Site icon Telegrafi

Territori i Komunës së Prishtinës pa vatra të zjarrit

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, thotë se në Komunën e Prishtinës tash për tash nuk ka asnjë vatër të zjarrit.

Ai tha se stafi i kufizuar dhe terrenet e papërshtatshme janë sfidat me të cilat përballen çdo ditë pjesëtarët e kësaj brigade.

Ditëve të fundit në disa vende të Kosovës ka pasur një përfshirje të zonave pyjore nga zjarri. Një situatë e tillë ka qenë edhe në Komunën e Prishtinës me rrethinë, ku vetëm në tri ditët e fundit, Brigada e Zjarrfikësve ka pasur mbi 50 intervenime.

Komandanti i Brigadës, Latif Zeka, thotë se intervenimet kanë qenë kryesisht në zonat fushore dhe malore.

“Për momentin është shumë qetë. Nga e premtja deri të hënën i kemi pasur në Prishtinë 31 zjarre e në komunat përreth, të cilat i mbulojmë, janë 52 zjarre. Na vjen shumë vështirë dhe nuk po kemi mundësi t’i mbulojmë të gjitha rastet që po na thirrin, por po bëjmë përpjekje që diku rreth 80 qind ta mbulojmë ashtu siç duhet”, tha ai, për RTK.

Brigada e Zjarrfikësve aktualisht ka 99 punëtorë, shumica prej tyre të moshës mbi 51 vjeç. Ajo mbulon Prishtinën, Fushë-Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën.

Komandant Latifi thotë se zjarret po shkaktohen nga pakujdesia e faktorit njeri,  ndërsa thekson se mungesa e stafit është një sfidë më të cilën përballen çdo ditë.

“Veç Komuna e Prishtinës duhet t’i ketë së paku 150 zjarrfikës, edhe tri komunat e tjera që i mbulojmë duhet t’i kenë zjarrfikësit në proporcion me popullatën. Me ligj është paraparë që në 1 mijë e 500 banorë, duhet të jetë një zjarrfikës”, theksoi ai.

Ndërsa profesori i agronomisë, Imer Rusionvci, thotë se ndezja e zjarreve me qëllim për të djegur mbeturinat apo për t’i eliminuar parazitët në tokat pjellore, është i dëmshëm dhe me rreziqe.

“Ky fenomen i shprehur duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë, dhe në veçanti në tokat e bukës, në tokat bujqësore mbetjet që ngelin në sipërfaqe duhet të përmbysen, të mineralizohen e assesi të ndizen”.

Ditëve të fundit në Kosovë janë shënuar shumë vatra të zjarrit në zona të ndryshme, kryesisht në Komunën e Kamenicës, Ranillukut, Suharekës dhe Prizrenit. Zjarret e ndezura kanë shkaktuar edhe djegien e aseteve elektroenergjetike, ka njoftuar zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Exit mobile version