Erik ten Hag i dha mbështetje sulmuesit Amad Diallo për t’u bërë ylli i Manchester United në sezonin që tashmë po vjen, pas paraqitjes së bukur ndaj Rangers.
Pasi humbi ndeshjen e parë miqësore para-sezonale të Man United kundër Rosenborg në Norvegji të hënën, Amad ishte në formacionin fillestar të Ten Hag në ndeshjen e dytë miqësore të klubit kundër Rangers të shtunën.
22-vjeçari Diallo së bashku me Joe Hugill, shënuan nga një gol në fitoren e gjigantëve të Ligës Premier.
Ten Hag mbeti i impresionuar nga paraqitja e anësorit të ri kundër Rangers, teksa lavdëroi lojtarin, ndërsa pretendoi se ai do të bëhet yll në “Old Trafford” në sezonin e ardhshëm.
Diallo humbi shumicën e sezonit të kaluar për shkak të një dëmtimi në gju, duke luajtur vetëm 12 ndeshje në të gjitha garat, në të cilat ai shënoi dy gola dhe dha një asistim.
“Ne duhet ta shohim Amadin në një mënyrë tjetër. Sigurisht, ai është ende i ri, por nuk është më pa përvojë. Sezonin e kaluar ai pati periudha të këqija me lëndime të këqija”.
“Në fund të sezonit të kaluar, ai kaloi një kohë shumë të mirë në ekipin tonë të parë dhe luajti disa ndeshje të mira. Tani për këtë sezon, ky duhet të jetë viti i tij. Është mirë që ai e nisi kështu. Të hënën ai nuk luajti, ai nuk u lejua të shkonte në Norvegji, por sot ai mundi të luante dhe ai bëri një lojë shumë të mirë”, deklaroi Ten Hag.
Në këtë ndeshje debutoi edhe transferimi më i ri i Man Utd, leny Yoro, i cili kishte një paraqitje shumë të mirë, por duket se ajo e Diallo ishte më lartë dhe për këtë u ndal Ten Hag të fliste.
Skuadra angleze tani është gati të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara , ku janë planifikuar ndeshje miqësore me ekipe si Real Madrid, Arsenal dhe Liverpool. /Telegrafi/