Tailanda ka nisur sulme ajrore dhe tha se ka goditur objektiva ushtarake përgjatë kufirit me Kamboxhian, pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën se sulmuan të parat.

Një ushtar tajlandez u vra dhe tetë të tjerë u plagosën, sipas zëdhënësit të ushtrisë tajlandeze, gjeneral-major Winthai Suvaree, i cili tha gjithashtu se trupat kamboxhiane qëlluan të parat në territorin tajlandez.


Tailanda përdori avionë "për të goditur objektiva ushtarake në disa zona për të ‘shtypur’ sulmet me zjarr që mbështesnin kamboxhianët", shtoi ai.

Në Kamboxhia, Met Measpheakdey, zëvendësguvernator i provincës Oddar Meanchey, shkroi në një postim në Facebook se tre civilë ishin plagosur rëndë.

Zyrtarët kamboxhianë kanë thënë se ushtria tajlandeze sulmoi e para trupat e tyre në provincën Preah Vihear.

"Kamboxhia kërkon që Tailanda të ndalojë menjëherë të gjitha aktivitetet armiqësore që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon", tha zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes së Kamboxhias, Maly Socheata.

Tensionet janë rritur që kur vendet fqinje nënshkruan një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja në tetor, të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Mosmarrëveshjet e tyre territoriale çuan në pesë ditë luftimesh në korrik që vranë dhjetëra ushtarë dhe civilë.

E kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul tha se operacionet ushtarake do të kryhen sipas nevojës për të mbrojtur vendin dhe për të mbrojtur sigurinë publike.

"Tajlanda nuk ka dëshiruar kurrë dhunë. Dua të përsëris se Tajlanda nuk ka filluar kurrë një luftë apo pushtim, por nuk do të tolerojë kurrë një shkelje të sovranitetit të saj", tha ai.

Në Tajlandë, më shumë se 385,000 civilë në disa zona kufitare po evakuohen, me mbi 35,000 të vendosur tashmë në strehimore të përkohshme, thanë zyrtarët ushtarakë.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit e Kamboxhias tha se disa shkolla përgjatë kufirit ishin mbyllur.

Për më shumë se një shekull, Tajlanda dhe Kamboxhia kanë kontestuar sovranitetin në pikat përgjatë kufirit të tyre tokësor prej 508 miljesh (817 km). /Telegrafi/