Shkupi me përmendore të tjera maqedonas, harrohen heronjtë shqiptar

Këshilltari i kësaj partie në Qytetin e Shkupit, Damjan Mancevski theksoi se një shoqatë anonime për unifikimin e maqedonasve nga Lerini sërish ka dhuruar një përmendore të re, e cila do të vendoset në pjesët qendrore të qytetit.
Opozita kërkoi sqarime se sa është vlera e kësaj përmendoreje dhe se kush po përgatit këso skenare.
Mancevski theksoi se kjo shoqatë po dhuron përmendoren e gjashtë, duke mos dhënë asnjë mbulesë financiare apo për çmimin e përmendores se sa ka kushtuar, transmeton almakos.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski ka theksuar se ka dërguar letër zyrtare tek shoqata për të kërkuar çmimet e përmendoreve të punuara, por akoma nuk ka pranuar përgjigje. Kjo sipas Mancevskit, nuk ka penguar Trajanovskin që të pranojë përmendore tjetër.
“Koce Trajanovski është bashkëpjesëmarrës direkt për pranimin e këtyre donacioneve në formë të përmendoreve dhe se këtu ka dyshime të mëdha”, deklaroi Mancevski.
Derisa po diskutohet për vendosjen e përmendoreve të tjera, Qyteti i Shkupit dhe komuna Qendër akoma nuk kanë vendosur dhe nuk dihet fati i tre përmendoreve të premtuara të personaliteteve shqiptare si Nexhat Agolli, Josif Bageri dhe Pjetër Bogdani. Këto përmendore ishin paralajmëruar para katër viteve për t’u inauguruar mirëpo ata nuk janë ende. Projekti “Shkupi 2014” ka harxhuar mbi 700 milionë euro, ndërsa Qeveria ka theksuar shifra më minore.




















































