Sulmi në tru, shenjat, vlerësimi dhe ndihma urgjente paraspitalore

Aspektet klinike, diagnostike dhe paraspitalore të menaxhimit të sulmit akut në tru
Prof. ass. dr. Isuf Bajrami
Specialist i Mjekësisë Urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente, Prishtinë
Çdo vit, rreth 15 milionë njerëz në mbarë botën pësojnë goditje në tru. Nga këta, 5 milionë vdesin dhe 5 milionë të tjerë mbeten të paaftë përgjithmonë, duke i vënë një barrë familjes dhe komunitetit.
Goditja në tru është e rrallë tek njerëzit nën 40 vjeç; kur ndodh, shkaku kryesor është tensioni i lartë i gjakut. Ka shenja të rëndësishme të një goditjeje në tru për të cilat duhet të jeni të vetëdijshëm dhe të keni kujdes.
Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore nëse mendoni se ju ose dikush përreth jush mund të ketë një goditje në tru. Sa më shpejt të merrni trajtim, aq më e mirë është prognoza, pasi një goditje në tru e lënë pa trajtuar për një kohë shumë të gjatë mund të rezultojë në dëmtime të përhershme të trurit.
Goditja akute në tru është urgjencë mjekësore. Për pacientët me infarkt ishemik, trajtimi me terapi trombolitike ose ndërhyrje endovaskulare është kryesisht i varur nga koha.
Shumica (85%) e goditjeve në tru janë trombotike (infarkt cerebral), dhe 15% janë gjakderdhje intrakraniale dhe diferencimi i tyre nuk është i mundur në kushte paraspitalore.

Për të dalluar rastin e goditjes ishemike ose hemorragjisë intracerebrale, është e nevojshme të kryhet tomografi e kompjuterizuar (CT) urgjente e trurit. Kjo është arsyeja pse këta pacientë duhet të transportohen sa më shpejt në spitalin përkatës që posedon CT kur dyshohet për këtë diagnozë.

Shenjat e sulmit në tru (jo të gjitha mund të jenë të pranishme)
- Dobësi ose paralizë e gjysmës së majtë ose të djathtë të trupit.
- Mund të variojë nga dobësi e lehtë që vihet re vetëm nga pacienti deri në paralizë të plotë që e bën pacientin të palëvizshëm.
- Për shkak të fillimit të saj të papritur, shpesh çon në rrëzimin e pacientit.
- Vështirësi ose pamundësi për të folur.
- Pacienti ka vështirësi në shqiptimin e fjalëve, “e ngatërron” të folurit e tij ose nuk mund të flasë fare.
- Njëri kënd i varur ose i devijuar i gojës, i cili e bën gojën të duket e shtrembër.
- Vështirësi ose pamundësi për të gëlltitur.
- Ushqimi rrjedh nga goja ose përmes hundës.
- Madhësi e pabarabartë e bebëzës së syrit që nuk ekzistonte më parë.
- Dhimbje koke e fortë, marramendje, çrregullim i ekuilibrit.
- Të vjella.
- Urinim dhe jashtëqitje të pakontrolluara.
- Humbje e vetëdijes.
Shenjat dhe simptomat e goditjes janë shpesh me deficite neurologjike fokale:
- mpirje
- dobësi ose paralizë
- fjalim i pakuptueshëm
- shikim i turbullt
- konfuzion
- dhimbje koke të forta
Tiparet më të ndjeshme që lidhen me diagnozën e goditjes në tru në kushte ambulantore janë dobësia e fytyrës, krahëve, këmbëve dhe çrregullimi i të folurit.
