Në orën 19:00 është mbyllur zyrtarisht votimi për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime në nivel kombëtar, deri në orën 18:00, ka qenë 41.29%, një shifër kjo pak më e ulët se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku pjesëmarrja në zgjedhje ishte në nivelin 45.41%, të rreth 3,6 milion zgjedhësve që ishin thirrur për të votuar.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, do të mbeten hapur vetëm ato qendra votimi, ku vihet re se ka ende një numër zgjedhësish që janë në rradhë për të votuar.


Dita e zgjedhjeve ka qenë përgjithsisht e qetë, me disa incidente sporadike në zona të veçanta. Janë ndaluar nga policia dhe janë referuar për hetime të mëtejshme në SPAK edhe disa shtetas si dhe figura politike me akuza për fotografim të votës dhe publikimit të saj në rrjetet sociale, kanosje ndaj votuesve, dhunim të komisioneri në qendrat e votimit etj.

Pas mbylljes së kutive të votimit, ato mbi bazën e dokumentacionit përkatës dërgohen nëpër KZAZ ku pas marrjes në doerëzim do të fillojë edhe  procesi i numërimit të votave.

Procesi i numërimit pritet të përfundojë brenda 48 orëve, fillimisht për partitë politike dhe koalicionet dhe më pas numërimi do të vijojë për kandidatët për deputetë që garuan mbi bazën e listave të hapura.

E reja në këto zgjedhje ishte dhe pjesëmarrja e diasporës në votim, proces ky që ndodh për herë të parë. Rreth 93% e zgjedhësve nga diaspora  morën fletën e votimit, dhe 81% e tyre e kanë plotësuar dhe kthyer në KQZ, duke përfaqësuar 74% të të gjithë votuesve nga diaspora.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes dhe forcimit të lidhjeve me shqiptarët kudo në botë, duke garantuar që zëri i çdo qytetari shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve, të dëgjohet dhe të respektohet”, komentoi Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit i monitoruan nga një numër i madh vëzhguesish, për të garantuar që çdo veprim të ishte në përputhje me standardet më të larta të demokracisë dhe transparencës: 2,412 vëzhgues vendas nga 45 organizata vendase; 925 vëzhgues të huaj nga 30 organizata dhe institucione ndërkombëtare; 2,120 vëzhgues afatgjatë dhe 1,217 vëzhgues afatshkurtër; 54 media vendase dhe të huaja, ishin në terren për të ndjekur dhe raportuar mbi ecurinë e procesit zgjedhor.

Diaspora ka votuar dhe përmes postës votat kanë mbërritur në vendin tonë dhe do të numërohen nga KQZ pas mbylljes së procesit të votimit në vend./Telegrafi/

11/05/2025 18:01-Komisioni Rregullator rrëzon kërkesën e PS, nuk shtyhet orari për votimin në Vlorë

Komisioni Rregullator nuk ka shqyrtuar kërkesën e PS për shtyrjen e orarit të votimit në Vlorë. Ishte PS që bëri këtë kërkesë pasi disa rrugë ishin të bllokuara për shkak se u zhvillua etapa e tretë e “Giro d’Italia”. Anëtarët e opozitës u larguan nga mbledhja, Komisioni Rregullator, duke theksuar se nuk ka kuorum.

11/05/2025 17:36-Përplasjet në Vorë, merret nën hetim Flamur Noka

Ka nisur procedimi në gjendje të lirë për Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së Flamur Noka. Siç bën me dije Policia, incidenti i ndodhur në qendrën e votimit në Vlorë është referuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa materialet do të dorëzohen edhe në SPAK. Noka është kallëzuar për pengim dhe kanosje të ushtrimit të vullnetit politik të zgjedhësve. Lajmi i plotë Këtu

11/05/2025 16:27-Incidenti me Flamur Nokën në Vorë, Celibashi shkarkon të gjithë vëzhguesit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka dalë me një vendim në lidhje me incidentin që u regjistrua më herët në KZAZ e Vorës, ku pati dhe një përplasje me deputetin demokrat Flamur Noka. Në mbledhjen e KQZ, u vendos revokimi i akreditimit të të gjithë vëzhguesve për KZAZ-në, KQV-të dhe VNV-të në Vorë. Ndërkohë që aty do të qëndrojnë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe mediat.

