Të gjithë e urrejnë Elon Muskun, përveç meje

Nga: Jonathan Margolis / Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Një nga deklaratat më pak kontroverse që mund të bëhet në këtë botë është se Elon Musk është disi makth si një qenie njerëzore.
Në Britani, e kemi parë të mbajë një fjalim në një tubim në mbështetje të të ashtuquajturit Tommy Robinson dhe t’ia paguajë atij shpenzimet ligjore. Ka futur hundët (në mënyrë selektive) në çështjen e bandave që merren me shfrytëzimin seksual. Në ShBA e kemi parë duke bërë thirrje për vendosjen e trupave kundër të pastrehëve të varur nga droga në rrugët e San Franciskos. Kjo është çmenduri. Dhe, në mbarë botën kemi parë pasojat e lidhjes së tij të ngushtë me Donald Trumpit, përshëndetjet që ngjajnë me ato të nazistëve, dhe shndërrimin e Twitter-it në një gropë septike me një emër qesharak.
Por, ja një propozim i diskutueshëm: a ka rëndësi nëse ai është i tmerrshëm? Dhe, a ka ai ndonjë arsye të pranueshme për të qenë neveritës? Për të dyja këto çështje, kam një qëndrim edhe më të diskutueshëm. Në rastin më të pamundur që ta njoh apo vetëm ta takoj, mendoj se do të më pëlqente Elon Musku. Dhe, admiroj shumë nga ajo që ka arritur në jetën e tij deri tash.
Sa për arritjet e tij, edhe pse kalimi nga Twitter në X ka qenë një histori tmerri, pjesa tjetër e veprës së Muskut ka qenë shumë larg plehrave periferike.
Krijimet e tij janë ndër përparimet më të rëndësishme dhe më të dobishme teknologjike të 50 vjetëve të fundit - bëri që automjetet elektrike të bëhen pjesë e zakonshme e jetës, revolucionarizoi kostot e lëshimit të satelitëve përmes raketave të ripërdorshme, ofroi qasje në internet në rajone të largëta, ndërsa punoi në Neuralink-un që mund të rikthejë funksionet te njerëzit me paralizë ose me lëndime të shtyllës kurrizore.
Kompania e tij, SpaceX, hodhi në orbitë satelitin e dhjetë-mijtë të Starlink-ut, pas një lëshimi të suksesshëm të një tufe tjetër prej 56 satelitësh të dielën, duke e bërë Muskun jo vetëm njeriun më të pasur në Tokë, por edhe personin më të fuqishëm në hapësirë.
Nuk jam i sigurt nëse shumë inovatorë do të kishin imagjinatën për të propozuar, e lëre më për të ndërtuar ato raketa jashtëzakonisht të veçanta, pothuajse baletike, që ulen në mënyrë të drejtë. Është diçka marramendëse, dhe, edhe pse është tokmak nga ana emocionale dhe personale, kjo është përtej çdo admirimi.
Tani, sa për ta pëlqyer atë, pranoj që jam paksa jashtë loje, dhe se shumë njerëz që kanë pasur punë me të, nuk e duan. Por, ai ka dy cilësi që mua më duken tërheqëse. E para është se ai është një ikonoklast në teknologji. Prej dekadash, teknologët kanë ëndërruar për makina fluturuese. Kompanitë ende po shpenzojnë miliarda për t’i zhvilluar ato. Por, Musku është një nga të paktët që mendon se ato janë ide qesharake dhe jashtëzakonisht e keqe. Ai gjithashtu është shumë qesharak kur flet për to. Kërkoni në YouTube pamje të tij duke folur për këtë temë.
Gjithashtu më pëlqen mënyra se si flet. Kur nuk është duke u sjellë në mënyrë qesharake pranë Trumpit apo “Robinson”-it, ai ka një mënyrë të përmbajtur të të folurit, disi të ndrojtur, që është e kundërta e mburravecit. Gjithmonë kam menduar se mund të kuptosh shumë nga mënyra se si flet dikush, dhe në rastin e Muskut, kur nuk është i droguar me çfarëdo që të jetë, ai është mjaft i pëlqyeshëm.
Do të thosha se ai gjithashtu mund të falet për disa të meta të karakterit, për shkak të së kaluarës së tij të mbushur me abuzim të tmerrshëm. Musku është bulizuar rëndë në shkollë, është trajtuar edhe më keq nga babai i tij i çuditshëm (i cili pati një fëmijë me vajzën e gruas së tij - e habitshme, apo jo?), dhe është rritur me tmerr nga regjimi i aparteidit ku lindi. Nuk është për t’u habitur që Eloni i ri u zhyt në botën e fantashkencës dhe fantazisë.
E vërteta është se shpikësit dhe novatorët janë, pothuajse pa përjashtim, njerëz me të meta, të çrregullt dhe në një farë mënyre të pakëndshëm. Nga Newtoni te Edisoni, nga Gatesi te Jobsi, Tesla, Watti, Marconi, Fordi, Bairdi dhe Belli, nuk ka asnjë me të cilin do të doje të kaloje një kohë shoqërore me të. Të gjithë në një farë mase kanë qenë egomaniakë. Të gjithë kanë pasur nevojë të jenë të shtyrë deri në ekstrem për ta imponuar vizionin e tyre - ndonëse, në mënyrë të kuptueshme, jo të gjithë kanë qenë miliarderë me platformën e tyre të mediave sociale për t’ia përplasur botës mendimet, apo të kenë pasur qasje te veshi i presidenti i ShBA-së.
Thënë ndryshe, lista e novatorëve të mëdhenj që kanë qenë njerëz të mirë është tmerrësisht e vogël. Tim Berners-Lee; Douglas Engelbart (shpikësi i mausit dhe vegëzës hipertekst); Linus Torvalds (shpikësi i sistemit operativ Linux); Hedy Lamarr, ylli i Hollivudit i viteve ’30 të shekullit XX e cila - në një nga faktet më të çuditshme të shkencës - punoi, pa pagesë, për atë që më vonë do të bëhej WiFi, Bluetooth dhe GPS. Dhe, kaq. /Telegrafi/

















