Shkalla e vetëdijes (AVPU)
A (alert): pacienti i zgjuar dhe i orientuar. V (verbal stimuli): reagon në ngacmime verbale, i zgjuar por i shqetësuar ose pa vetëdije, në një mënyrë reagon gjatë ngacmimeve verbale. P (pain stimuli): reagon në dhimbje. U (unresponsive): pacienti nuk reagon, nuk ka refleks të përtypjes dhe kollitjes.P (pain stimuli): reagon në dhimbje. U (unresponsive): pacienti nuk reagon, nuk ka refleks të përtypjes dhe kollitjes.
Sulmi ishemik tranzitor (TIA)
Ataku ishemik tranzitor (TIA) përkufizohet si një episod kalimtar i mosfunksionimit neurologjik fokal, ishemi e trurit, palcës kurrizore ose retinës.
Sulmi ishemik tranzitor përkufizohet si deficit neurologjik kalimtar që tërhiqet brenda 24 orëve, por sot kuptojmë se për deficitin kalimtar, pra isheminë që e shkakton, mund të flasim vetëm nëse nuk ka dëmtime të përhershme biologjike të sistemit nervor.
Nëse ndodhë dëmtimi i përhershëm i sistemit nervor (sulmi në tru) ndodh në kohën më të shkurtër të mundshme, atëherë flasim rreth goditjes në tru.
Simptomat e sulmit ishemik tranzitor zakonisht tërhiqen brenda pak minutash ose maksimumi disa orësh, te çdo pacient me shenja neurologjike persistente në vlerësimin e parë duhet supozuar se ka infarkt.
Pacienti me TIA është në rrezik të lartë për të zhvilluar goditje në tru dhe simptomat duhet të merren seriozisht. TIA ndodh kur furnizimi me gjak në një pjesë të trurit ndërpritet përkohësisht.
Në diagnozën diferenciale duhet të kemi parasysh migrenën me aurë, sinkopën, atakun epileptik, vestibulopatinë periferike që mund të shkaktojë episode kalimtare të vertigos, sëmundjet nervore periferike ku presioni ose pozicioni mund të shkaktojë parestezi ose mpirje kalimtare, çrregullime metabolike (hipoglicemia, dështimi i mëlçisë, veshkave ose i frymëmarrjes) dhe amnezi globale kalimtare.
Vlerësimi
- garantoni sigurinë e vendit të ngjarjes dhe zbatoni masat e mbrojtjes personale
- vlerësoni ABCDE-të (mund të ketë probleme me rrugët e frymëmarrjes dhe frymëmarrjen)
- oksigjen – ngopja e synuar >94%
- matja e presionit të gjakut si vlerë bazë për vlerësimin spitalor
- niveli i vetëdijes mund të ndryshojë, për vlerësim përdorni Glasgow Coma Scale (GCS) për pjesët e pa atakuara – aftësia e të folurit preket rëndë, atëherë është më lehtë të vlerësohen sytë dhe aftësitë motorike
- matni nivelet e glukozës në gjak sepse hipoglicemia mund të imitojë goditjen në tru
- vlerësoni kohën e saktë kur ka ndodhur goditja (trajtimi me trombolizë në spital është i mundur të aplikohet 4-5 orë pas fillimit të simptomave dhe trombektomia endovaskulare mund të kryhet në spital brenda 24 orëve nga fillimi i simptomave)
- duke pasur parasysh se pacientët shpesh kanë çrregullime të folurit ose gjendje mendore të ndryshuar, është e nevojshme të merren të dhëna heteroanamnestike
Vlerësimi sipas Glasgow Coma Scale

