Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO, Policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përmbyllur me sukses ushtrimin e përbashkët “Shpata e Artë 2025”, zhvilluar me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe rritjes së gatishmërisë për t’u përgjigjur ndaj skenarëve kompleksë të sigurisë.

Sipas një komunikate të KFOR-it, FSK-ja mori pjesë në ushtrim në përputhje me mandatin e saj për mbrojtje civile, duke kontribuar në koordinimin ndërinstitucional dhe menaxhimin e situatave emergjente.


Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutas, vlerësoi përfundimin e ushtrimit si një arritje të rëndësishme për sigurinë në vend.

“Përfundimi i ushtrimit ‘Shpata e Artë 2025’ përfaqëson një moment të rëndësishëm. Ky ushtrim pasqyroi gatishmërinë e të gjithë personelit pjesëmarrës për të punuar së bashku në skenarë kompleksë sigurie dhe demonstroi vlerën e shtuar që sjell koordinimi i ngushtë midis KFOR-it dhe organizatave të sigurisë së Kosovës për një siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitet rajonal,” deklaroi ai.

KFOR-i mbetet i përkushtuar ndaj krijimit dhe ruajtjes së një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së. /Telegrafi/