11/05/2025 15:57-Sherr mes dy personave në qendrën e votimit në Fushë Milot, dyshohet për të shtëna me armë

Një sherr mes dy personave pranë një qendre votimi në Fushë Milot dyshohet se ka përshkallëzuar në përdorimin e armëve, raporton A2 CNN. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në qendrën e votimit 0871 në Shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori” në Fushë Milot. Mësohet se dy personat e konfliktuar janë Kastriot Preng Perdoda dhe Asti Lleshi. Konflikti ka nisur brenda perimetrit të sigurisë në forme debati me fjale dhe ke përfunduar jashtë perimetrit të sigurisë. Sipas informacioneve paraprake shtetasi Kastriot Perdoda dyshohet se ka shtënë një herë në ajër me armë zjarri, jashtë perimetrit të sigurisë. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes

11/05/2025 15:56-Pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00, qarqet që kryesojnë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat mbi pjesëmarrjen në votimet e 11 majit, deri në orën 15:00. Në rang vendi, pjesëmarrja ka arritur në 32.98%, me gjithsej 515,996 zgjedhës që kanë votuar. Sipas të dhënave, Qarku i Dibrës kryeson për nga përqindja e pjesëmarrjes, me 38.97% të votuesve që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor deri në këtë orë. Pas saj renditen Kukësi me 37.42% dhe Tirana me 37.22%, që mbetet edhe qarku me numrin më të lartë të votuesve në total, 160,620 persona. Në skajin tjetër të renditjes qëndron Vlora, ku pjesëmarrja është më e ulëta në vend, me vetëm 23.85%, ose 31,439 votues, që kanë votuar deri në orën 15:00. Pjesëmarrja në qarqet e tjera paraqitet si më poshtë: BERAT: 19,810 votues – 31.84% DURRËS: 61,753 votues – 30.51% ELBASAN: 44,593 votues – 33.67% FIER: 54,110 votues – 33.83% GJIROKASTËR: 15,793 votues – 30.90% KORÇË: 51,648 votues – 32.61% LEZHË: 16,390 votues – 32.04% SHKODËR: 31,016 votues – 28.61%

11/05/2025 15:30-Voton në ambientet e paraburgimit të Durrësit, kryebashkiaku Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Ai votoi në orarin e përcaktuar nga administrata e institucionit, në përputhje me rregullat dhe procedurat për votimin e personave që ndodhen në paraburgim. Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste. I burgosur pa gjyq, Veliaj u kërkoi qytetarëve që kur të shkojnë për të votuar, të kujtojnë pak si ishte Tirana dhe si është sot. Lajmi i plotë KËTU.

11/05/2025 15:00-Voton kreu i KQZ, Celibashi: Të qëndrojnë larg QV-ve ata që s’kanë lidhje me procesin

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, në kryeqytet. Celibashi votoi pak pasi vizitoi disa qendra votimi në Vorë, ku më parë u raportuan incidente dhe përplasje mes Flamur Nokës e aktivistëve të PS, e nga ku bëri thirrje që kandidatët të qëndrojnë larg qendrave të votimit dhe të shmangin presionet ndaj zgjedhësve. Sakaq, pas votimit, Celibashi foli sërish për mediat duke thënë se ata që shkelin ligjin në lidhuje me procesin zgjedhor do të mbahen përgjegjës nga institucionet përkatëse. Lajmi i plotë KËTU.

11/05/2025 14:59-Belinda Balluku voton në Fier, apel qytetarëve: Përdoreni votën, mos e çoni dëm

Zëvendës Kryeministrja dhe ministrja e infrastrukturës dhe energjetikës, Belinda Balluku ishte këtë të diel në Fier ku ka ushtruar të drejtën e votës. Pas procesit të votimit, Belinda Balluku foli për mediat ku tha se: “Përshëndetje të gjithëve! Do i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të përdorin votën e tyre për të votuar sot e të mos e çojnë dëm pasi është një përgjegjësi qytetare e cila duhet ushtruar në një system demokratik siç është Shqipëria dhe në të gjithë aspiratën tonë për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian”,-tha Balluku.

