Si shkoi dita e dytë e vizitës së Ivanka Trumpit në Vlorë

Ka vijuar sot në ditën e saj të dytë, vizita e Ivanka Trump në Vlorë. Ndryshe nga dita e parë, kjo e enjte ka pasur një axhendë më të qetë për vajzën e presidentit amerikan, Donald Trump.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Vlora, gazetarja e Klan News, Greta Haskaj, raportoi se Ivanka Trump është parë duke dalë nga hoteli ku qëndronte dhe duke shëtitur në vijën bregdetare të zonës së Ujit të Ftohtë, nën masa të rrepta sigurie.
Ajo ka zhvilluar gjithashtu vizita në zonën e Zvërnecit dhe pranë Manastirit të Zvërnecit, ku janë mbajtur takime të shkurtra.
Axhenda e vizitës së saj pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme. Gjatë qëndrimit në Vlorë, Ivanka Trump është shoqëruar nga grupe të ndryshme arkitektësh, të cilët kanë vizituar qytetin dhe zonat përreth së bashku me të.
Kujtojmë se një ditë më parë, vajza e presidentit Trump ndodhej në Vlorë së bashku me rreth 80 arkitektë, vendas dhe të huaj. Vizita e saj lidhet drejtpërdrejt me investime strategjike në sektorin e turizmit në Shqipëri.
Edhe ditën e djeshme ajo ka zhvilluar takime me studio arkitekturore, ku janë diskutuar mënyrat e realizimit të projekteve turistike në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.
Sjellim nhdërmend se bashkëshorti i saj, Jared Kushner, ka përfituar statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar, pas prezantimit të projektit të tij turistik në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, territor që më parë është përdorur si bazë ushtarake. Vlera e investimit parashikohet të arrijë në rreth 1.4 miliardë euro.
Projekti parashikon ndërtimin e një marine turistike, strukturash akomoduese elitare, rezidencash me standarde të larta, si edhe zonash gastronomike dhe hapësirash rekreative me shërbime të dedikuara për turistët./Tv Klan




















































