Sulmi fizik ndaj Afrim Veliut, reagon Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës

Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj doktorit Afrim Veliut, i cili ndodhi dje në qytet.
Në reagimin e tyre ata kanë kërkuar që sa më shpejtë autori të sillet para drejtësisë, transmeton Telegrafi.
"Sulmet ndaj profesionistëve tanë janë të papranueshme dhe minojnë sigurinë dhe dinjitetin e tyre. Ne u bëjmë thirrje organeve kompetente që të hetojnë me përkushtim këtë rast dhe të sigurojnë që autori të sillet para drejtësisë. Solidarizohemi me kolegun tonë dhe familjen e tij në këto momente të vështira", thuhet në reagim.
Ndryshe, gjinekologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës Afrim Veliu është sulmuar mbrëmë në Ulpianë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 21:30, ku Veliu është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.
“Mbrëmë rreth orës 21:30, është raportuar për një sulm fizik, të ndodhur në rrugën “Henry Dunant” në lagjen Ulpiana të Prishtinës.Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se, teksa po futej në veturë viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur. Viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur”, ka deklaruar Borovci.
Lidhur me rastin, Prokuroria ka nisur hetimet./Telegrafi/





















































