Gareth Southgate është konfirmuar si trajner i Anglisë nga federata e atjeshme e futbollit për katër vitet e ardhshme.
Është pritur që të ndodhë ky konfirmim, pasi trajneri kishte pasur takim me FA-në në javën e kaluar.
46-vjeçari u angazhua si ushtrues detyre në muajin shtator pas largimit të Sam Allardyce dhe që atëherë Tre Luanët kanë arkëtuar shtatë pikë në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror, ‘Rusi 2018’.
Southgate është trajneri i tretë që angazhon Anglia në vitin 2016. Para Allardyce, përzgjedhës i Anglisë ishte Roy Hodgson, por u largua pas eliminimit nga ‘Euro 2016’ në të tetën e finales.
“Jam jashtëzakonisht krenar që jam angazhuar si trajner i Anglisë. Megjithatë, jam i vetëdijshëm se ta marrësh punën është diçka tjetër, kurse tash dua ta kryej punën me sukses”, ka thënë Southgate. /Telegrafi/