Laura Wadha, regjisore skoceze e filmit me origjinë siriane, ka jetuar prej kohësh me familje në Skoci. Por, babai i saj gjithmonë ka dashur që fëmijët të jenë të lidhur me vendin e origjinës.
Në dokumentarin që do të shihni më poshtë, shihen skenat e viteve 1997, 2007 … dhe 2010 – kur regjisorja ishte për herë të fundit në Siri. Xhirimet shfaqin jetën normale, familjet dhe fëmijët e lumtur. Regjisorja thotë se ende e ndien aromën e jaseminit, me të cilën e identifikonte vendin prej nga e kishte prejardhjen.
Në ato imazhe të xhiruara me kamerë amatore, që janë bërë për t’i parë shokët dhe shoqet në Skoci, shihet edhe kushërira e saj Lujain. Laura dhe ajo komunikojnë për herë të parë pas dhjetë vjetësh, përmes rrjeteve sociale. Lujaina jeton në Kanada, si shumë familjarë të tjerë që janë shpërndarë anembanë botës – shkaku i luftës civile që shkatërroi Sirinë. Kur janë larguar, kanë pasur kohë vetëm për një valixhe të vogël. Kujtimet mbetën në Siri.
Pra, Lujaina nuk ka më kujtime nga Siria. Xhirimet e vjetra që sheh janë dëshmi e një jete tjetër që ka ekzistuar. Por, nuk mban mend. Ajo ende vuan nga traumat e luftës dhe ka harruar kohët që ka kaluar bashkë me familjarët dhe me Lauran. Dhe, lufton për të krijuar kujtime të reja të mira.
Kur rilidhen, kushërirat i kujtojnë bisedat reale të bëra në paqe dhe ato virtuale nga koha kur bota përmbyset për banorët e Sirisë. Laura dhe Lujaina e rindërtojnë miqësinë e tyre dhe reflektojnë se si lufta vazhdon të ndikojë në çdo marrëdhënie, edhe shumë kohë pasi ajo të përfundojë. /Telegrafi/