
- 19/11/2017 20:16-Daka: 38 për qind e qytetarëve kanë dalë në vendvotime
- 19/11/2017 19:10-Exit Poll: Në Prishtinë fiton VV, në Mitrovicë AKR, në Ferizaj PDK, në Gjakovë AAK, në Vushtrri LDK…!?
- 19/11/2017 18:49-DnV: Deri në ora 17;00 kanë votuar 31,6 për qind e qytetarëve
- 19/11/2017 18:47-VV mohon SMS-ët që po dërgohen për ta votuar Shpend Ahmetin
- 19/11/2017 18:21-Maliqi: Exit Poll-i edhe kësaj radhe do të sjellë befasi
- 19/11/2017 18:07-Abrashi thirrje qytetarëve për të votuar
- 19/11/2017 17:42-Kllokoti, komuna që kanë dalë më së shumti votues, Prizreni i fundit në radhitje!
- 19/11/2017 17:02-Selmanaj: Procesi zgjedhor po ecën mbarë
- 19/11/2017 16:49-Mitrovicë, një i dyshuar për fletëvotim të falsifikuar
- 19/11/2017 16:37-Vetëvendosje u bën thirrje qytetarëve që të dalin në votime
- 19/11/2017 16:35-PDK dënon “trenin bullgar” në Mitrovicë: Çdo votë është jetike
- 19/11/2017 16:34-AAK përgëzon qytetarët për proces të rregullt zgjedhor
- 19/11/2017 15:55-Qendra e votimit pa asnjë votues deri në orën 15
- 19/11/2017 15:41-Daka: Deri në ora 15:00 dalja në zgjedhje 24.39 për qind
- 19/11/2017 15:20-PDK në Mitrovicë: AKR-ja po shpif nga paniku i humbjes
- 19/11/2017 14:44-Bahtiri: Një grua është zënë me dy fletëvotime të vulosura
- 19/11/2017 14:23-DnV: Deri në ora 12:00 dalja në zgjedhje 10.7 për qind
- 19/11/2017 14:07-Në Prizren fjalosen vëzhguesit e PDK-së dhe VV-së (Video)
- 19/11/2017 13:44-Proces i qetë zgjedhor (Live)
- 19/11/2017 13:24-PDK: Procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe në mënyrë të rregullt
- 19/11/2017 13:20-Voton Arban Abrashi, fton qytetarët të dalin në zgjedhje
- 19/11/2017 13:13-Nisma: PDK po i bën presion kryetarit të KKZ-së në Banjë të Malishevës
- 19/11/2017 13:00-Haskuka voton në Prizren
- 19/11/2017 12:53-Kastrati kryen obligimin qytetar, fton kamenicasit të votojnë
- 19/11/2017 12:28-PDK fton organet kompetente për mbikëqyrje të procesit zgjedhor në Mitrovicë
- 19/11/2017 12:23-Vetëvendosje bën thirrje për dalje masive në zgjedhje
- 19/11/2017 12:19-Gjini: Ditë e mirë për Gjakovën
- 19/11/2017 12:17-Votoi Agim Aliu, kandidati i PDK-së për Ferizaj
- 19/11/2017 12:14-Voton Agim Bahtiri
- 19/11/2017 12:13-Votoi Agim Veliu: Ftoj qytetarët të dalin të votojnë
- 19/11/2017 12:09-Veseli fton qytetarët të dalin në zgjedhje
- 19/11/2017 12:00-KQZ: Deri në ora 11.00 kanë votuar 6.90 për qind e qytetarëve (Live)
- 19/11/2017 11:33-Ymeri bën thirrje për dalje masive në zgjedhje
- 19/11/2017 11:24-Mustafa: Sot është një ditë e rëndësishme për të gjitha komunat
- 19/11/2017 11:21-Voton Kusari-Lila: Sot është një ditë e rëndësishme
- 19/11/2017 11:16-Peterle vlerëson pozitivisht procesin zgjedhor
- 19/11/2017 11:10-Votojnë kandidatët për kryetar të Vushtrrisë
- 19/11/2017 11:08-Voton Shaqir Totaj
- 19/11/2017 10:45-Voton Lutfi Haziri, fton qytetarët ta kryejnë obligimin qytetar
- 19/11/2017 10:31-Engel në KQZ: Gjithmonë do të jem mik i Kosovës
- 19/11/2017 10:30-Ahmeti: Me votë qytetarët vendosin për fatin e tyre
- 19/11/2017 10:19-Abdixhiku: Procesi zgjedhor po shkon në rregull
- 19/11/2017 10:17-Haradinaj fton qytetarët të dalin të votojnë
- 19/11/2017 10:00-DnV: Pati vonesa në hapjen e disa qendrave të votimit
- 19/11/2017 09:44-Engel viziton DnV, thotë se SHBA-të do të jenë në mbështetje të Kosovës
- 19/11/2017 09:02-Prokurori i Shtetit në mbrojtje të votës
- 19/11/2017 08:43-Zyrat e Avokatit të Popullit të hapura
- 19/11/2017 08:21-Daka: Janë hapur me kohë të gjitha vendvotimet
- 19/11/2017 07:59-Mësoni se ku mund të votoni
- 19/11/2017 07:37-Kryetarja e KQZ-së fton qytetarët të dalin të votojnë
- 19/11/2017 07:34-Nis votimi në 19 komuna
- 19/11/2017 07:34-Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, votohet në 19 komuna
Sot në 19 komuna të Kosovës do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
1.353.613 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote, do të mund të votojnë nga ora 07:00 deri në ora 19:00, kur mbyllen qendrat e votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të gjitha përgatitjet që procesi i balotazhit në 19 komuna të zhvillohet në mënyrë të rregullt.
Numri i votueseve në 19 komunat që kanë të drejt vote është 1.353.613, të cilët janë të shpërndarë në 614 qendra të votimit me gjithsej 1.777 vendvotime.
KQZ ka angazhuar më shumë se 14 mijë komisionerë. Kurse, janë më shumë se 12 mijë vëzhgues të akredituar, të cilët do ta përcjellin nga afër procesin zgjedhor në 19 komuna, si dhe rivotimin në komunën e Parteshit, ku janë tri qendra të votimit me gjithsejtë shtatë vendvotime, në të cilat kanë të drejt vote 4.694 persona.
Telegrafi.com në bashkëpunim me RTV Dukagjinin do t’iu mbajë të informuar gjatë gjithë ditës.
19/11/2017 20:16-Daka: 38 për qind e qytetarëve kanë dalë në vendvotime
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë mbyllur me kohë, në ora 19:00.
Në një konferencë për media, ajo tha se 516 mijë e 573 qytetarë kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, e që në përqindje i bie se kanë votuar 38,10 për qind e atyre që e kanë këtë të drejtë.
19/11/2017 19:10-Exit Poll: Në Prishtinë fiton VV, në Mitrovicë AKR, në Ferizaj PDK, në Gjakovë AAK, në Vushtrri LDK…!?
Sot u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve komunale. Në balotazh për kryetar komunash në garë ishin 38 kandidatë. Balotazhi u mbajte në këto 19 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë dhe Kllokot. Kurse në Partesh do të rivotohet sërish për kryetar komune, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka urdhëruar që të përsërisë votimet, pas ankesës së dërguar nga Nenad Cvetkoviq (nga subjekti politik GI, Narodna Sloga) i cili pretendoi se zgjedhjet në tri vendvotime të Parteshit kanë qenë të manipuluara.