11/05/2025 14:44-Rritet pjesëmarrja në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat më të fundit për pjesëmarrjen në votimet e 11 majit. Deri nëorën 14:00, në nivel kombëtar kanë votuar 550,066 zgjedhës, duke përfaqësuar 29.74% të elektoratit. Sipas të dhënave të KQZ-së, Tirana mban vendin e parë për nga numri i votuesve dhe përqindja më e lartë të pjesëmarrjes, me 163,292 zgjedhës që kanë ushtruar të drejtën e votës, që përbën 33.93% të votuesve të regjistruar në këtë qark. Pas Tiranës, renditet Dibra me një pjesëmarrje 33.85%, ndonëse me një numër më të vogël votuesish 17,489. Në krahun tjetër, Vlora mbetet qarku me pjesëmarrjen më të ulët në vend, ku vetëm 31,512 zgjedhës kanë votuar, duke përfaqësuar 21.10% të trupës elektorale të këtij qarku. Lajmi i plotë KËTU.

11/05/2025 14:29-“Po"-ja për njëri-tjetrin dhe për Shqipërinë – nusja dhe dhëndri votojnë në ditën e tyre të dasmës

Në një ngjarje të pazakontë, një çift i ri në Elbasan ka vendosur të ushtrojë të drejtën e tij të votës gjatë ditës së dasmës. Në një moment të veçantë, nusja dhe dhëndri janë parë duke hyrë së bashku në një qendër votimi, duke ushtruar të drejtën e tyre të votës. Të veshur me veshje tradicionale, dasmorët kanë ndarë gëzimin e tyre me të pranishmit, duke krijuar një imazh të bukur dhe simbolik të bashkimit të jetës dhe angazhimit qytetar. https://www.youtube.com/watch?v=o3WuSSRDS8s

11/05/2025 13:18-Dibra kryeson pjesëmarrjen në zgjedhje, mbi 22% e qytetarëve kanë votuar deri në mesditë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të dhënat më të fundit mbi pjesëmarrjen në zgjedhjet e kësaj të diele deri në orën 12:00, ku qarku i Dibrës rezulton me përqindjen më të lartë të votuesve. Sipas KQZ-së, në Dibër kanë votuar 25% e zgjedhësve, duke e renditur këtë qark të parin për nga pjesëmarrja. Pas saj vjen Tirana me 24.41% dhe në vend të tretë Lezha me 23.49%. Deri në orën 12:00, pjesëmarrja në rang vendi ka arritur në 22.37% të votuesve. Ndërkohë, KQZ njofton se vazhdon procesi i pranimit të zarfeve me vota nga Diaspora. Nga 245,935 zgjedhës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, deri tani kanë votuar 187,916 qytetarë. KQZ pritet të publikojë përditësime të tjera gjatë ditës për të ndjekur dinamikën e pjesëmarrjes në këtë proces zgjedhor.

11/05/2025 12:58-Meta voton në burg dhe dërgon mesazh politik: Vota e lirë tmerron pushtetin

Ndryshe nga vitet e tjera kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kësaj here ka votuar në burgun e Fierit. “Unë sapo votova sepse sot është një ditë historike për të gjithë ju dhe për Shqipërinë tonë!”, u shpreh Meta në një postim të publikuar në Facebook menjëherë pas votimit. Ai ka bërë të ditur se kishte rënë dakord me administratën për të votuar në orën 10:00, në prani të mediave, por sipas tij, ato nuk janë lejuar të hyjnë në qendrën e votimit pas njoftimeve se Meta kishte dalë i veshur kuq e zi. “Në respekt të interesimit të mediave… isha dakordësuar prej dy ditësh me administratën që të votoja në orën 10:00. Por sapo patronazhistët njoftuan se unë dola i veshur Kuq e Zi… gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit”, deklaroi ai. Meta sulmoi ashpër qeverinë, të cilën e quajti “narkoregjim”, dhe u shpreh se ngjyrat kuq e zi janë kthyer në simbol frike për ata që sipas tij kanë frikë nga liria dhe vota e lirë. Lajmi i plotë KËTU.

