Tërnava: Shefqet Krasniqi kërkoi falje për Nënën Tereze

“Shefqet Krasniqi e ka bërë një gafë në lidhje me këtë pohim. Ai ka ardhur te unë dhe më ka kërkuar falje”, ka thënë Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava .
Në emisionin Interaktiv të KTV-së ai tha se është distancuar nga një deklaratë e tillë, pasi që sipas tij, askush askënd nuk ka të drejtë ta fyej.
Tërnava ka pohuar se Shefqet Krasniqi nuk është ndëshkuar nga BIK-u në lidhje me këto pohime, përveç se i është tërhequr vërejtja.
Ternava ka thënë se Presidentja e Kosovës nuk e ka ofenduar islamin, të paktën ai nuk e ka dëgjuar kurrë këtë. Ndërsa, shton se se kanë qenë vetëm disa persona që kanë fishkëllyer presidenten dhe se kjo është rritur nga mediat.
Sa i përket çështjes së ferexhes së nxënëseve në shkolla, Tërnava ka bërë thirrje që të lejohet mbajtja e saj.
"Unë vetëm kërkoj që myslimanët e Kosovës të gëzojnë të drejtat që gëzojnë pakicat islame në vendet e Evropës" ka thënë Tërnava, cili shpreson se shpejt mbulesa dhe mësimi fetar do të lejohen në shkolla.
Tërnava ka theksuar se në Kosovë nuk ka vend për ekstremizëm dhe se ai nuk është kompetentë për të folur për një çështje të tillë. Mes tjerash ai ka treguar se merr 890 euro pagë mujore. Kjo, sipas tij, nuk është pagë e lartë, edhe pse mesatarja e pagës në Kosovë është shumë herë më e ulët. /Telegrafi/




















