1,353,613 kishin të drejtë vote për raundin e dytë të zgjedhjeve të cilët të drejtën e tyre kanë mundur ta ushtrojnë në 614 qendra të votimit me gjithsej 1,777.
Ndërkohë, Klan Kosova ka organizuar sërish një Exit Poll. Drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu, duke paralajmëruar rezultatet ka thënë se Exit Polli ka përfunduar në 18:10 dhe janë rezultat për 11 komuna.
“I kemi bërë tri matje, në orën 13:00, 15:30 dhe 18:10, dhe të gjitha matjet tregojnë se lëvizje ka pasë Prishtina, Mitrovica e deri diku Rahoveci. Të tjerat kanë qenë stabile gjatë ditës. Trendi i votimit nuk ka ndryshuar nga ora 13:00. E kemi bërë edhe një matje 2-3 ditë më herët dhe e kemi ditur frymën e votimit dhe e kishim më lehtë për sot. Prishtina sot ka pasë dembeli të votuesve. LDK seriozitetin e daljes e ka pasë pas orës 14:00. Po ashtu nga ora 15:30 e kishin partnerët e koalicionit. Kjo ka ndodhur edhe në Mitrovicë dhe Rahovec”, ka thënë ai duke shtuar se në Suharekë më aktivë në votime ishin fshatrat.
Organizatorët thonë se këto nuk janë rezultate finale.
Sipas tij, zhvillime dramatike ka pasë në Prishtinë, ndërsa në Gjilan “beteja ishte më e lehtë”.
Rezultatet për komuna janë sipas tij:
Ferizaj – fiton PDK
Vushtrri – fiton LDK
Klinë – fiton PDK
Prishtinë – VV
Mitrovicë – AKR
Gjakovë – AAK
Prizren – PDK
Gjilan – LDK
Suharekë – AAK
Istog – LDK
Rahoveci ende nuk dihet.
19/11/2017 18:49-DnV: Deri në ora 17;00 kanë votuar 31,6 për qind e qytetarëve
Sipas të dhënave të Demokracisë në Veprim (DnV), deri në ora 17:00 ka një rritje të numrit të qytetarëve, që e kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.
Albert Krasniqi, nga DnV, ka thënë se deri në orën 17:00 kanë dalë për të votuar 427,720 qytetarë, e kjo e përkthyer në përqindje del se 31,6 për qind e qytetarëve me të drejtë vote i janë përgjigjur procesit të votimit.
Ndryshe, sot në tërë territorin e Republikës së Kosovës është mbajtur raundi i dytë në garën për të parin e 19 komunave.
19/11/2017 18:47-VV mohon SMS-ët që po dërgohen për ta votuar Shpend Ahmetin
Mesazhe private po u dërgohen qytetarëve nga një OJQ në të cilët po bëhet thirrje për ta votuar kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Edhe dy orë kanë mbetur nga mbyllja e procesit zgjedhor. Jemi afër andaj VVotoni dhe ftoni miqtë që ta vulosim fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë. OJQ Go Plus”, shkruhet në mesazhet që po u dërgohen qytetarëve të cilët kanë raportuar në KALLXO.com.
Por, Adonis Tahiri nga Vetëvendosje mohon autorësinë e këtyre SMS-ve.
“Jo. Thirrjet për votim i kemi bërë përmes dy konferencave tona për media, në ora 12:00 dhe në ora 16:00”, tha Tahiri.
19/11/2017 18:21-Maliqi: Exit Poll-i edhe kësaj radhe do të sjellë befasi
Rreth 85% të të dhënave të Exit Poll-it, tashmë janë arritur të anketohen.
Kështu ka bërë të ditur realizatori Shkëlzen Maliqi, ndërsa ka potencuar se rezultatet ekskluzive do të publikohen nga ora 19.00 në televizionin Klan Kosova.
Maliqi tutje ka shtuar se për dallim nga herët e kaluara të zgjedhjeve, ky balotazh, përveç që sjell befasi, teksa deklaron se elektorati kësaj radhe ka treguar pjekuri.
“Në disa vende ka edhe presione, rezultati është i ngushtë, por nuk mund të jap tani të dhëna të tjera. Në qershor e tetor ka pasur befasi. Do të kemi pjekuri të elektoratit këtë herë”, tha Maliqi në Klan Kosova.
19/11/2017 18:07-Abrashi thirrje qytetarëve për të votuar
Kur kanë mbetur edhe një orë deri në mbyllje të vendvotimeve në 19 komunat e Kosovës, ende po vazhdojnë thirrjet për qytetarët që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Njëjtë ka bërë edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi.
Ai përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje për të dalë për të votuar.
“Dilni votoni, ma pak se 2 orë kanë mbet”, ka shkruar Abrashi. /Telegrafi/
19/11/2017 17:42-Kllokoti, komuna që kanë dalë më së shumti votues, Prizreni i fundit në radhitje!
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të publikuara në uebfaqen e KQZ-së-deri në orën 15:00 - kanë votuar rreth 24.45 për qind e atyre që kanë të drejtë vote.
Në bazë të këtyre të dhënave, komuna në të cilën qytetarët ia janë përgjigjur më së shumti procesit të votimit, është Kllokoti me 41, 93 për qind, derisa komuna që ka pasur më së paku votues, deri në orën 15:00, është Prizreni, me 19,44 për qind.
Ndryshe, sot në 19 komuna është duke u mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave.
Përqindjen e daljes në votime mund ta shihni këtu:
19/11/2017 17:02-Selmanaj: Procesi zgjedhor po ecën mbarë
Lidhja demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se procesi zgjedhor po ecën mbarë.
Driton Selmanaj në një konferencë për media u bëri thirrje qytetarëve të dalin dhe të votojnë.
“Sipas të dhënave tona deri në orën 15 dalja e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote është diku rreth 25 për qind.. Vlerësimi jonë është që në përgjithësi procesi zgjedhor po ecën mbarë. Kanë mbetur dhe pak orë deri në përfundim të këtij procesi. Prandaj ne iu bëjmë thirrje të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë , që kanë të drejtë vote, që të dalin në zgjedhje sa më masovisht, në mënyrë që të realizojnë të drejtën kushtetuese dhe kështu ne mund të dhe marrim përgjegjësi për të ardhmen e fëmijëve tanë. Jemi në orët fundit ku na kanë mbetur diku dhe dy orë e gjysmë, prandaj në mënyrë që të realizojmë të drejtën tonë më elementare, për t’i dhënë përgjegjësi njerëzve të cilët kanë me qeveri me jetët tona dhe me të ardhmen tonë. Iu bëjmë thirrje të gjitha atyre që nuk e kanë realizu këtë të drejtë të dalin dhe të votojnë”, tha ai.
Selmanaj gjithashtu i bëri thirrje të gjitha palëve që janë të përfshirë në procesin e administrimit të procesit zgjedhor të jenë në krye të detyrës, në mënyrë që edhe procesi i votimit dhe më pas edhe ai i numërimit të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëllim që mos të dëmtohet si proces në përgjithësi.
