Shkova në malin grek ku ka vetëm meshkuj, ku seksi është i ndaluar dhe ndëshkohet nga Zoti!

Me 2 000 murgj, Mali Athos është një nga përpjekjet më ekstreme për të imponuar dëlirësinë.
Nga: Fergus Butler-Gallie, prift anglikan
Përkthimi: Telegrafi.com
Prifti Kassianos më fiksoi me një vështrim prej dinaku, teksa dha përgjigjen e vet. “Kanë kaluar kaq shumë vite saqë nuk mund të mbaj mend”.
Cepat e buzëve iu ngritën në një buzëqeshje të lehtë dhe të ndrojtur. E pyeta se sa gjatë ka jetuar në Malin Athos, në gadishullin gjysmë-autonom grek ku banojnë afërsisht 2 000 murgj ortodoksë. Dyshoja se pretendimi i tij për harresë fshihte një të kaluar interesante. Një gjë ishte padyshim e vërtetë: Kassianosi nuk ka lindur këtu, sepse në Malin Athos nuk ka gra.
Dëlirësia është një nga betimet kryesore që marrin murgjit në të gjitha kishat e krishtera, lindore dhe perëndimore. Është ajo që lidh mes vete murgjit e çdo besimi dhe rendi, megjithëse Mali Athos është një nga përpjekjet më ekstreme për të siguruar zbatimin e këtij betimi të veçantë. Gadishulli i largët dikur konsiderohej i shenjtë për Zeusin, por tani i kushtohet Marisë, nënës së Krishtit, për shkak të një legjende sipas së cilës ajo u mbyt aty me një anije, teksa ishte rrugës për të jetuar me Shën Gjonin në ishullin Patmos. Në portin e vogël të Uranopolit, në skajin e gadishullit, gratë qëndrojnë në skelë, ndërsa trageti - pasi terreni i pjerrët dhe i pyllëzuar e bën të pamundur hyrjen nga toka - mbushet vetëm me burra.
Megjithatë, ndalesa për gratë e ka bërë Athosin një vend tundues për politikanet, aventurieret dhe seks-simbolet që kanë tentuar ta vizitojnë. Perandoresha e Serbisë, Helena, arriti të zbriste në mal në vitin 1346, por iu mohua hyrja edhe në manastirin e madh kombëtar serb të Hilandarit.
Nga gratë që guxuan të bëjnë udhëtimin vetëm, spikat Aliki Diplarakou. Raportet ndryshojnë mbi mënyrën se si “Mis Greqia” e viteve ‘30 të shekullit XX arriti nga një jaht argëtimi, pranë brigjeve greke, në malin e shenjtë në vitin 1932. Disa thonë se ishte një ekspeditë e çastit, e nxitur nga koktejet falë një detari të dashuruar në të me të cilin ajo shkëmbeu rrobat. Të tjerët sugjerojnë se një murg, i mahnitur nga bukuria e saj, e ndihmoi dhe e mbështeti në këtë mëkat. Sido që të ketë ndodhur, garat e ardhshme të bukurisë në Greqi u ndaluan - pas zemërimit të Kishës. Ata që shkelën rregullat e Athosit u shpallën të “anatemuar” - të mallkuar - nga Patriarku i Kostandinopojës, Fotios II. Anatema mbetet ende në fuqi.
Shkova në Athos për të hulumtuar për librin tim, Dymbëdhjetë kisha [Twelve Churches], i cili përshkruan se si krishterimi u zhvillua përmes historive të disa prej enklavave të tij më interesante. Libri trajton çështjet nga pushteti te përfitimi e deri te bukuria, por seksi ishte më i vështiri për t’u adresuar. Si klerik në Kishën e Anglisë, jam tepër i vetëdijshëm për prirjen e Kishës për të bërë dredhi në këtë çështje specifike. Kjo është pjesërisht kështu sepse Shkrimi i Shenjtë - për shkak të paqartësisë në tekst - duket se ofron prova për zhvillimin e pikëpamjeve krejtësisht të kundërta. Në përpjekjen për ta kuptuar gjithë këtë kontradiktë, mendova se duhet të shkoj në Athos - ndoshta vendi i vetëm në botën i krishterë ku nuk ka asnjë paqartësi.

Në ungjij, Jezu Krishti flet shumë pak - në mënyrë të drejtpërdrejt - për këtë temë. Megjithatë, autorët e mëvonshëm të krishterë filluan ta shihnin atë si shumë të rëndësishme, si shfaqjen më të dukshme të jetës “së mishit” që qëndronte në konkurrencë të drejtpërdrejtë me jetën “e shpirtit” për të cilën nxiteshin njerëzit e besimit. Shën Pali, në letrën e parë që u shkroi të krishterëve në Korint, e trajtoi drejtpërdrejt këtë konflikt. Korinti kishte një komunitet besimtarësh të rinj, disa prej të cilëve ishin hebrenj dhe disa të cilët më parë kishin adhuruar perënditë pagane.
Kjo solli probleme. Përderisa judaizmi kishte një qëndrim relativisht të kufizuar ndaj seksit, paganizmi i lashtë ishte më i lirshëm. Pali, në letrën e tij, parashtroi idenë se trupat tanë janë “tempulli i Shpirtit të Shenjtë”. Dhe, një gjendje e tillë e trupit rrezikohet nga lloje të gabuara të seksit. Kështu që, për të shmangur shpërqendrimet nga një jetë e shenjtë, ai këshilloi se beqaria është më e mira. Por, nëse nuk mund ta përballosh këtë, atëherë do të mjaftonte një martesë e vetme me dikë të gjinisë së kundërt.
Ka shumë gjëra të çuditshme për jetën në Athos, siç zbulova gjatë qëndrimit tim në Manastirin Pantokrator. Edhe për të shkelur aty, të duhet një dokument i veçantë kishtar. Vizitorët që nuk janë ortodoksë, në përgjithësi trajtohen me dyshim, megjithëse kanë një lloj simpatie për Kishën e Anglisë sepse, siç tha një murg, “mbreti juaj është gjysmë grek”. Posa futesh brenda, zgjohesh nga një murg që godet një dërrasë druri jashtë dritares sate në orën katër të mëngjesit. Nxehtësia në verë, kur shkova unë, ishte e madhe gjë që bënte që të gjithë ne, pelegrinët, të flinim lakuriq. Paradoksalisht, seksi kurrë nuk është shumë larg në Malin e Shenjtë.

