Site icon Telegrafi

Si t’i shpjegohet fëmijës kuptimi i vdekjes?

I biri juaj gjashtëvjeçar ju pyet: A do të vdesësh ti një ditë?” Në fillim nuk dini se çfarë t’i thoni. Pyesni veten: Si të bisedohet me fëmijën për vdekjen? A është ai mjaft i pjekur për bisedë të këtillë lidhur me temën aq të vështirë?

Fëmijët mendojnë për vdekjen. Disa vogëlushë madje bëjnë lojëra në të cilat dikush nga ta aktron të vdekurin. Prandaj mos iu shmangni bisedës lidhur me vdekjen. Thoni fëmijës që lirisht t’ju pyesë për çdo gjë që i intereson lidhur me këtë temë.

Nëse kohë pas kohe do të bisedoni haptas me fëmijën lidhur me vdekjen, do t’i ndihmoni që më lehtë të përballojë humbjen kur të ballafaqohet me vdekjen e personit të dashur, transmeton Telegrafi.

Vdekja, si t’i përgjigjemi?

Pyetjet e fëmijëve përreth vdekjes ju vendosin në vështirësi. Pyesim përherë nëse është e domosdoshme t’a konsumojmë këtë argument kaq të pakëndshëm. Përgjigja është PO, edhe pse mund të mos jemi gati.

Çdo moshë ka pyetjet e veta:

* Deri në moshën 2-vjeçare fëmijët nuk e njohin fjalën vdekje. Ndiejnë mungesën e ndarjes. Nga 2 -3 vjeç, fëmija fillon të flasë për vdekjen në lodrat e veta. Vdekja në këtë moshë si koncept krijon idenë e palëvizshmërisë. Ajo që është e vdekur nuk lëviz më. Kjo temë nuk provokon akoma ndenja ankthi.

* Pas moshës 3-vjeçare fëmija fillon të shohë “vdekjet” e vogla të përditshme si gjethet që bien, kafshët që nuk jetojnë përjetësisht. Argumente për të folur për jetën dhe vdekjen janë të shumta për të diskutuar.

* Pas moshës 4-5 vjeçare fëmija fillon të kuptojë se vdekja është e pakthyeshme. Ai ndjen se duhet t’a përfaqësojë nëpërmjet vizatimeve si fantazmat, mostrat, apo varrezat.

* Pas moshës pesë vjeçare fëmija fillon të dijë më shumë se kaq. Pyet se ku shkon vdekja, nëse edhe ai do të vdesë, apo nëse mamaja e tij do të vdesë edhe ajo?

Heshtja, ashtu si edhe gënjeshtrat lënë shenjë të pashlyeshme në kujtesën e një fëmije. Duhet folur në një mënyrë të qartë dhe të prerë dhe është e domosdoshme prania e një personi tepër të dashur për fëmijën. Është e dëmshme të jepen shpresa të kota me fjalët “gjyshi ka shkuar për një udhëtim të gjatë, ose qeni yt ndodhet në qiell”. Duhet folur për vdekjen në momentin kur ajo ka ndodhur me fjalë të thjeshta dhe fraza të vërteta.

Të pyet nëse edhe ti do të vdesësh. Pyetja e tij do të të tronditë, nuk ishe e përgatitur për këtë gjë. Përgjigju se është një temë e rëndësishme për të cilën do të flisni më vonë. Pak më vonë tregoji ciklet e jetës. Të gjithë jemi qenie të vdekshme dhe kjo është pjesë e ekzistencës. I thuaj njëherësh se do të jetojë edhe shumë vite të tjerë dhe ata që nuk jetojnë më mbeten në kujtimet tona.

Si mund t’i japim lajmin për vdekjen e personit të dashur?

Mos prit që dikush tjetër t’i japë lajmin e hidhur dhe të dhimbshëm. Në një moment qetësie shpjegoi qartë situatën. Gjyshi nuk është larguar, nuk është në qiell, nuk do të kthehet më kurrë: Ka vdekur. Është e rëndësishme të përdoret fjala “vdekje”, e vetmja që i jep mundësinë fëmijës të përballojë realitetin. Metaforat, ose sinonimet lenë shpresë për një rikthim të mundshëm.

Fëmija është pjesë e familjes dhe në ç’do moshë që të jetë, vdekja e një të afërmi i përket edhe tij. Edhe nëse je e tronditur nga vdekja, mos e largo fëmijën gjatë periudhës që quhet dhimbje. Mos harro t’i tregosh dhimbjen tënde. Tregoji se edhe gjyshi ka qenë dikur fëmijë, shihni së bashku fotot e tij, por mos prit që fëmija të të ngushëllojë. Nuk është ky roli i tij!

A duhet çuar në varrezë? Psikologët favorizojnë vajtjen. Por duhet respektuar edhe dëshira e tij, nëse dëshiron. Mendohet se është një provë e vërtetë që i tregon fëmijës se personi për të cilin flitet nuk jeton më.

Në këtë mënyrë fëmija mendon se i vdekuri është në një vend të caktuar dhe nuk i jep udhë të lirë fantazisë së tij. Ndarja e njerëzve të gjallë dhe të vdekur është i qartë në momentin kur kryhet funerali.

Humbja e një kafshe të dashur

Ndodh që humbja e një kafshe të dashur është kontakti i parë me vdekjen. Duhet kuptuar rëndësia e këtij momenti në jetën e një fëmije. Duhet shpjeguar humbja: qeni ishte i vjetër, i sëmurë, ne u munduam të shpëtonte…

Thuaji se kupton dhimbjen e tij. Përpiqu mbi të gjitha të mos e banalizosh vdekjen e kafshës së dashur. Fëmijët traumatizohen nëse kuptojnë se prindërit nuk respektojnë dhimbjen e tyre.

Propozoji t’i gjeni së bashku një vend për t’a respektuar deri në fund. Shpjegoji se qeni do të jetë përherë në zemrën e tij, por në ndryshim nga njerëzit ai nuk është i pazëvendësueshëm. Pas njëfarë kohe ai mund të shfaqë dëshirën për një qen tjetër edhe kjo është krejtësisht normale. /Telegrafi/

 

Exit mobile version