19/11/2017 16:49-Mitrovicë, një i dyshuar për fletëvotim të falsifikuar
Një person është dërguar në mbajtje për shkak të dyshimit për një fletëvotim fals.
Rasti ka ndodh në lagjen "Zhabar", saktësisht në qendrën e votimit në shkollën “Shaban Idrizi”.
I dyshuari është dërguar në mbajtje dhe Prokuroria po merret me rastin.
19/11/2017 16:37-Vetëvendosje u bën thirrje qytetarëve që të dalin në votime
Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët që sa më shumë të dalin për të votuar.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu në një konferencë për media tha se është shumë e rëndësishme që qytetarët të dalin e të votojnë.
“Është tepër e rëndësishme dhe tepër vendimtare secila votë. Ftojmë qytetarët të votojnë, të shfrytëzojnë këtë të drejtë në mënyrë që të sigurohemi që i gjithë procesi të përfundoj mirë e mbarë”, tha ndër të tjera, Sejdiu.
19/11/2017 16:35-PDK dënon “trenin bullgar” në Mitrovicë: Çdo votë është jetike
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konferencën e radhës për media në kuadër të balotazhit ku ky subjekt po garon në dhjetë komuna, në Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Rahovec, Klinë, Kaçanik, Shtime, Dragash e Malishevë.
Deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se procesi zgjedhor po vijon kryesisht në mënyrë të rregullt dhe të qetë.
“Fatkeqësisht procesin demokratik zgjedhor po e kërcënojnë dhe rrezikojnë njerëz të dyshimtë të kryetarit në largim Agim Bahtirit në Mitrovicë, duke tentuar që sërish ta aplikojnë të ashtuquajturin ‘trenin bullgar’ për vjedhje të votave”, tha Deliu-Kodra.
“Është raportuar për arrestimin e një personi, në Zhabar të Poshtëm të Mitrovicës, i cili është zënë jashtë vendvotimit me një fletëvotim të mbushur për AKR-në. I ftojmë organet e rendit dhe ligjit që të jenë në krye të detyrës dhe askund të mos lejojnë cenimin e procesit demokratik zgjedhor, pas veprimeve të ulëta të njerëzve të Agim Bahtirit të cilët po e prishin procesin duke e aplikuar për të satën herë ‘trenin bullgar’, ka thënë Deliu-Kodra.
Në emër të PDK-së, ajo ka ftuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës të mos bien pre e provokimeve të tilla të ndyta dhe, siç tha ajo, të votojnë sipas vullnetit të tyre për ta ndryshuar Mitrovicën nga gjendja e stagnimit.
Ajo tha se çdo votë është jetike për fatin e të gjitha komunave.
“Ftojmë të gjithë qytetarët në të gjitha lokalitetet anekënd Kosovës të vazhdojnë të dalin masivisht në vendvotime, të dalin në numër së më të madh, që me verdiktin e tyre t’ua mundësojnë komunave të tyre një të ardhme të ndritshme, duke kontribuar kështu edhe për rritjen e mirëqenies së tyre”, ka shtuar Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra ka ftuar qytetarët e Prizrenit, Mitrovicës, Ferizajt, Vushtrrisë, Rahovecit, Malishevës, Klinës, Shtimes, Dragashit e Kaçanikut që të marrin të gjithë familjarët dhe miqtë e tyre për të votuar.
“Fati i komunave tuaja për katër vjetët e ardhshëm është vetëm dhe vetëm në duart tuaja. Prandaj, ndani pesë minuta për të votuar, për ta vendosur vetë fatin tuaj dhe të komunave tuaja”, ka thënë Deliu-Kodra para gazetarëve.
19/11/2017 16:34-AAK përgëzon qytetarët për proces të rregullt zgjedhor
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson lartë punën e institucioneve të vendit në mbarëvajtjen dhe organizmin e procesit zgjedhor.
Anëtarja e kryesisë së AAK-së, Meliza Haradinaj ka përgëzuar qytetarët për një proces zgjedhor të qetë, demokratik dhe mbi të gjitha të civilizuar.
“Pjekuria politike e Kosovës po vërtetohet në vazhdimësi nga të gjitha informatat që ne i pranojmë nga terreni nga ato komuna ku po garojmë. Secila votë e ka vlerën e vet me peshën e saj katërvjeçare dhe secili e secila duhet ta shfrytëzojë sot këtë mundësi. Edhe një herë ju bëjmë thirrje qytetarëve të vendit, në 20 komunat ku votohet sot, të shfrytëzojnë orët e mbetura dhe ta ushtrojmë të drejtën tonë të votimit… Ende është herët, ta presim verdiktin e qytetarëve”, deklaroi Haradinaj./Telegrafi/
19/11/2017 15:55-Qendra e votimit pa asnjë votues deri në orën 15

Në qendrën e votimit 1515E/01D, e cila gjendet në Objektin e Kuvendit Komunal të Obiliqit deri më orën 15 nuk ka votuar asnjë qytetar.
Në këtë qendër të votimit të drejtë vote kanë vetëm 32 qytetarë nga komunitetet pakicë.
Ekipi i KALLXO.com ka fotografuar kutitë e votimit në të cilat nuk është hedhur asnjë fletëvotim.
Në raundin e parë të zgjedhjeve komunale në këtë qendër të votimit kishin votuar vetëm 5 qytetar nga 32 votues të regjistruar, apo rreth 15 %.
19/11/2017 15:41-Daka: Deri në ora 15:00 dalja në zgjedhje 24.39 për qind
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka theksuar se në bazë të dhënave të dërguara në mënyrë elektronike deri në ora 15:00, numri i atyre që kanë votuar ka shkuar në 325.726 mijë votues, apo 24.39 për qind.
Daka në një konferencë për media ka thënë duke u mbështetur në të dhënat nga qendrat e votimit, procesi zgjedhor po vijon normalisht.
“Në raundin e parë, deri në të njëjtën kohë kishin dalë të votojnë 28. 45 për qind. Duke u mbështetur në qendrat e votimit, procesi po vijon normalisht”, ka shtuar Daka.
19/11/2017 15:20-PDK në Mitrovicë: AKR-ja po shpif nga paniku i humbjes
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë ka reaguar lidhur me deklaratat e Agim Bahtirit.
PDK thekson se deklaratat e Bahtirit për siç “gjoja identifikimin e një gruaje në shkollën ‘Ismail Qemali’ në Mitrovicë, duke dalë nga kabina e votimit me dy fletëvotime të vulosura, njëra prej të cilave kinse ishte e mbushur për PDK-në, ndërsa tjetra e zbrazët janë shpifje”.
“Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, përgënjeshtron lajmin e lansuar nga Agim Bahtiri, për gjoja identifikimin e një gruaje në shkollën ‘Ismail Qemali’ në Mitrovicë, duke dalë nga kabina e votimit me dy fletëvotime të vulosura, njëra prej të cilave kinse ishte e mbushur për PDK-në, ndërsa tjetra e zbrazët. Kjo është një shpifje e radhës e AKR-së dhe Agim Bahtirit në Mitrovicë, duke qenë se ata e kanë kuptuar humbjen prandaj janë në panik. Ne i ftojmë organet përkatëse që të marrin masa ndaj shpifësve, të cilët janë duke u përpjekur që të prishin procesin zgjedhor që po zhvillohet në Mitrovicë”, thuhet në reagimin e PDK-së.
