Fakti që zona tashmë të njohura në Durrës përmbyten sa herë që ka reshje shiu me intensitet, nuk përbën më ndonjë të re si për banorët që vuajnë pasojat e përmbytjeve, ashtu edhe për pushtetin lokal, që mangësitë në shërbime dhe pastrimin e kanaleve kulluese i justifikon me faktin se reshjet ishin me intensitet të lartë.
Dhe me sa duket kështu ndodhi edhe me reshjet e së mërkurës që vijuan për të paktën 5 orë me intensitet të lartë. Mbi 300 banesa të përmbytura kryesisht në zonën e ish-kënetës dhe lagjes 17, dhjetëra hektarë tokë bujqësore nën ujë dhe natyrisht disa rrugë me prezencë të lartë uji, shkruan A2.
Banorëve që u është futur uji në banesa dhe natyrisht u ka dëmtuar çfarë kanë patur, nuk e kanë për herë të parë këtë situatë, por kësaj radhe ato shprehen se niveli i ujit ka qenë më i lartë.
Nga ana tjetër, drejtues të Bashkisë së Durrësit shprehen se situata u krijua për shkak të reshjeve dhe se i gjithë personeli i shërbimeve është në terren.
Ndërsa për ish-deputetin e PD, Igli Cara, kryebashkiakja e Durrësit dhe kryeministri disa orë para përmbytjes i kërkonin votat këtyre banorëve që u përmbytën.
Ashtu si në rastet e mëparshme, pushteti lokal premton vlerësim të dëmeve për familjet dhe bizneset, ndërsa koha e ka treguar se është bërë shumë pak për të shmangur këto përmbytje.