Teuta nuk ia ka dalë ta çojë deri në fund mrekullinë në Ligën Ballkanike në basketboll për meshkuj. Skuadra durrsake që ishte në pjesëmarrjen e saj të parë në këtë eveniment arriti të kalojë në finalen, ku u përball me skuadrën e Blokotehnës, ndaj së cilës humbi (82-68).
Në këtë mënyrë, skuadra maqedonase që u shpall kampione e Ballkanit, ndërkohë që skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali u kënaq me medaljen e argjendtë
Që në fillim u duk se Teuta do ta kishte mjaft të vështirë për të fituar këtë finale pasi skuadra e Blokoteknës e vuri kontrollin e saj në parket shumë shpejt teksa fitoi çerekun e parë (25:9).
Teuta pati momente më të mira në dhjetëminutëshin e dytë, të cilin e fitoi (21:17_ duke e reduktuar disi disavantazhin në këtë finale teksa skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me rezultatin 42-30 për maqedonasit.
Me rikthimin në parket, Blokotehna e thelloi akoma më shumë diferencën në pikë, pasi e mbylli fraksionin e tretë 28:15 duke e çuar rezultatin përpara fillimit të 10 minutëshit të fundit 70-45.
Në çerekun e katërt të ndeshjes, u pa një Teutë shumë më e saktë në lojën e saj e cila arriti të fitojë këtë fraksion të lojës 23:12, por për durrsakët ishte shumë vonë, pasi sfida u mbyll me rezultatin 82-68 në favor të Blokotehnës që u shpall kampione e Ballkanit.
Është kjo një humbje që gjithsesi nuk ia zbeh meritat skuadrës së Teutës për të cilën edhe kjo medalje e argjendtë është një sukses i rëndësishëm pasi tregon formën mjaft të mirë të shfaqur në këtë eveniment.