Komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, zhvilloi një takim sot me Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Në qendër të diskutimeve ishin studentët nga Kosova që ndjekin programet Bachelor dhe Master në Akademinë e Forcave të Armatosura, njofton Ministria e Mbrojtjes në një njoftim për shtyp.
Aktualisht, në këtë akademi studiojnë 10 studentë nga Kosova në nivelin Bachelor dhe 2 studentë ndjekin programin Master.
Po ashtu, në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë janë pjesë e kurseve 12 kursantë nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Ministri Maqedonci u njoh nga afër me ambientet e akademisë si dhe me programin mësimor dhe stërvitor të ndjekur nga këta studentë, njofton ministria.
Në përmbyllje, u zhvillua një bashkëbisedim i hapur mes Ministrit dhe studentëve kosovarë, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e mbrojtjes dhe edukimit ushtarak. /Telegrafi/