Takim në Dragash për rritjen e rasteve të paraqitjes së arinjve pranë zonave të banuara

Pas shqetësimeve të banorëve të fshatit Bellobrad, qytetit të Dragashit dhe disa fshatrave të tjerë, për paraqitjen e shpeshtë të arinjve në rrugët rurale dhe oborret e shtëpive, kryetari i Komunës së Dragashit ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Shoqatës së Gjuetarëve “Divokoza”, Shrif Sulejmani.
Në këtë takim është diskutuar për situatën e krijuar dhe për masat që duhen ndërmarrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Të dy palët kanë theksuar rëndësinë e veprimit me kujdes dhe në koordinim të plotë me institucionet përkatëse, në mënyrë që të parandalohen incidentet e mundshme dhe të ruhet ekuilibri natyror, përcjell Telegrafi.
Është rënë dakord që Shoqata e Gjuetarëve, në bashkëpunim me autoritetet komunale, të monitorojë situatën në terren dhe të raportojë çdo rast të paraqitjes së arinjve në zonat e banuara, si dhe të ndërmarrë masat e nevojshme brenda kompetencave ligjore, duke pasur parasysh se ariu është specie e mbrojtur.
Kryetari i komunës ka falënderuar përfaqësuesit e shoqatës për gatishmërinë e tyre që, pavarësisht kufizimeve ligjore, të kontribuojnë për rritjen e sigurisë së qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, Komuna e Dragashit u ka bërë thirrje ministrive përkatëse që të ofrojnë mbështetjen e tyre institucionale në këtë drejtim, ndërsa qytetarëve u është bërë apel që të tregojnë kujdes, të mos i afrohen apo ushqejnë arinjtë dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse vërejnë praninë e tyre afër vendbanimeve.
Komuna gjithashtu ka rekomanduar që fëmijët, sidomos ata që jetojnë në zonat ku janë parë arinj, të përcillen në shkollë nga prindërit ose anëtarët e familjes.
Komuna e Dragashit ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të vepruar me përgjegjësi në mbrojtje të jetës së qytetarëve dhe ruajtjen e biodiversitetit të pasur të rajonit malor.
Sipas komunës, vetëm bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet qytetarëve, institucioneve të sigurisë dhe autoriteteve kompetente do të mundësojë menaxhimin efektiv të kësaj situate. /Telegrafi/







