Ishte Shën Gjoni Kasiani - emnaku i murgut që takova në Athos - ai që përcaktoi versionin më ekstrem të beqarisë për komunitetet e murgjve dhe murgeshave. Si murg grek që jetoi në fund të shekullit të katërt pas Krishtit, ai argumentoi se “njohuria shpirtërore nuk mund të arrihet pa beqari të plotë” - njerëzit nuk mund të ndriçohen plotësisht shpirtërisht pa qenë krejtësisht të lirë nga dëshira seksuale.
Si i ri ai udhëtoi drejt kryeqytetit perandorak të Kostandinopojës, ku gjeti një qytet që jo vetëm gumëzhinte nga aktet seksuale të çdo lloji, por edhe nga pasojat e seksit. Kasiani nuk shihte njerëz që vepronin shëndetshëm, sipas dëshirave të tyre natyrore; ai shihte foshnja të braktisura, prostituta të vrara, burra të bërë eunukë kundër vullnetit të tyre dhe fëmijë të të dy gjinive të detyruar në marrëdhënie seksuale nga më të fuqishmit. Një autor bizantin vëzhgoi rastet e incestit aksidental në qytet, për shkak të baballarëve që “pa e ditur kishin marrëdhënie me një djalë ose vajzë që ishte bërë prostitutë”. Kjo e shtyu Kasianin të avokonte për abstinencë nga seksi; jo si “virtyt në vetvete”, por për shkak të efekteve të tij pozitive mbi shpirtin.
Një nga arsyet se pse ai mendonte se seksi ishte një problem kaq i veçantë ishte se ai e ndiente fuqishëm joshjen e vet. Në veçanti, kapituj të shumtë të shkrimeve të tij trajtojnë ndjenjat e fajit pas një “shkarkese nate” ose “ëndrre të lagësht”. Ai thoshte se një incident i tillë ishte “një shfaqje e një të mete të fshehur në brendësi”. Veprimet seksuale të trupit lidhen tërësisht me gjendjen e shpirtit. Përfundimisht, statutet e Kasianit u bënë shtyllat qendrore për komunitetet që kërkonin të vendosnin rregulla për jetën monastike.

Athosi më mësoi shumëçka për seksin. Çuditërisht, ishte ai murg i moshuar dhe shkrimet e një të shenjti grek, i vdekur prej kohësh, që më ndihmuan të kuptoja qëndrimet e reja puritane të cilat, siç na thuhet, po bëhen gjithnjë e më të përhapura te gjeneratat e reja. Një shtrëngim i normave seksuale, si reagim ndaj teprimeve të gjeneratave të mëparshme, nuk është asgjë e re - dhe nuk është gjithmonë, apo automatikisht, një gjë e keqe. Mendoj se ndoshta është e vërtetë që seksi është bërë kaq qendror për identitetin perëndimor, saqë kemi humbur disi ndjenjën e vlerës së tij.
Athosi ishte një korrigjim për këtë. Disa shoqëri laike perëndimore pëlqejnë të mendojnë se qëndrimet e tyre të veçanta mbi seksin dhe individin lulëzuan plotësisht në fund të shekullit XX. Kjo nuk është e vërtetë. Mësimi i Palit se trupi ishte një tempull dhe i denjë për t’u marrë parasysh në atë që bëhet me të - ose ndaj tij - ndikon edhe në konceptin e personit më laik për moralin seksual në Perëndim. Fakti që ne ende i shohim si tabu shumë nga praktikat seksuale që tronditën Kasianin, por nuk tronditën botën pagane - incesti, prostitucioni i fëmijëve, përdhunimi - është një dëshmi e natyrës bindëse të argumenteve të tij, edhe nëse sot kemi një qëndrim pak më të butë ndaj ëndrrave të lagështa.
Qëndrimet e hershme të krishtera ndaj seksit ishin padyshim të largëta nga ato të shekullit XXI - megjithatë jo aq larg sa mund të mendojmë. Sidoqoftë, ndërsa u ktheva nga Athosi dhe munda të flisja sërish me gra, të telefonoja gruan time dhe, sinqerisht, të mendoja për seksin pak më normalisht, isha mirënjohës që një rrugë e mesme - midis ekstremeve të hiperseksualizimit dhe botës së Athosit - ishte e qasshme për mua. /Telegrafi/

















































