon më tej mesazhi i Berishës, “më lejoni, i dashur zoti Kryeministër, t'Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi plotësisht të vendosur e të angazhuar që marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, që ekzistojnë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të njohin zhvillime të reja pozitive, duke u pasuruar e zhvilluar më tej, në të gjitha fushat, në dobi të popujve tanë vëllezër, në shërbim të paqes e të stabilitetit, si dhe në funksion të realizimit të vizionit tonë të përbashkët, për integrim europian e euroatlantik, duke u shndërruar kështu në shembullin më të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërshtetëror në rajon e më gjerë”. /Telegrafi/

















































