Tensione në Theth, banorët kundërshtojnë me forcë shembjen e bujtinave: Rama u bë armik i fshatit

Situata në Theth vijon e tensionuar nga shembja e disa objekteve pa leje.
Edhe këtë mbrëmje, banorët penguan vazhdimisht fadromat për të ndërhyrë në objekt.
Euronews Albania raporton se në fillim nga ky aksion u krijua ideja sikur mes banorëve dhe policisë së Shkodrës u arrit në një farë mënyrë negociatë për të liruar hapësirën dhe të nis shembja e objekteve. Por në fakt, janë pronarët e bujtinave të cilët nuk po e lejojnë të ndodh një proces i tillë. Banorët kanë vijuar diskutimet me policinë e Shkodrës me tone të larta pasi kanë pretendimet e tyre të cilat i kanë shprehur për ditë me radhë.
Mësohet se pronarët janë afruar pranë objekteve për të mos lejuar shembjen e tij, ndërkaq edhe policia është e vendosur. Nga ana tjetër ndodhet dhe një grup nga IKMT për të zhvilluar aksionin.
Përtej faktit se janë shtuar forcat e policisë, një tjetër detaj nga Thethi vjen se gjatë debateve, një nga pronaret e bujtinave është rënduar emocionalisht pas krijimit të një situate të tensionuar. Ai thekson se rrezikshmëria shtohet edhe për forcat e policisë që po ndërhyjnë në objekt, dhe kjo për shkak të errësirës.
Gjatë shkëmbimit të debateve, një nga banorët i drejtohet një zyrtari të policisë: “Kush po e bën dëmin më të madh, më trego llogjikën, po futesh dhe po i shemb, çfarë mund t’i bësh më shumë?”
Zyrtari i policisë përgjigjet në formë të tillë: “Më këtë që po bëni tani po bën dëm. Jam dashamirës si ju”, tha ai.

















































