Në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për paraburgimin e pesë personave të arrestuar, të dyshuar për terrorizëm, thuhet se armët e sekuestrua që u gjetën gjatë bastisjeve, ata i kishin blerë nga Policia e Kosovës.
Këto armë u blen gjatë një shitblerjeje të simuluar nga Policia e Kosovës.
Në këtë dokument të siguruar nga Radio Evropa e Lirë thuhet se përmes masave të fshehta, kanë zbuluar se të dyshuarit, kanë kërkuar armë anti-tank RPG si dhe predha, me qëllim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë.
“Me datë 7 tetor 2021, kemi siguruar urdhër për blerje të simuluar të sendeve nga Gjykata ku edhe më datë 10 tetor 2021, me rastin e bastisjes së shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të pandehurve të lartëpërmendur si dhe të pandehurve, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi, janë siguruar prova të mjaftueshme se i pandehuri Mentor Bellaqa ka pasur kontakte të mëhershme me të pandehurit në fjalë, ndërkaq i pandehuri Shkodran Krasniqi, i ka siguruar armët me qëllim të shitjes”, thuhet në kërkesë.
Këto armë, sipas këtij dokumenti, janë sekuestruar nga Policia e Kosovës në Prishtinë gjatë bastisjes dhe gjatë arrestimit të këtyre pesë personave.
Sipas këtij dokumenti, të akuzuarit Ardijan Gjuraj, Ergim Syla dhe Nehrudin Skenderi, kanë kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
I akuzuari tjetër Mentor Bellaqa nga Prizreni, që është pjesë e këtij grupi, akuzohet për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Derisa Shkondran Krasniqi, sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditë të të arrestuarve për terrorizëm.
Policia e Kosovës më 10 tetor arrestoi: Ardijan Gjurajn, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqan e Shkodran Krasniqi, si të dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.
Sipas njërit prej avokatëve mbrojtës, të arrestuarit akuzohen “për përgatitjen e sulmeve terroriste ndaj rendit kushtetues”.