Vlerësoni nëse koha është faktori kryesor:
▪ çdo problem kryesor të ABC-së
▪ Testi FAST pozitiv (testi i të folurit, krahut, fytyrës)
▪ çrregullime të vetëdijes
Nëse ndonjë nga këto shenja është e pranishme, ABC duhet të fillojë në vendin e ngjarjes, atëherë transportoni pacientin në spitalin më të afërt të përshtatshëm.
Sipas rregullave lokale ndonjëherë është e mundur transferimi i pacientit direkt në një spital me njësi të organizuar për goditje në tru - Stroke Center.
I dyshuari për goditje akute – një test pozitiv FAST duhet të konsiderohet si një gjendje ku koha është faktori kryesor.
Ekzaminimi i dytë i shkurtër që duhet bërë nuk duhet të vonojë transportin për në spital.

FAST test (Face Arm Speech Test)
- Dobësi në fytyrë: kërkojini pacientit të buzëqeshë ose të tregojë dhëmbët. Kujdes për mungesën e simetrisë.
- Dobësi e dorës: kërkojini pacientit të ngrejë të dy krahët së bashku dhe t’i mbajë për 5 sekonda. A rrotullohet apo bie njëri krah? Një dorë me aftësi motorike të dobësuara do të kthehet drejt poshtë në krahasim me gjymtyrën e paprekur.
- Të folurit: kërkojini pacientit të përsërisë një fjali. Vlerësoni pakuptueshmërinë e të folurit ose vështirësi me fjalë ose fjali.
Testi FAST (fytyrë, krahë, të folurit) duhet të zbatohet në të gjithë pacientët me goditje të dyshuar/TIA.
Ky test është pozitiv nëse ekziston një çrregullim i ndonjërës prej tre parametrave. Në diagnozën diferenciale duhet të merren parasysh sinkopa, migrena, hipoglicemia, hiperglicemia, epilepsia dhe çrregullimet e shkaktuara nga efektet toksike të barnave.
Ndihma urgjente
- filloni trajtimin ABCD
- aplikoni oksigjen - ngopja e synuar >94%
- merrni parasysh regjistrimin e EKG me 12 derivacione, por mos e vononi transportin në spital
- hapja e rrugës intravenoze nuk është e nevojshme, përveç nëse kërkohen ndërhyrje specifike
- matja e përqendrimit të glukozës në gjak (GGJ e saktë nëse është 220 mmHg) MOS trajtoni vlerat e ngritura të presionit të gjakut
- vlerat e ngritura të presionit të gjakut duhet të trajtohen nëse pacienti ka ishemi akute të miokardit, insuficiencë akute të zemrës, diseksion të aortës, encefalopati hipertensive ose preeklampsi përveç goditjes në tru, dhe eklampsia
- pacienti duhet të shtrihet me kokën dhe shpatullat pak të ngritura
- nëse ndodhin të vjella, kthejeni pacientin në krah që të lejojë që të vjellat të largohen nga goja
- thirrni ndihmë mjekësore urgjente
- mos i jepni pacientit asgjë për të ngrënë ose pirë
- nëse pacienti është pa ndjenja, kthejeni pacientin në krah
- kontrolloni frymëmarrjen dhe, nëse është e nevojshme, filloni masat e ringjalljes
- transportoni pacientin në spital dhe vazhdoni trajtimin gjatë transportit
- pacientët e vetëdijshëm duhet të transportohen në pozicion gjysmë të shtrirë
- pacientëve nuk duhet t’u jepet asgjë nga goja
- çdo gjë që observohet, matet dhe bëhet duhet të regjistrohet në dokumentacionin mjekësor
- njoftoni pranimin e emergjencës spitalore ose qendrën për sulm në tru (Stroke Center) për mbërritjen e pacientit
Referimi i pacientit
Në varësi të kushteve lokale, ndonjëherë është e mundur që pacienti të transferohet drejtpërdrejt në një spital me njësi të organizuar për goditje në tru. Kjo në disa rrjete institucionesh mund të kërkojë që pacienti të plotësojë disa kritere specifike të testit FAST dhe shfaqjes së simptomave, “kornizën kohore” për trombolizën apo ndërhyrjen endovaskulare.
Sa herë që është e mundur, dikujt i pranishëm duhet t’i kërkohet të shoqërojë pacientin në spital.
Është e rëndësishme të dihet se tromboliza nuk është metoda e vetme e trajtimit që është vërtetuar e dobishme për pacientët me goditje në tru. Dihet se pranimi në njësinë e infarktit në tru është për kujdes të hershëm specialistik, shpëton jetë dhe redukton paaftësinë, edhe nëse tromboliza nuk është e indikuar.
Parandalimi i sulmit në tru
Ekzistojnë shumë faktorë rreziku për të pasur një goditje në tru, duke përfshirë diabetin, fibrilacionin atrial dhe hipertensionin (tensionin e lartë të gjakut).
Në përputhje me rrethanat, ka shumë masa që mund të ndërmerren për të ndihmuar në parandalimin e goditjes në tru. Masat parandaluese për goditjen në tru janë të ngjashme me veprimet në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
Disa masa për të zvogëluar rrezikun e sulmit në tru:
▪ Mbani presionin normal të gjakut.
▪ Kufizoni marrjen e yndyrnave të ngopura dhe kolesterolit.
▪ Përmbahuni nga pirja e duhanit dhe alkoolit.
▪ Kontrolloni diabetin.
▪ Mbani një peshë të shëndetshme.
▪ Bëni ushtrime të rregullta.
▪ Hani dietë të pasur me perime dhe fruta.
▪ Mjeku familjar mund të përshkruajë ilaçe për parandalimin e goditjes në tru nëse e dinë se jeni në rrezik.
▪ Medikamentet e mundshme parandaluese për goditjen në tru përfshijnë ilaçe që hollojnë gjakun dhe parandalojnë formimin e mpiksjes.
Përmbledhje
▪ Koha është vendimtare në sulmin akut të trurit.
▪ Goditja në tru është e zakonshme, mund të shkaktohet nga ishemia ose gjakderdhja, diagnoza e saktë bëhet vetëm pas një skanimi CT.
▪ Tiparet më të ndjeshme që lidhen me diagnozën e infarktit në ambulancë janë dobësia e fytyrës, duarëve, këmbëve dhe çrregullimi i të folurit -Testi FAST.
▪ Hipoglikemia mund të imitojë goditjen në tru.
▪ Trajtoni hipertensionin vetëm nëse ka indikacion.
▪ Testi FAST duhet të zbatohet në të gjithë pacientët me infarkt/TIA të dyshuar.
▪ Pacientët me sulm ishemik tranzitor (TIA) mund të jenë në rrezik të lartë për goditje në tru dhe duhet të dërgohen në spital për vlerësim të mëtejshëm.
/Telegrafi/










































