Të moshuarit rikthehen në punë: 1 në 4 punëtorë në Shqipëri mbi moshën 65 vjeç

Boshllëqet e krijuara në tregun e punës po bëjnë që personat mbi 65 vjeç ose t’i rikthehen punës, ose të mos largohen nga vendi i tyre kur arrijnë moshën e pensionit.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë vitit 2024, rreth 25% e forcës së punës në Shqipëri përbëhej nga individë mbi 65 vjeç – një rritje prej gati 8% krahasuar me një vit më parë.
“Fakti që një pjesë e mirë e personave në moshë pensioni apo mbi moshën 60 vjeç janë pjesë e tregut, do të thosha se është së pari nga niveli i të ardhurave. Pra, ata kanë të ardhura të pamjaftueshme. Duan të jenë aktivë dhe kanë mundësi edhe për shkak të jetëgjatësisë, si dhe cilësisë së jetesës që ata bëjnë,” thotë ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.
Pedagogia rendit një sërë profesionesh ku këta persona po angazhohen gjithnjë e më shumë.
“… profesorë, mjekë, inxhinierë, arkitektë, të cilët edhe për shkak të kërkesës së tregut të punës për këto lloje profesionesh, janë të detyruar të jenë pjesë e tregut për të dhënë nivelin e eksperiencës, ekspertizën dhe profesionalizmin”, tregon znj. Radonshiqi.
Sektori i shërbimeve rezulton më i hapuri ndaj të moshuarve me arsim bazik.
“Kemi sektorë si edukimi, shëndetësia dhe ndërtimi, që kërkojnë individë me ekspertizë dhe profesionalizëm. Pensionistët që nuk kanë kualifikime gjatë jetës së tyre punojnë në sektorin e shërbimit,” thotë ekspertja.
Hapësirat në tregun e punës të krijuara nga grupmoshat më të reja, si dhe pensionet e ulëta po i nxisin të moshuarit gjithnjë e më shumë drejt punës.
Nga ana tjetër puna pas pensionit është tashmë e pranishme pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, përfshirë edhe në atë publik, ku rritja e pagës mesatare në vitet e fundit po shërben si një si stimul për të mos u shkëputur nga marrëdhënia e punës./RTSH







































