Komuna e Suharekës ka përkujtuar ish-kryetarin Ukë Bytyçi në 22 vjetorin e vrasjes së tij. Gjatë akademisë përkujtimore të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës që mban emrin e të ndjerit, çmimi "Ukë Bytyçi" i është ndarë ish-kryetarit të Komunës, Sali Asllanaj.

Në njoftim e kësaj komune thuhet se të dielën është përkujtuar ish-kryetari Ukë Bytyçi dhe dy shoqëruesit e tij Bafti Bajrami dhe Bajram Bytyqi, të cilët u vranë menjëherë pas fitores së LDK-së në zgjedhjet komunale të vitit 2002, raporton Telegrafi.


uke bytyci pervjetor ne suhareke bali muharremaj

Kryetari aktual i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka theksuar se Ukë Bytyçi do të mbetet gjithmonë njeriu që dha vullnet, dhe se me kontributin e tij e bëri të paharrueshëm rrugëtimin drejt lirisë dhe ndërtimit të vendit.

“Për mua Uka nuk është i vdekur… E shihni këtë sallë sa madhështore është, e mban emrin e tij. Uka na ka frymëzuar çdo herë me punu, me kriju shtetin për gjeneratat që vijnë pas”, ka thënë Muharremaj.

Në emër të strukturave të LDK-së, për veprimtarinë dhe biografinë e Ukë Bytyçit, sipas njoftimit, ka folur Ardian Shala, kryetar i degës së LDK-së në Suharekë, derisa në emër të familjarëve ka folur, Flamur Bytyçi.

uke bytyci pervjetor ne suhareke publiku

Gjatë akademisë, është ndarë edhe çmimi “Ukë Bytyçi”, që jepet për udhëheqje dhe punë të mirë. Sivjet ky çmim i është ndarë ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj.

Sipas njoftimit, kurora lulesh nga delegacione të ndryshme janë vënë te shtatorja e Ukë Bytyçit, pastaj mbi mbi varrin e tij në Semetisht dhe në ato të Bajram Bytyqit dhe Bafti Bajramit, në fshatin Nishor. /Telegrafi/