Sulmuesi vetëvrasës nga Volgogradi: Më vjen keq t’ju shoh lotët, kjo është zgjedhja ime (Video)

“Më vjen keq të shoh lotët tuaj, por e zgjodha rrugën e Allahut. U përcaktova që Allahu të jetë i kënaqur me mua dhe ta meritoj Parajsën. Nuk mund të më largoni nga kjo rrugë”, ka thënë ai.
Ai shtoi se nuk ka dashur të shoh porosinë e tyre, “që të mos largohet nga rruga”.
“Nuk kam dashur ta shikoj, sepse kam menduar se do të më zbus”, ka shtuar ai, duke theksuar se nuk e ka ndërmend të kthehet në shtëpi, raporton The Moscow Times.
“Allahun mua askush nuk ma imponon”, thotë ai dhe shton se shumë vëllezër të tij kanë braktisur familjet “për të ecur në tundimin e Xhihadit”.
Ai i porositi prindërit që të mos besojnë gjithçka që dëgjojnë në televizor për myslimanët.
"Ne nuk vrasim fëmijë, por këtu shoh shumë fëmijë që qajnë për etërit e tyre”, tha ai .
Kjo video ishte përgjigja ndaj kërkesës së prindërve të tij që ai të kthehet në shtëpi. Babai i tij, Nikolai, e kishte lutur që “të lë armët para se të bëhet terrorist”.
“A ecin të gjithë myslimanët përreth me armë? Ju jeni kokëfortë. Çfarë të keqe të kanë bërë ata njerëz”, ka thënë babai i tij.
Nëna e tij, Fanaziyja, i kishte thënë se edhe ajo ishte myslimane dhe se dëshiron që të përmbahet nga dhuna.
“Çfarë Kurani!? Allahu nuk ka thënë se njerëzit duhet të vriten. Pavlik, unë kam besim te ti. Kthehu, të lutem”, i ka thënë nëna, duke shtuar se qëkur ka ikur ai, ajo jeton në ferr.
“Imagjino nëse dikush vret prindërit tuaj, si do të ndihesh? Pse fëmijët i bëni jetim?”, e pyet ajo.
Peconkin është me origjinë nga Volzhski që gjendet në lindje të pjesës evropiane të Rusisë. Në dhjetor 2011 kalon në islam, e pastaj largohet nga prindërit të cilët nuk e dinin se ku gjendet. Pas konvertimit ai quhej Ansar al-Rusia. /Telegrafi/




















