19/11/2017 14:44-Bahtiri: Një grua është zënë me dy fletëvotime të vulosura
Kandidati i AKR-së për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, përmes një reagimi në Facebook ka treguar se në shkollën "Ismail Qemali" është zënë një grua me dy fletëvotime të vulosura, ku njëra ishte për PDK-në dhe tjetra e zbrazët.
Postimi i plotë i Agim Bahtirit në Facebook:
Komisionerët tonë në klasën e tretë në shkollën "Ismail Qemali" në Mitrovicë, kanë identifikuar një grua duke dalë nga kabina e votimit me dy fletëvotime të vulosura. Njëra ishte e mbushur për PDK-në, ndërsa tjetra e zbrazët, gjë që vërteton përdorimit e "trenit bullgar" nga Klani Pronto.
Ftoj KQZ, Policinë dhe Prokurorinë që t'i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe mos ta lënë më tutje manipulime me vota.
Kjo i vërteton shqetësimet e mia drejtuar institucioneve të Kosovës dhe ambasadave të huaja, për tentimet e PDK-së që të manipulohen votat e qytetarëve sikurse në vitin 2009.
Njëkohësisht i ftoj qytetarët që të dalin masivisht në votime, duke e shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese.
19/11/2017 14:23-DnV: Deri në ora 12:00 dalja në zgjedhje 10.7 për qind
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon të vëzhgojë procesin zgjedhor të zgjedhjeve lokale që po zhvillohet sot në tërë territorin e vendit.
Deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 145,126 qytetarë me të drejtë vote, përkatësisht 10.7% e të gjithë votuesve me të drejtë vote.
Dalja e votuesve në zgjedhje në komunat më të mëdha të Kosovës: Gjakovë (12.6%), Prishtinë (13.19%), Prizren (8.56%), Mitrovicë (11.34%), Gjilan (7.88%), Ferizaj (11.24%).
Sipas DnV, parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 12:00 janë:
Vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve
Këto vështirësi po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 107 vendvotime, ose 6% të vendvotimeve. Komunat ku është shënuar ky problem janë: Podujevë me 15 vendvotime, në Mitrovicë në 12 vendvotime; Gjakovë dhe Prishtinë me nga 10 vendvotime.
Votimi familjar
Gjithsej 68 vendvotime, ose në përqindje 3.8 % të të gjitha vendvotimeve. Prijnë komunat: Ferizaj (në 17 vendvotime), Gjakova (në 8 vendvotime), Mitrovica (në 5 vendvotime).
Fotografimi i votës
Është evidentuar në 27 vendvotime në nivel vendi, përkatësisht 1.5% të të gjitha vendvotimeve. Në komunën e Prishtinës në 6 vendvotime, në Gjakovë në 4 vendvotime dhe në Podujevë në 3 vendvotime.
Asistimi i votuesve më shumë se një herë
Gjithsej 19 vendvotime (rreth 1 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Suhareka ( në 4 vendvotime), Prishtina (në 3 vendvotime) dhe Gjakova, Ferizaj dhe Mitrovica në nga 2 vendvotime.
Raste të votimit jashtë kabinave të votimit (ose publikimit të votës)
Gjithsej në 17 vendvotime (ose në rreth 1% të vendvotimeve). Në komunat: Prizren, Suharekë dhe Podujevë në nga 3 vendvotime.
Prania e personave të paautorizuar në vendvotime
Është evidentuar në 12 vendvotime (rreth 0.7 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Podujevë në 4 vendvotime, në Mitrovicë dhe Prishtinë me nga 2 vendvotime.
Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë)
Gjithsej në 3 vendvotime, në komunat: Podujevë, Klinë dhe Mitrovicë.
Disa nga parregullsitë e raportuara:
Në qendrën e votimit 0803 C në vendvotimin 01R në shkollën “Emin Duraku” në komunën e Klinës dy persona pasi kanë votuar kanë treguar publikisht fletëvotimin para të gjithë të pranishmëve. Një rast i njëjtë është edhe në qendrën e votimit 0810 C në vendvotimin 01R në shkollën fillore “Dëshmorët”, komuna e Klinës, një person pasi ka votuar publikisht ka shpalos votën dhe ka treguar se për kë ka votuar.
Në qendrën e votimit 1802X në vendvotimin 03R në shkollën “Naim Frashëri” në komunën e Podujevës, në këtë vendvotim janë të pranishëm 6 vëzhgues të partisë LDK. Të njëjtit qëndrojnë brenda në vendvotim.
Në qendrën e votimit 1111 B në vendvotimin 04D në shkollën “Bedri Gjira” në komunën e Mitrovicës, kryesuesi i vendvotimit ka fotografuar derisa një person ka qenë duke votuar.
Në qendrën e votimit 1906 E në vendvotimin 08R në Fakultetin Filologjik në komunën e Prishtinës, një person përkundër që e ka pas gjurmë të lëngut spërkatës në gishtërinj i është lejuar që të votoj. Për këtë është njoftuar edhe KQZ-ja para se të votoj, megjithatë është lejuar votimi.
Në komunën e Gjakovës nga terreni është raportuar që disa herë ka pasur votime me asistencë, ndërsa asistimi nuk është bërë sipas rregullave që parashihen me ligj. Në ato vendvotime personi ka votuar për veten e tij dhe për personin që ka asistuar.
Në përgjithësi në lokalitetet me shumicë serbe, banorëve të komunitetit serb po u bëhet thirrje për të mos dal për të votuar. Raste të tilla janë raportuar në komunën e Vushtrrisë përkatësisht në fshatrat Grac dhe Banjskë dhe në komunën e Obliqit.
19/11/2017 14:07-Në Prizren fjalosen vëzhguesit e PDK-së dhe VV-së (Video)
Në qendrën më të madhe të votimit 2042a në qytetin e Prizrenit, vëzhguesi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ai i Vetëvendosjes janë fjalosur mes vete.
Sipas raportit të Policisë, incidenti filloi për shkak të një bexhi i cili ishte me ngjyrë të portokalli, që i përkon zgjedhjeve të kaluara.
Edhe KQZ ka bërë thirrje që mos të lejohen të qëndrojnë në qendra të votimit vëzhguesit që posedojnë bexhat ngjyrë portokalli, shkruan rtv21.tv.
Menaxheri i qendrës së votimit në shkollë “11 Marsi” në Prizren, Enver Bytyqi tha se në bashkëpunim me Policinë nuk do të lejojnë që të ndodhë ndonjë incident apo përleshje.
19/11/2017 13:44-Proces i qetë zgjedhor (Live)
Policia e Kosovës njofton se procesi zgjedhor në aspektin e sigurisë, është duke kaluar qetë dhe pa ndonjë incident.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha për REL se “Policia e Kosovës vazhdon të jetë e angazhuar sipas planit operacional më qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, që t'u ofrohet siguri të gjithë qytetarëve të Kosovës që në mënyrë të qetë dhe sigurt të ushtrojnë të drejtën e votës së lirë”.