11/05/2025 12:43-Incidente në Vorë, Noka përplaset me aktivistin e PS

Tensione të larta janë regjistruar në qendrën e votimit nr. 27, në qytetin e Vorës, ku protagonist është bërë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe një nga aktivistët e Partisë Socialiste. Në pamjet e siguruara nga A2 CNN shihet se i thotë aktivistit të PS “je horr dhe ushtar i Xhabaftëve” dhe i kërkon të dalë nga qendra e votimit, ndërsa ky i fundit ia kthen: “Pranoje humbjen. Unë jam qytetar dhe votues i Vorës. Lini njerëzit të votojnë të lirë. Noka ndërkohë para mediave tha se në këtë qendër votimit në Vorë, persona të pajisur me bezha si vëzhgues po dirigjojnë procesin e votimit. Noka pretendon për manipulim, ndërsa kërcënon se ata që po shkelin ligjin “do të zvarriten qelive”. https://www.youtube.com/watch?v=zFlGnvyeonw

11/05/2025 11:27-Humbin 500 fletët e votimit në Qendrën e Votimit në Fier, gjenden vetëm 47

500 fletë votimi nuk janë gjetur në KZA 59 Fier, Qendrën e Votimit 3134/01. Sipas informacioneve, në QV janë marrë 547 fletë votimi, por kanë gjetur 47. Në sistem del që janë dërguar 547 fletë. Situata e paprecedentë ka ndodhur në Qendrën e Votimit në shkollën “Kostandin Peto”.

11/05/2025 11:05-Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda votojnë në Surrel

Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh Kryeministri Edi Rama shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama kanë votuar në në shkollën “Ymer Lala” të Surrelit. “Të presim çfarë do të thotë populli”, tha ai për mediat shqiptare. Ndërkohë që dha edhe një prononcim për mediat e huaja, ku tha: Ta bëjmë Shqipërinë pjesë të BE.

11/05/2025 10:23-I shoqëruar nga familja e tij, Berisha voton në shkollën “Kosova” në Tiranë

Kryedemokrati Sali Berisha ka votuar në shkollën “Kosova” në Tiranë. Ai shoqërohet nga bashkëshortja e tij Liria, djali Shkëlzen Berisha, bashkëshortja e tij Armina Mevlani. Gjithashtu ishin edhe dy fëmijët e Shkëlzen Berishës, të cilët votojnë për herë të parë.

11/05/2025 10:23-“Zgjedhje europiane për një vend”, voton presidenti Begaj

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Zonja e Parë votuan në qendrën e votimit te shkolla “Kongresi i Lushnjes”. Pas hedhjes së votës së tij në kutinë e votimit, Presidenti Begaj pati dhe një prononcim për mediat, ku tha se procesin zgjedhor ishte shumë i qetë. Begaj shtoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për demokracinë vendit. Zgjedhje të veçanta i konsideroi Presidenti zgjedhjet e 11 majit pasi kemi hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri kemi dhe votën e diasporës. Lajmi i plotë KËTU.

11/05/2025 10:15-KQZ publikon shifrat, ja sa ishte pjesëmarrja në orën e parë të votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e para për pjesëmarrjen në zgjedhjet që po mbahen sot. Në orën e parë të votimit që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 1.81% nga 937 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ. Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, ka një rritje të lehtë, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve, pjesëmarrja në orën e parë të votimit ka qenë 3.37%.

11/05/2025 09:56-​Njëqind vjeçari voton në Tiranë: Kam votuar që në vitin 1946

Një 100-vjeçar ka hedhur votën në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë. Ai mund të jetë votuesi më i vjetër në Shqipëri, sipas Top Channel. “Me numër si kam, por kam votuar që në vitin 1946 dhe deri sot. Sado e gjatë të jetë është e qartë dhe e lexueshme për të gjithë qytetarët fleta e votimit. Janë bërë zgjedhjet e para, 46, 50, 60 deri sot mund të kem votuar. Sa më shpejt është më mirë, çdo punë, sa më shpejt të jetë aq më e saktë është”, u shpreh ai. Qytetarët shqiptarë iu drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.

11/05/2025 09:50-Raportohet për fotografim vote në lagjen “5 Maji” në Elbasan

Raportohet se në lagjen 5 maji në Elbasan ka pasur një rast të fotografimit të votës. Teksa procesi zgjedhor 2025 vijon, rasti është zbuluar dhe më pas u vijua me procedurat e nevojshme. Personi që fotografoi votën u ndalua nga komisionerët e qendrës se votimit.

