Spitali i Prizrenit nderon infermierët në ditën e tyre

Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren në Ditën Botërore të Infermierëve që shënohet me 12 maj ka vlerësuar kontributin e përditshëm të infermierëve dhe infermiereve në shërbim të pacientëve, duke e cilësuar si njërën prej shtyllave më të rëndësishme të kujdesit shëndetësor.
“Infermierët dhe infermieret janë heronj të përditshëm që punojnë me përkushtim, humanizëm dhe sakrificë. Ata janë pranë pacientëve në çdo moment të vështirë, duke dhënë jo vetëm kujdes profesional, por edhe ngrohtësi dhe mbështetje emocionale”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Prizrenit, raporton Telegrafi.
Tutje theksohet se kjo është një ditë për të shprehur falënderimin dhe mirënjohjen “për të gjithë ata që me zell dhe dashuri kujdesen për jetën e të tjerëve”.
“Sot, le të reflektojmë për rolin jetik që luajnë infermierët në sistemin shëndetësor dhe të angazhohemi për t’i mbështetur ata më shumë, jo vetëm sot, por çdo ditë”, përfundon njoftimi i Spitalit të Prizrenit. /Telegrafi/













































