Komuna e Shtimes ka nisur përgatitjet për ndërtimin e një sheshi dhe një parkingu nëntokësor në Shtime. Ndërkohë drejtuesit e kësaj komune kanë mbajtur edhe takime konsultative me një pjesë të qytetarëve.

Kryetari Aliu, ka njoftuar për procedurat që do të vazhdojnë për realizimin e këtij projekti.


Zyra për informim në këtë komunë ka njoftuar se , “Gjatë fjalës së tij, kryetari Aliu tha se objekti në fjalë do të shpallet zonë me interes publik, por duke respektuar në plotëni të drejtat e pronarëve të pronave private. Ai garantoi se të gjithë pronarët do të kompensohen në mënyrën më të drejtë të mundshme, duke pasur parasysh parimet e transparencës dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban, Grejtaalb Emini, citohet të ketë thënë se ai ka informuar të pranishmit për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për realizimin e këtij projekti. Emini, ka shpjeguar edhe për fazat teknike dhe administrative që do të pasojnë, duke siguruar qytetarët se çdo veprim do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/