11/05/2025 09:47-Monika Kryemadhi voton e shoqëruar nga djali

Monika Kryemadhi i është drejtuar qendrës së votimit së bashku me djalin e saj Besarin i cili herë pas herë është parë në fushatë duke ndihmuar edhe babain e tij, kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Meta është renditur në listë të hapur në emrat e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Kujtojmë se ish-presidenti Meta aktualisht ndodhet në burg.

11/05/2025 09:43-Basha voton me vajzën, thirrje të rinjve: Votoni për të ardhmen tuaj

Lulzim Basha, kreu i Koalicionit Euroatlantik, votoi bashkë me vajzën e tij të madhe rreth orës 08:30. Pas votimit, Basha i bëri thirrje veçanërisht të rinjve që ditën e sotme të gjejnë kohë për të votuar. “I bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i drejtohen kutive të votimit, për të ushtruar një të drejtë për të cilën është luftuar kaq shumë: të drejtën për të zgjedhur me votë qeverinë, Parlamentin dhe deputetët që ju përfaqësojnë. Thirrja ime është veçanërisht për brezin e ri, në këtë ditë të veçantë për mua, kur vajza ime Dafina voton për herë të parë, i them brezit të ri që kanë të drejtë të çmuar sot për të ushtruar”, tha Basha. “Votoni për të ardhmen tuaj, për veten tuaj dhe për vendin tuaj. Besoni te Shqipëria, besoni tek e ardhmja”, shtoi Basha

11/05/2025 09:39-Pezullohet votimi në fshatin Gjoroven të Beratit, në Poliçan sherr mes komisionerëve

Kanë nisur problemet në procesin e votimit në qarkun e Beratit. Në fshatra raportohet për prani të personave të pa autorizuar në perimetrin e ndaluar të KZAZ-ve, kryesisht kryepleqtë e fshatrave. Sipas informacioneve, në fshatin Gjoroven përfaqësuesit e PD kanë bllokuar votimin deri në zgjidhje të këtij problemi. I kontaktuar nga A2 CNN, kandidati Zija Ismaili pranoi se ka tension të shtuar. "Në Gjoroven është bllokuar votimi, ka njerëz të paautorizuar pranë KZAZ-ve të cilët arrijnë të intimidojnë dhe zgjedhësit, ka presione. Ndërkohë problematika paraqitet dhe në disa fshatra të tjera. Drejtuesi politik do të ketë një komunikim për media sapo të marrin informacionin e plotë" - tha Ismaili. Ndërkohë në Poliçan, përfaqësuesi i PD Endrit Zeneli deklaron se kryetarja e KZAZ nuk u jep bexhat komisionerëve demokratë. "Votimi në Poliçan po bëhet vetëm me komisionerët socialistë, kryetarja nuk pajisë me bexha komisionerët tanë. Nuk jep asnjë shpjegim. Kemi çuar 10 emra konisionerësh dhe nuk është asnjë në tavolinën e votimit" - deklaroi ai për A2 CNN. Qarku i Beratit ka 169 mijë votues me të drejtë vote, të cilët do të përcaktojnë 7 deputetët e ardhshëm për në Parlament

11/05/2025 09:39-E pazakontë në Lushnjë – dollapi i vjetër i rrobave kthehet në dhomën e fshehtë të votimit

Një situatë e pazakontë po ndodh në fshatin Zhamë të Lushnjës. Një dollap i vjetër në qendrën shëndetësore të fshatit Zhanë në këtë ditë zgjedhjesh është kthyer në dhomë votimi. Qytetarët janë futur në dollapin e kthyer në dhomë votimi dhe kanë ushtruar të drejtën. https://www.youtube.com/watch?v=nHlSWXWUKSI&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2F&embeds_referring_origin=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com&source_ve_path=MjM4NTE

11/05/2025 09:04-“Kandidatët tentojnë të futen në qendrat e votimit”, KQZ: Është qartësisht e ndaluar nga Kodi Zgjedhor

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, thotë se ka pasur tentime të kandidatëve për t’u futur në qendrat e votimit. Ai thekson se kjo është e ndaluar nga Kodi Zgjedhor dhe se kandidatët nuk mund të hyjnë në qendrat e votimit. “KQZ ka marrë raportime nga terreni që kandidatë për deputet kanë kërkuar të futen në qendrat e votimit. Bëjmë me dije se është qartësisht e ndaluar nga Kodi Zgjedhor prania e kandidatëve në Qendrat e Votimit. Kandidatët duhet të respektojnë me rigorizitet këtë ndalim ligjor. Ata dhe përfaqësuesit e tjerë politik, duhet të jenë të parët që duhet të kontribuojnë për integritetin e procesit zgjedhor”, tha ai.

