Takim ndërinstitucional në Prokurorinë e Prizrenit për luftimin e kontrabandimit me migrantë

Në Prokurorinë Themelore në Prizren u zhvillua një takim ndërinstitucional me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Prokurorisë së Kukësit, Policisë së Trafiqeve nga Tirana, Policisë për Hetimin e Trafikimit dhe Kontrabandimit me Migrantë, si dhe përfaqësuesve të Departamentit për Kufij të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Prokurorja e Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë e Prizrenit, Ervehe Gashi, e priti delegacionin dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të kontrabandimit me migrantë.
Gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e informatave, koordinimin e veprimeve hetimore dhe mekanizmat konkretë për një reagim më efikas ndaj këtij fenomeni, i cili përbën shqetësim serioz për sigurinë dhe sundimin e ligjit në rajon.
Pjesëmarrësit u dakorduan për vazhdimin e komunikimit të rregullt dhe forcimin e bashkëpunimit praktik, me qëllim parandalimin dhe luftimin efektiv të kontrabandimit me migrantë dhe formave të tjera të krimit të organizuar ndërkufitar.
Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në forcimin e partneritetit me institucionet homologe brenda dhe jashtë vendit, në funksion të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit publik. /Telegrafi/




















































