Site icon Telegrafi

Struga-Gostivari, derbi shqiptar në Kupën e Maqedonisë

E mërkura sjell emocione të forta në futbollin vendor, pasi luhen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut. Katër duelet pritet të jenë tejet interesante, me ndeshjen mes Strugës dhe Gostivarit që spikat si derbi i kësaj faze, njofton Telegrafi.

Struga në krizë, Gostivari synon përsëritjen e triumfit

Një nga përballjet më të forta do të zhvillohet mes dy skuadrave shqiptare, Strugës dhe Gostivarit. Struga po kalon një periudhë të vështirë pas dy humbjeve radhazi në fillim të sezonit në kampionat, që çuan në dorëheqjen e trajnerit Qatip Osmani. Drejtimin e ekipit për këtë ndeshje do ta marrë Meriton Gega, që synon ta rikthejë skuadrën në rrugën e fitoreve.

Ndërkaq, Gostivari ka vetëm një synim – të përsërisë suksesin e fundit ndaj Strugës. Kujtojmë se në ndeshjen e parë të gjysmësezonit, Gostivari triumfoi me rezultat minimal 1-0, dhe tani synon kalimin në gjysmëfinale.

Arsimi kërkon befasinë ndaj AP Breras

Një sfidë interesante do të jetë edhe ajo mes AP Breras dhe Arsimit. Ekipi nga Çegrani, që garon në Ligën e Dytë, do të udhëtojë në Strumicë për të sfiduar Breran. Arsimi ka shfaqur formë solide këtë sezon dhe synon të befasojë duke kaluar në gjysmëfinale.

Shkëndija favorit ndaj Detonit Plaçkovicës

Shkëndija e Tetovës, që po kalon një formë të shkëlqyer në fillim të sezonit, do të përballen me Detonit Plaçkovicën nga Liga e Dytë. Kuqezinjtë janë në garë për dy trofe këtë sezon dhe do të tentojnë kualifikimin pa befasi në gjysmëfinale.

Vardari dhe Sileksi në duel të ekuilibruar

Dueli i fundit i çerekfinaleve do të zhvillohet mes Vardarit dhe Sileksit. Të dyja skuadrat synojnë kalimin në fazën tjetër dhe për shkak të formatit të garës, ku luhet vetëm një ndeshje, gjithçka mbetet e hapur. Në rast barazimi, fituesi do të përcaktohet nëpërmjet goditjeve nga pika e bardhë.

Orari i ndeshjeve (26 shkurt 2025, ora 14:00): Struga – Gostivari, Detonit – Shkëndija, AP Brera – Arsimi dhe Vardari – Sileksi

Exit mobile version