Tesla po zgjeron fabrikën në afërsi të Berlinit
Tesla zgjeron fabrikën evropiane, pavarësisht rënies së shitjeve.
Tesla po vazhdon të zgjerojë fabrikën e saj në Evropë, edhe pse kompania po përballet me një rënie të shitjeve.
“Ky është një përgatitje për rritjen e mëtejshme të prodhimit në fabrikë”, deklaroi Alexander Riederer, drejtues i zhvillimit të biznesit, për Bloomberg.
Të enjten u publikua lajmi se kompania kineze BYD e kishte kaluar Teslën në shitje në tregun evropian gjatë muajit prill.
Aktualisht, Tesla ndodhet në një pikë kthese. Shumë po pyesin nëse rënia e shitjeve është e përkohshme, apo nëse klientët do të rikthehen pasi drejtori ekzekutiv Elon Musk të ketë zbutur aktivitetin e tij politik në SHBA, i cili ka qenë, për të thënë të paktën, kontrovers.
Pavarësisht vlerësimeve dhe pasigurive, Tesla ka nisur zgjerimin e fabrikës së saj në Grünheide, pranë Berlinit. Aktualisht, kjo fabrikë ka kapacitetin për të prodhuar 5000 njësi të Modelit Y në javë. Me zgjerimin, prodhimi pritet të dyfishohet, ndërsa fabrika do të përfitojë edhe nga përmirësime në logjistikë dhe një kapacitet më i madh për prodhimin e baterive.
Ndërkohë, politikanët në landin gjerman ku ndodhet fabrika e Teslës po inkurajojnë publikun që të blejnë sërish automjete të kësaj marke.
Në Gjermani, mbështetja publike e Elon Musk për partinë e djathtë ekstreme AfD ka ngjallur shumë reagime. Shumica e konsumatorëve të Teslës nuk i përkasin spektrit politik të ekstremit të djathtë. /Telegrafi/





