19/11/2017 13:24-PDK: Procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe në mënyrë të rregullt
Partia Demokratike ka mbajtur sot konferencë për media në kuadër të balotazhit ku ky subjekt po garon në dhjetë komuna, në Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Rahovec, Klinë, Kaçanik, Shtime, Dragash e Malishevë.
Deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur besimin e këtij subjekti se qytetarët anekënd vendit do t’i zgjedhin kryetarët kandidatët që përfaqësojnë dhe përqafojnë unitetin qytetar.
Ajo tha se, sipas informacioneve nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të qetë.
“Sipas informacioneve nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të qetë. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë që të dalin masivisht për t’iu përgjigjur obligimit qytetar, që t’i votojnë për kryetarë kandidatët më të mirë dhe unifikues, që përfaqësojnë dhe përqafojnë unitetin qytetar, nga Prizreni në Mitrovicë, nga Rahoveci e deri në Vushtrri, e anekënd vendit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se qytetarët në të gjitha komunat do të dinë t’i votojnë kandidatët më të mirë që do t’i udhëheqin komunat e tyre në katër vjetët e ardhshëm.
“Pra, gjashtë orë para mbylljes së vendvotimeve, ftojmë që qytetarët tanë të vazhdojnë të votojnë në numër sa më të madh, që të kontribuojnë për një të ardhme të ndritshme dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve të komunave të tyre”, ka thënë Deliu-Kodra para gazetarëve të mbledhur.
19/11/2017 13:20-Voton Arban Abrashi, fton qytetarët të dalin në zgjedhje
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka votuar në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, të kryeqytetit.
Ai para mediave ka thënë se i fton qytetarët e Prishtinës, që ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
“Votimi nuk ka të bëjë vetëm me preferencën për një kandidat, por ka të bëjë edhe me pjesëmarrjen në qeverisje. Qytetarët do të votojnë se si do të duket qyteti në katër vitet e ardhshme”, ka shtuar Abrashi./Telegrafi/
19/11/2017 13:13-Nisma: PDK po i bën presion kryetarit të KKZ-së në Banjë të Malishevës
Nisma për Kosovën, dega në Malishevë nëpërmjet një komunikate thotë se kryetari i Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) ka presion nga PDK-ja, e që, sipas Nismës, ka për qëllim që të shkaktojë incidente në qendrën e votimit në fshatin Banjë të Malishevës.
Shtabi Zgjedhor i Nismës për Kosovën në Malishevë i bën thirrje kryetarit të KKZ-së, të mos i nënshtrohet presionit të askujt, pasi mban përgjejgësi për veprimet e tij. /Telegrafi/
19/11/2017 13:00-Haskuka voton në Prizren
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka ka ushtruar sot të drejtën e votës.
Ai pas votimit ftoi qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e votës.
“Unë votova, shfrytëzova të drejtën për të gjykuar qeverisjen e kaluar dhe për të vendosur për katër vitet e ardhshme të Komunës”, tha ai.
19/11/2017 12:53-Kastrati kryen obligimin qytetar, fton kamenicasit të votojnë
Kandidati për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ka ushtruar të drejtën e votës.
Ai pas votimit ftoi të gjithë qytetarët e Kamenicës të dalin sa më masovisht dhe të votojnë.
Kastrati tha se me daljen në votime, shpreson se do të bëhet më e mira për Kamenicën.
19/11/2017 12:28-PDK fton organet kompetente për mbikëqyrje të procesit zgjedhor në Mitrovicë
Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë, përmes një kumtese, thotë se informatat nga terreni tregojnë se qytetarët e Mitrovicës po dalin në vendvotime në mënyrë të dinjitetshme.
“Që procesi zgjedhor të vazhdoj kështu, kërkojmë nga organet kompetente që ta përcjellin gjendjen me syqçeltësi, pasi që aktivistë të partisë sonë, vëzhgues e komisionerë kanë evidentuar lëvizje të dyshimta të aktivistëve të AKR-së, përfshirë familjarë të Agim Bahtirit, të cilët po bëjnë presion tek votuesit në qendra të ndryshme të votimit”, thuhet në kumtesën e PDK-së.
“Rasti më eklatant është ai i Zv. Ministrit Besnik Beka, i afërm i Agim Bahtirit, i cili është futur pa autorizim në qendrën e votimit në shkollën fillore “Migjeni” në Mitrovicë, edhe pse dihet që qendra e tij e votimit nuk është në këtë shkollë.
Sa për ilustrim të rasteve të dyshimta të presionit nga ana e aktivistëve të AKR-së, po ju sjellim disa shembuj të dokumentuar me foto:
Bajram Kosovali, i afërt me Agim Bahtirin, po hyn nëpër qendra të votimit pa autorizim.
Disa persona me automjetin e tipit Taureg, ngjyrë hiri, me targat 01-717-HN po frekuentojnë të gjitha qendrat e votimit dhe si duket po sjellin materiale nga selia e AKR-së, gjë për të cilën tani morëm informacion se Policia e Kosovës ka vizituar zyret e AKR-së.
Një veturë tjetër e tipit Golf, me ngjyrë të zezë dhe targa 646-KS-487 po frekuenton afër qendrave të votimit, si në Shipol, Trepçë, Gushavc e shumë qendra tjera.
Pastaj vetura e tipit Toyota jep, me targa 02-221-AU, që vozitet nga shoferi i Agim Bahtirit po qarkullon afër qendrave të votimit.
Gani Rama, Drejtor i Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, aktivist i AKR-së po frekuenton qendrat e votimit në Mitrovicë.
Jeton Ujkani, Drejtor dhe i afërm i Agim Bahtirit, me veturën e tipit Golf +, ngjyrë hiri, në vazhdimësi po i frekuenton qendrat e votimit”, thuhet në kumtesën e PDK-së. /Telegrafi/
19/11/2017 12:23-Vetëvendosje bën thirrje për dalje masive në zgjedhje
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, në një konferencë për media ka vlerësuar pozitivisht procesin e deritanishëm zgjedhor, ndonëse shfaqi brengën për daljen e ulët të votuesve në balotazh.
“Dalja në këtë kohë është më e ulët se sa në rundin e parë dhe ftojmë qytetarët të dalin më masovisht për zgjedhje, pasi me votë duhet tregohet se cilin lloj të qeverisjes duan ta kenë”, ka thënë Sejdiu.
Ai tha se nga raportimet prej komisionarëve dhe vëzhguesve të Vetëvendosjes në balotazh nuk ka raportime për parregullsi dhe incidente të theksuara. /Telegrafi/
19/11/2017 12:19-Gjini: Ditë e mirë për Gjakovën
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Gjakovës ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në votime.
Ai pas votimit në qendrën e votimit në shkollën “Mustafa Bakija” në Gjakovë tha se sot është një ditë e mirë për Gjakovën.
19/11/2017 12:17-Votoi Agim Aliu, kandidati i PDK-së për Ferizaj
Kandidati për kryetar të Ferizajt nga Partia Demokratike e Kosovës, Agim Aliu, ka shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
Aliu ka votuar në Balaj, në shkollën “Pavarësia” së bashku me bashkëshorten e tij, njofton Klan Kosova.
19/11/2017 12:14-Voton Agim Bahtiri
Kandidati për kryetar komune në Mitrovicë nga Aleanca Kosova e Re, Agim Bahtiri votoi në qendrën e votimit në shkollën fillore "Harun Beka" në fshatin Gushavc.
