LAJMI I FUNDIT:

Më shumë se 16 mijë raste të reja me COVID-19 raportohen në Britani të Madhe

Më shumë se 16 mijë raste të reja me COVID-19 raportohen në Britani të Madhe

Britania e Madhe ka regjistruar më shumë se 16 mijë raste të reja nga coronavirusi, bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara të shtunën; ndërsa një ditë më parë raportoi 15 mijë sosh.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, shkalla e infeksionit në vend është rritur ndjeshëm javëve të fundit, duke bërë që kryeministri britanik, Boris Johnson, si dhe udhëheqës të tjerë rajonalë të vendosin kufizime më të rrepta dhe bllokime lokale.

Numri i përgjithshëm i të prekurve në Britani të Madhe u rrit në 705 mijë, derisa janë shënuar deri më tani rreth 43 mijë viktima.


Vala e dytë e coronavirusit në Evropë mori një kthesë dramatike për keq këtë javë, duke detyruar qeveritë në të gjithë kontinentin të bëjnë zgjedhje të vështira pasi më shumë se një duzinë vendesh raportuan numrin e tyre më të lartë të infeksioneve të reja.

Në Francë, 18 milionë njerëz në nëntë qytete të mëdha rrezikojnë një gjobë nga e shtuna nëse nuk janë në shtëpi deri në orën 21:00.

Në Republikën Çeke, shkollat janë mbyllur dhe studentët e mjekësisë po regjistrohen për të ndihmuar mjekët. Të gjithë baret dhe restorantet holandeze janë të mbyllura.

Gjithashtu Austria, Belgjika, Republika Çeke, Franca, Gjermania, Holanda dhe Polonia janë midis vendeve që kanë “thyer rekordin për të dhënat ditore të rasteve”, duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të bëjë thirrje për një përpjekje “pa kompromis” për të ndaluar përhapjen. /Telegrafi/