LAJMI I FUNDIT:

SYTË E ÇDO TË PANJOHURI

SYTË E ÇDO TË PANJOHURI

Nga: Roger Waters (kënga “Every Stranger’s Eyes”, albumi “The Pros and Cons of Hitch Hiking”, 1984)
Përktheu: Agron Shala

Kamerierja: “Tung… e do një filxhan kafe?”
Kamionisti: “Hej, ndale atë xhuboks të mallkuar… është zhurmë e madhe”
Kamerierja: “Më fal, e do një filxhan kafe? Në rregull, me qumësht e sheqer e do? Sigurisht”

Në vendndalesat e kamionëve dhe në trafikat e hamburgerit
Në limuzinat Kadilak në shoqërinë e të harruarve
Dhe shpinë-kërrusurit e format e përgjumura
Në shkallët e trotuarit


Në librari dhe në stacione treni
Në libra dhe në banka
Në faqet e historisë
Në sulmet vetëvrasëse të kalorësisë

E njoh
Veten, në sytë e çdo të panjohuri

Dhe në karroca invalidësh pranë përmendores
Në aksidentet në metro dhe në rrugë
Në qendrat e kujdesit dhe gjykatat e qarkut
Në panairet e festave dhe hotelet bregdetare

Në sallonet dhe morget e qytetit
Në fotografitë e shpërblyera të varkave të shpëtimit në detet e Kinës
Në kampe refugjatësh, nën llambat harkore
Në platformat e shkarkimit, në fytyrat e turbulluara nga vulat

E njoh
Veten, në sytë e çdo të panjohuri

Dhe tash
Nga vendi ku qëndroj
Mbi këtë kodër
Të mirat i kam grabitur

Përreth shikoj
Qiejt kërkoj
Sytë errësoj
Gati si i verbër

Dhe shoh gjurmët
E ditëve gjysmë të harruara
I dëgjoj këmborët që tingëllojnë
Në mënyra çuditërisht të njohshme

E shoh
Shpresën që ndez në sytë e tu

Tani është krejt e lehtë
Teksa këtu rrimë në errësirë
Asgjë nuk përzihet, duket qartë si t’i ndalim lotët
Që kërcënojnë të shuajnë xixën e dashurisë sonë