I shoqëruar me gruan dhe familjen e tij, ai në një prononcim për media bëri thirrje që të dalin të gjithë qytetarët dhe të kryejnë obligimin e tyre.
“Mesazhi im është që të gjithë qytetarët, i madh dhe i vogël prej 18-100 vjeç të dalin të votojnë. Njëkohësisht kisha me i ftu policinë dhe hetuesinë e Kosovës që ta kryejnë punën e vet në bazë të ligjit që kanë, por edhe ndërkombëtarët të gjithë ambasadorët që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Mitrovicë sepse Mitrovica është në një situatë jo të lakmueshme nga aspekti i sigurisë”, tha ai
19/11/2017 12:13-Votoi Agim Veliu: Ftoj qytetarët të dalin të votojnë
Të drejtën e tij për të votuar tashmë e ka ushtruar edhe Agim Veliu, kandidati për kryetar të Podujevës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Veliu i ka bërë thirrje qytetarëve të Komunës së Podujevës që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.
“Unë dhe familja ime, sapo kryem obligimin qytetar, duke shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Podujevës, të dalin dhe të votojnë. Gjithashtu, i ftoj për një proces të rregullt dhe demokratik zgjedhor të gjitha palët e përfshira në këtë proces të rëndësishëm për Podujevën”, tha Veliu. /Telegrafi/
19/11/2017 12:09-Veseli fton qytetarët të dalin në zgjedhje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ftoi qytetarët që në mënyrë të qetë dhe masive të dalin të votojnë.
Veseli tha se këto zgjedhje janë për pushtet komunal prandaj do të dinë edhe të votojnë për ata që janë më të mirët.
“...T’i përgjigjen obligimit qytetar dhe të votojnë për ata që do t’i udhëheqin për katër vitet e ardhshme”, u shpreh Veseli.
19/11/2017 12:00-KQZ: Deri në ora 11.00 kanë votuar 6.90 për qind e qytetarëve (Live)
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po mbahen sot në Kosovë, deri në orën 11:00 kanë votuar 6.90 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Kjo është bërë e ditur sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha në konferencën e dytë për media, se procesi zgjedhor në 19 komuna po zhvillohet normalisht.
“Në bazë të dhënave të dërguara në mënyrë elektronike nga 96 për qind e vendvotimeve të 19 komuna të republikës së Kosovës e po ashtu dhe të komunës së Parteshit, nga 1 milion 353 mijë e 307 votues sa janë gjithsej në 20 komuna të republikës së Kosovës, deri në orën 11 kanë votuar 89 mijë e 472 votues apo 6.90 për qind e votuesve. Në raundin e parë me 22 tetor në këto 19 komuna deri në të njëjtën kohë patën votuar 118 mijë e 949 votues, apo 8.78 për qind. Duke u mbështetur në informacionet e deritashme nga qendrat e votimit procesi zgjedhor është duke vijuar normalisht”, tha ai. /Telegrafi/
19/11/2017 11:33-Ymeri bën thirrje për dalje masive në zgjedhje
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka bërë thirrje për dalje masive në zgjedhjet për balotazh në Prishtinë.
Ai tha se qytetarët do të jenë ata që do të vendosin për të ardhmen e tyre në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Prishtinës që sa më masovisht të dalin në zgjedhje, duke rëndësinë e pushtetit lokal. Qytetarët të bëhen bashkë që komuna e Prishtinës të vazhdojë të mirë qeveriset dhe të rritet si një qytet i qytetarëve, hapësira për ta do të jetë e domosdoshme për një jetë më të mirë”, ka thënë Ymeri.
19/11/2017 11:24-Mustafa: Sot është një ditë e rëndësishme për të gjitha komunat
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka votuar sot në qendrën e votimit në shkollën fillore “Emin Duraku”, ndërsa pasi kreu obligimin qytetar ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote të vendosin për të ardhmen e tyre.
Mustafa tha se sot është një ditë e rëndësishme për të gjitha komunat.
“Ndaj bindjen se të gjithë qytetarët sot do të vendosin për kandidatët më të mirë në mënyrë që ata të qeverisin....”, tha Mustafa, duke uruar që zgjedhjet të shkojnë mirë.
19/11/2017 11:21-Voton Kusari-Lila: Sot është një ditë e rëndësishme
Kandidatja për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka votuar sot në qendrën e votimit në shkollën “Yll Morina” në Gjakovë.
Kusari-Lila me këtë rast i ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin për të votuar sa më shumë pasi që ketë një proces “kredibil”, njofton Klan Kosova.
“Uroj qytetarët për një proces të përmbyllur me sukses", tha ajo.
19/11/2017 11:16-Peterle vlerëson pozitivisht procesin zgjedhor
Shefi i misionit vëzhgues të BE-së, Alojz Peterle, ka vëzhguar procesin zgjedhor në Qendrën e Votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë, i cili pati vërejtje për mungesë të qasjes së qendrave të votimit për qytetarët me aftësi të kufizuara.
Ai theksoi se procesi zgjedhor deri tash është i mirë, por sipas tij, numri i votuesve është mjaft i vogël deri tash.
“I kemi angazhuar mbi 70 vëzhgues në terren që janë duke i përfshirë të gjitha komunat e Kosovës. Ata vëzhgojnë në secilin aspekt procesit zgjedhor, nuk kanë vërejtur ndonjë pa rregulluesi deri tash. Andaj, ne kemi vëzhguar disa Qendra të Votimit këtu që kemi parë se ka disa problem për qasjen e qytetarëve me aftësi të kufizuar. Ky problem ka qenë gati në të gjitha vendvotimet. Përndryshe, procesi zgjedhor deri tash është i mirë. Dalja në votime deri tash nuk ka qenë shumë e madhe, por shpresojmë që ka me u rrit gjatë ditës”, deklaroi Peterle.
Ndryshe, Peterle, pasdite do të vëzhgojë procesin zgjedhor edhe në Gjakovë. /Telegrafi/
19/11/2017 11:10-Votojnë kandidatët për kryetar të Vushtrrisë
Kandidatët për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe Xhafer Tahiri pas votimit kanë ftuar qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit.
Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë ftuar qytetarët ta kryejnë obligimin e tyre qytetar.
Ndryshe, në Vushtrri të drejtë vote kanë 71,978.
19/11/2017 11:08-Voton Shaqir Totaj
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për postin e Kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka kryer obligimin e tij qytetar.
Ai ka hedhur votën e tij, në një nga qendrat e votimit në këtë qytet, ndërsa ka thënë se pret që dhe gjithë prizrenasit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, njofton Klan Kosova.
19/11/2017 10:45-Voton Lutfi Haziri, fton qytetarët ta kryejnë obligimin qytetar
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, sapo ka votuar në shkollën fillore “Abaz Ajeti”.
Në mesazhin para gazetarëve, Haziri kërkuar nga qytetarët që të dalin në mënyrë masive dhe ta shprehin vullnetin me anë të votimit, duke ia dhënë kontratën udhëheqësit të Komunës.
19/11/2017 10:31-Engel në KQZ: Gjithmonë do të jem mik i Kosovës

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka përgëzuar KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe me standarde të larta demokratike, duke thënë se SHBA mbështet Kosovën si shtet të pavarur dhe se ai vetë personalisht do të jetë mik i Kosovës.
