LAJMI I FUNDIT:

Të mërkurën “Dukagjini” promovon librin “Shoku” të Cesare Pavese-s

Të mërkurën “Dukagjini” promovon librin “Shoku” të Cesare Pavese-s

Të gjithë ju dashamirë të librit, ju njoftojmë që më 12 shkurt, ditën e mërkurë, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nënë Tereza”) do të bëhet promovimi i librit “Shoku” nga autori Cesare Pavese në kuadër të kolanës “Effugium” – projekt i mbështetur nga “Evropa Kreative”.

Jua rikujtojmë se “Dukagjini” është shtëpia e parë botuese nga Kosova që është bërë pjesë e projektit kulturor “Evropa Kreative”, me mbështetjen e së cilës botohet, pra, “Shoku” i autorit Cesare Pavese.

Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë:

Edon Qesari, përkthyes i librit dhe

Ag Apolloni, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi nga shtëpia botuese “Dukagjini”.

Shënim për librin:

“Shoku” nga autori Cesare Pavese është pjesë e kolanës “Effugium” – Evropa Kreative dhe është një nga romanet më intensive të Paveses, një histori, me elemente autobiografike, me një protagonist të ri që ndodhet në një krizë ekzistenciale, i përfshirë në politikën e krahut të majtë.

Libri rrëfen konspiracionin politik dhe botën e klasës punëtore pa retorikë dhe magjepsje, duke na dhënë një tekst të plotë me të gjitha pritshmëritë e zhgënjimet në Itali pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe një rrëfim pozitiv të marrëdhënies midis burrit dhe gruas, që nuk do të gjejë më hapësirë në veprat e tjera të autorit. Krye e formularit

Shënim për autorin:

Cesare Pavese ishte poet, shkrimtar dhe përkthyes italian, i njohur për trajtimin e temave si izolimi dhe luftërat ekzistenciale. Pas periudhës në burg për pikëpamjet e tij politike gjatë periudhës fashiste, pak vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nis veprimtaria që do ta bëjë atë, më pas, të njohur në botën e letërsisë. Pavarësisht suksesit letrar, Pavese kishte probleme me depresionin dhe vetminë, që e çuan në vetëvrasje në moshën 41-vjeçare. Ai mbetet një figurë kyçe në letërsinë italiane pas Luftës së Dytë Botërore.

Promovimi është mundësi e mirë për takim e diskutim më të afërt rreth librit!