11/05/2025 08:55-​Shqipëria voton, Rama: Shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre

Shqipëria zgjedh sot qeverinë e ardhshme. Këtë të diel prej orës 07:00 të mëngjesit qytetarët shqiptarë u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur të mandatuarit e tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për 4-vjeçarin e ardhshëm, si dhe forcën politike që do të qeverisë vendin. Kryesocialisti Edi Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve që të dalin dhe të votojnë. Duke theksuar rëndësinë që ka vota në këto zgjedhje, Rama thotë se shqiptarët kanë sot në dorë të ardhmen e tyre. “MIRËMËNGJES! Sot është Dita e Shqipërisë. Shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre. Votoni!”, ka shkruar Rama.

11/05/2025 08:50-Incident në Rrëshen - arrestohen dy persona mes tyre bashkëshorti i kandidates së PD

Bashkëshorti i kandidates së PD, Elda Hoti është arrestuar, pas një incidenti të ndodhur në Rrëshen. Së bashku me të është arrestuar edhe Amarildo Jushi. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve: -L. N., 45 vjeç, banues në Mirditë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” -A. J., 25 vjeç, banues në Mirditë, për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç (drejtues automjeti) dhe A. D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave. Lajmi i plotë KËTU.

11/05/2025 08:46-Voton Elisa Spiropali: Sot, dita e Shqipërisë, të tregojmë që jemi evropianë

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ushtroi të drejtën e saj në Qendrën e Votimit pranë Parkut Olimpik në Tiranë, duke dhënë një mesazh simbolik për rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin demokratik. “Faleminderit juve që keni dalë herët për të pasqyruar këtë ditë të demokracisë. Sot është dita e qytetarëve, kombit, shtetit, Shqipërisë. Të gjithë të votojnë sot me qytetari, siç është zhvilluar fushata. Të tregojmë që jemi evropianë. Urime të gjithëve dhe sa më shumë të votojnë për Shqipërinë, aq më shumë përgjegjësi qytetare tregojmë dhe aq më e mirë është e ardhmja jonë”, u shpreh Spiropali para gazetarëve.

11/05/2025 08:46-Sot zgjedhjet parlamentare, reagon Berisha: Njisha, jeni gati?

Ndërkohë që sapo ka nisur procesi i votimit në disa qendra votimi, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë reagimin e parë lidhur me zgjedhjet parlamentare. “Mirmëngjes njisha, jeni gati?”,-shkruan Berisha në Facebook. Kujtojmë se PD-ASHM mban numrin 1 në fletën e votimit, ndaj edhe kreu i PD i drejtohet qytetarëve dhe simpatizantëve të kësaj force politike si “njisha”. Në këto zgjedhje parlamentare 11 subjekte politike me 2 mijë e 46 kandidatë do të jenë në garë për 140 ulëse në Kuvend.

11/05/2025 08:23-Qytetari në Fushë Krujë kërkon të votojë edhe për bashkëshorten

Nis votimi në qendrën numër në Fushë Krujë. Në 50 minuta janë paraqitur për të votuar katër qytetarë. Kjo qendër votimi ka në total 754 votues. Pjesëmarrja deri më tani paraqitet e ulët, teksa deri më tani procesi paraqitet i qetë dhe pa problematika. Një situatë e pazakontë është krijuar, pasi qytetari kërkon të votojë edhe për bashkëshorten, por nuk lejohet.

11/05/2025 08:12-Subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e sotme

Në këto zgjedhje parlamentare 11 subjekte politike me 2 mijë e 46 kandidatë do të jenë në garë për 140 ulëse në Kuvend. 1. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore 2. Partia Lëvizja Bashkë 3. Lëvizja Atdheu 4. Koalicioni Euroatlantik 5. Partia Socialiste 6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet 7. Aleanca Kombëtare Shqiptare 8. Aleanca Demokracia e Re 9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim 10. Partia Mundësia 11. Partia Social Demokrate