Ai ka shprehur kënaqësinë e tij që ndodhet në Kosovën e pavarur, për të cilën tha se gëzon mbështetjen e madhe të SHBA-së në ndërtimin e përbashkët të demokracisë.
“Ishte koha kur njerëzit më thanë se pavarësia e Kosovës ndoshta nuk do të ndodhë dhe unë iu thashë se do të ndodhë me kohë, dhe një ditë të gjithë ne do të jemi në një Kosovë të lirë dhe të pavarur, Ja, ku jemi në Kosovën e lirë dhe të pavarur, dhe zgjedhje të lira demokratike dhe duke parë këtë se sa njerëzit kujdesen për demokracinë dhe jo më bën mua shumë special. Siç e dini SHBA është mbështetës i madh i Kosovës dhe unë do të bëj çdo gjë është në fuqinë time për të siguruar se të dyja vendet janë duke punuar së bashku dhe për të ndërtuar demokracinë së bashku”, ka thënë ai.
Ai ka përkujtuar se vota është një e drejtë e rëndësishme e demokracisë dhe përgjegjësisë, dhe është dëshmi se demokracia po vepron.
"Unë gjithmonë do të jem mik i Kosovës. Unë kam qenë këtu para shpalljes së pavarësisë, isha i lumtur të shohë pavarësinë dhe të shohë kombin duke u rritur në liri dhe demokraci. Është nder dhe kënaqësi për mua të jem në Kosovë dhe e di se do të keni zgjedhje të mira dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës”, ka thënë ai.
Engel tha se është me rëndësi që zgjedhjet të tregohen kredibile dhe të kalojnë në atmosferë të qetë dhe pa dhunë.
Ndryshe, kongresmeni amerikan gjatë ditës ka vizituar edhe Demokracinë në Veprim. /Telegrafi/
19/11/2017 10:30-Ahmeti: Me votë qytetarët vendosin për fatin e tyre
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti pasi votoi në qendrën e votimit në shkollën “Faik Konica” tha se sot është një ditë e rëndësishme, pasi qytetarët vendosin për fatin e tyre.
Ai i ftoi qytetarët të dalin të votojnë pasi votimi lidhet direkt me jetën e tyre.
“I ftoj qytetarët të dalin të votojnë në numër sa më të madh sepse është dita kur të gjithë e kanë të drejtën të vendosin për fatin e tyre sepse komuna i prek jetën e qytetarëve në shumë mënyra...”, tha Ahmeti.
19/11/2017 10:19-Abdixhiku: Procesi zgjedhor po shkon në rregull
Zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se LDK në këto qendra ku garon ka mbi një mijë komisionarë dhe mbi 3 mijë vëzhgues.
“Deri tani nga informatat që kemi procesi është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt. Jemi të bindur se qytetarët sot në mënyrë masovike do t’i përgjigjen votimit. Jemi të lumtur që procesi ka filluar në mënyrë të rregullt dhe pa incidente”, tha Abdixhiku.
Ai njoftoi për orën se ku do të votojnë kandidatët e LDK-së për kryetar të komunave.
Abdixhiku bëri të ditur se gjatë gjithë ditës do të mbajnë konferenca për të njoftuar për rrjedhën e procesit zgjedhor. /Telegrafi/
19/11/2017 10:17-Haradinaj fton qytetarët të dalin të votojnë
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se rëndësia e daljes në votime është shumë e madhe, pasi Kosovën e presin shumë punë.
Ai ftoi qytetarët që të dalin të votojnë, pasi sipas tij me këtë vendim të tyre jetojnë katër vjet.
“Kosovën e presin shumë punë. Po ata që i marrin përgjegjësinë duhet ta kenë legjitimitetin e qytetarëve. Andaj i lus qytetarët që të mos e neglizhojnë por të dalin të votojnë”, tha Haradinaj. /Telegrafi/
19/11/2017 10:00-DnV: Pati vonesa në hapjen e disa qendrave të votimit
Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me praninë e vëzhguesve të saj në të gjitha 1777 vendvotimet në territorin e Kosovës.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin e DnV
Hapja e vendvotimeve
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave po zhvillohet në 614 Qendra Votimi me 1777 Vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 12 vendvotimeve, 50% e të cilave lidhen me vonesën e komisionerëve. Komunat ku ka pasur vonesë në hapje janë Prizreni (në 5 raste), Suharekë (në 3 raste), Prishtinë (në 2 raste) dhe Klina dhe Rahoveci (nga një rast).
Në qendrën e votimit 2042 A në vendvotimin 07R në shkollën e 11 Marsi në komunën e Prizrenit, kryesuesi i vendvotimit nuk është paraqitur në vendvotim deri në orën 7:30. Procesi më pastaj ka rrjedhur normalisht.
Prania e materialit propagandues
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda diametrit prej 100m të Qendrës së Votimit. Kjo dukuri e sanksionuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), nenin 85, është vërejtur në 19 Qendra Votimi ose 3 % të QV në nivel vendi.
Komunat ku janë shënuar këto raste janë: Gjilani, Podujeva, Prizreni, Suhareka (me nga 3 raste), Malisheva (me 2 raste).
Disponueshmëria e materialit zgjedhor
Nga terreni raportohet se në 3.4% të vendvotimeve (ose 60 VV) në nivel vendi kanë munguar materialet zgjedhore. Prijnë komuna e Gjilanit dhe Mitrovicës (me nga 8 raste), Klina dhe Prishtina (me nga 7 raste) dhe Gjakova (6 raste).
Në 10 vendvotime në nivel vendi vëzhguesit e DnV-së, kanë raportuar për prani të më pak se tre komisionerëve në vendvotim. Komunat ku kjo dukuri ka qenë më e shprehur janë: Prizren (në 3 raste), Rahoveci (në 2 raste).
Prania e personave të paautorizuar në vendvotim
Prania e personave të paautorizuar është vënë re në 44 raste, ose 2.6% të vendvotimeve e shprehur më shumë në komunat e Mitrovicës (në 7 raste), Prishtinës, Gjakovës dhe Gjilanit (në 6 raste).
Parregullsi tjera të shënuara
Qendra e votimit 0805 C në shkollën “Ali Krasniqi” në komunën e Klinës në ora 07:45 është goditur nga jashtë me gurë, duke i dëmtuar derën e hyrjes. Policia ka qenë në vendin e ngjarjes, autorët nuk janë identifikuar.
Është raportuar për raste ku disa persona kanë votuar jashtë kabinës së votimit, në shkollën “Hysni Zajmi”, QV 0606C, vendvotimi 04R në komunën e Istogut.
Ndryshe, DnV iu bën thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve të partive politike dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor të jenë të përkushtuar për të përmbushur obligimet e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
DnV rikujton se çdo shkelje gjatë ditës së votimit, procesit të numërimit dhe në përgjithësi gjatë tërë procesit zgjedhor është i dënueshëm deri në 5 vite burgim. /Telegrafi/
19/11/2017 09:44-Engel viziton DnV, thotë se SHBA-të do të jenë në mbështetje të Kosovës
Kongresmeni amerikan, Eliot Engel sot ka vizituar Demokracinë në Veprim, ndërsa pasi u njoh me procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve nga DnV tha se është krenar me partneritetin e Kosovës me SHBA-të.
