Nëndetësja Titan e OceanGate shpërtheu gjatë udhëtimit të saj drejt rrënojave të anijes Titantik për shkak të inxhinierisë së dobët dhe dështimeve të shumta për të testuar anijen, sipas një raporti zyrtar.

Titani shpërtheu në qershor të vitit 2023, duke vrarë të pesë pasagjerët në bord, përfshirë drejtorin ekzekutiv të OceanGate.


Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit i SHBA-së (NTSB) zbuloi se procesi inxhinierik pas automjetit ishte "i pamjaftueshëm", duke rezultuar në defekte që do të thoshin se ai nuk përmbushte kërkesat e forcës dhe qëndrueshmërisë.

NTSB tha se, meqenëse kompania nuk e testoi në mënyrë adekuate Titanin, ajo nuk e dinte forcën e saj të vërtetë.

Gjithashtu, nuk ishte në dijeni se ishte dëmtuar dhe duhej të ishte hequr nga shërbimi para udhëtimit të saj të fundit.

Bëhet e ditur se Titan shpërtheu në Atlantikun e Veriut ndërsa përpiqej të zhytej drejt rrënojave të Titanikut, i cili ndodhet rreth 598 kilometra nga St. John's në Newfoundland dhe Labrador në Kanada.

Në gusht, Roja Bregdetare e SHBA-së publikoi një raport dënues mbi shpërthimin, i cili zbuloi se incidenti ishte "i parandalueshëm" dhe kritikoi praktikat e sigurisë "tepër të gabuara" të OceanGate.

Ndryshe, sipas rregulloreve amerikane, është e paligjshme të transportosh pasagjerë në një nëndetëse eksperimentale. /Telegrafi/