Ai tha se është emocionuese mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Kosovë, pasi kujtoi kohën kur në vitin 1996 ishin përpjekur të organizojnë zgjedhjet në Kosovë, por që autoritetet serbe nuk e kishin lejuar të hyjnë.
“Është kënaqësi të jem në një Kosovë të lirë dhe demokratike. E kam thënë për shumë dekada se Kosova do të jetë vend i lirë dhe demokratik dhe ja ku jemi”, tha Engel.
Ai tha se SHBA-të do të jenë në mbështetje të Kosovës. /Telegrafi/
19/11/2017 09:02-Prokurori i Shtetit në mbrojtje të votës
Prokurori i Shtetit, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës lidhur me procesin zgjedhor për balotazh, që është duke u mbajtur sot, në nëntëmbëdhjetë komunat e Republikës së Kosovës.
Në bazë të kompetencave ligjore, Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, ka caktuar një koordinator në nivel të shtetit dhe një zëvendës koordinator, si dhe shtatë koordinatorë për rajonet e Kosovës.
Prokurori i Shtetit, nëpërmjet një komunikate për media, ka bërë të ditur se që nga ora shtatë e mëngjesit e ditës së sotme në nëntëmbëdhjetë komunat e Republikës së Kosovës, ka angazhuar 55 prokurorë, të cilët do të përcjellin për së afërmi situatën gjatë procesit zgjedhor dhe janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë aty ku do të paraqiten pengesat në procesin zgjedhor.
Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile të Republikës së Kosovës, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria. /Telegrafi/
19/11/2017 08:43-Zyrat e Avokatit të Popullit të hapura
Institucioni i Avokatit të Popullit të dielën, më 19 nëntor, ditën kur zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës, do të mbaj të hapur zyrën qendrore në Prishtinë dhe zyrat regjionale.
Sipas IAP-së, qëllimi i mbajtjes hapur të zyrave të IAP-së gjatë procesit të votimit, ditën e zgjedhjeve, është pranimi i ankesave eventuale nga qytetarët, përkitazi me pretendimet për shkelje të votës apo cenim a keqpërdorim të të drejtave të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi.
“Adresat e zyrave të IAP-së, janë si në vijim: Zyrën Qendrore në Prishtinë (rr. “Migjeni”, nr. 21), si dhe zyrat regjionale: në Prizren (Rr. “Remzi Ademi”, pn.), Gjilan (Rruga “Bulevardi i Pavarësisë" (ish ndërtesa e gjykatës) p.n.), Pejë (Rruga “Mbretëresha Teutë”, Nr.59, Ndërtesa e Komunës,Kati III, nr. 3), Mitrovicë (Rruga " Afrim Zhitia" p/n (ndërtesa regjionale e Administratës Pensionale), kati i 3-të, zyret nr. 11 dhe 12), në Mitrovicën Veriore (Rr. "Sami Frashëri", pn., Lagja e boshnjakëve, Ndërtesa e ZAK), Ferizaj (Ndërtesa e Komunës, në përdhesë), Gjakovë (Rr. "Ismail Qemali", ish ndërtesa e Kadastrës), Graçanicë (rr."Car Lazari" p.n.”, thuhet në njoftimin për media.
Zyra Qendrore dhe zyrat regjionale do të jenë të hapura nga ora 07:00 në mëngjes e deri në përmbyllje të procesit të votimit.
19/11/2017 08:21-Daka: Janë hapur me kohë të gjitha vendvotimet
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka në konferencën e parë për media, ka bërë të ditur se janë hapur me kohë të gjitha vendvotimet për raundin e dytë të zgjedhjeve që po zhvillohen në 19 komuna të Republikës e Kosovës.
“Në bazë të të dhënave të dërguara nga qendrat e votimit për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës ku mbahen zgjedhjet, në orën 07:00 janë hapur me rregull të gjitha qendrat dhe votimit dhe vendvotimit", ka thënë Daka.
Daka tha se në orën 9 KQZ-në do ta vizitojë kongresmeni amerikan Eliot Engel.
19/11/2017 07:59-Mësoni se ku mund të votoni
Përmes ueb-faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës mund të gjejnë online vendvotimin e vet.
Për të mësuar se ku do të votoni, vetëm shkruajeni numrin personal të letërnjoftimit tuaj në këtë link.
19/11/2017 07:37-Kryetarja e KQZ-së fton qytetarët të dalin të votojnë
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka votoi sot pas hapjes së qendrave të votimit, ndërsa tha se përfundimin e balotazhit po përmbyllet procesi i zgjedhjeve për 2017.
Daka tha se shpreson që edhe balotazhi do të kalojë në frymë të qetë, demokratike e të lirë si zgjedhjet e 22 tetorit.
“I ftoj të gjithë qytetarëve të dalin të votojnë. Uroj të jetë ditë e qetë dhe demokratike”, tha Daka, raporton Telegrafi.
Sipas saj deri në këto momente nuk ka pasur raportime për probleme eventuale dhe sipas saj, në ora 07:00 do të duhej të hapeshin të gjitha qendrat e votimeve.
E pyetur se a është sfiduese që brenda këtij viti u organizuar zgjedhjet lokale dhe ato qendrore, Daka tha se natyrisht kjo për KQZ-në është sfiduese, por ia kanë dalë mirë. /Telegrafi/
19/11/2017 07:34-Nis votimi në 19 komuna
Ashtu siç është paraparë në këto momente hapen 614 qendra të votimit në 19 komunë të Kosovës, ku do të votohet në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Janë 1 milion e 353.613 persona me të drejtë vote që do ta kenë mundësinë të votojnë për ta zgjedhur kryetarin e tyre të komunës.
Në 1.777 vendvotime, KQZ ka angazhuar më shumë se 14 mijë komisionerë.
Kurse, janë më shumë se 12 mijë vëzhgues të akredituar, të cilët do ta përcjellin nga afër procesin zgjedhor në 19 komuna, si dhe rivotimin në komunën e Parteshit, ku janë tri qendra të votimit me gjithsejtë shtatë vendvotime, në të cilat kanë të drejt vote 4.694 persona.
19/11/2017 07:34-Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, votohet në 19 komuna
1.353.613 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote, do të mund të votojnë nga ora 07:00 deri në ora 19:00, kur mbyllen qendrat e votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bëtë të gjitha përgatitjet që procesi i balotazhit në 19 komuna të zhvillohet në mënyrë të rregullt.
Numri i votueseve në 19 komunat që kanë të drejt vote është 1.353.613, të cilët janë të shpërndarë në 614 qendra të votimit me gjithsej 1.777 vendvotime.
KQZ ka angazhuar më shumë se 14 mijë komisionerë. Kurse, janë më shumë se 12 mijë vëzhgues të akredituar, të cilët do ta përcjellin nga afër procesin zgjedhor në 19 komuna, si dhe rivotimin në komunën e Parteshit, ku janë tri qendra të votimit me gjithsejtë shtatë vendvotime, në të cilat kanë të drejt vote 4.694 persona.









































